Zëvendës Presidenti i Partive Popullore Evropian David McAllister dhe eurodeputeti raportues për Shqipërinë Knut Fleckenstein përfunduan vizitën e tyre në Shqipëri pa arritur një zgjidhje për krizën politike në vend. Në situatë të ngjashme me dështimin e bisedimeve në Maqedoni, BE-ja edhe njëherë tjetër e gjen veten të anashkaluar nga një shtet ballkanik.
Eurodeputetët McAllister dhe Fleckenstein erdhën në Tiranë dje në mesditë dhe u takuan fillimisht me Kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit Meta. Pas këtij takimi, McAllister u takua me kreun e Partisë Demokratike Lulzim Basha në selineë e PD-së.
Pas takimeve të veçanta, ka patur një përpjekje për takimin e palëve në Pallatin e Kongreseve, ku europarlamentarët janë takaur sërish veç e veç me të dy palët me shpresën për t’i ulur ato në një takim të përbashkët. Por Kryetari demokrat Basha është larguar pak minuta pas ardhjes së tij në Pallatin e Kongreseve duke mos pranuar vazhdimin e negociatave nëse nuk diskutohej për qeveri teknike.
Në mbrëmje, me një deklaratë të përbashkët të shpërndarë nga Delegacioni i BE në Tiranë, David McAllister dhe Knut Fleckenstein u shprehën:
“Kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister dhe Raportuesi i Përhershëm i Parlamentit Europian për Shqipërinë, Knut Fleckenstein u takuan me mazhorancën dhe opozitë ku patën një diskutim të mirë me palët. Të dy deputetët paraqitën propozime për zgjidhjen e situatës që përfshinin pika mbi dekriminalizimin, luftën kundër narkotikëve, masat teknike për përmirësimin e zhvillimit të zgjedhjeve dhe masat e ndërtimit të besimit politik.
Ata gjithashtu propozuan ide për diskutim mbi datën e zgjedhjeve dhe ndryshimet e mundshme para-zgjedhore në strukturat qeveritare për të ndërtuar besimin afatgjatë në sistem. Nga ana e mazhorancës kishte marrëveshje mbi pikat e parashikuara nëse në parlament do të votohej Vetingun. Partia Demokratike mbajti qëndrimin e saj për emërimin e një Kryeministri teknik dhe për miratimin e një sistemi votimi elektronik për zhvilimin e zgjedhje të dhe të ndershme.”
Sipas disa mediave, Kryeministri Rama kishte propozuar shtyrjen e datës së zgjedhjeve më 16 korrik dhe riorganizimin e kabinetit të tij me katër ministra teknikë. Ai megjithatë nuk pranoi kërkesën e opozitës për qeveri teknike dhe e kushtëzoi të gjithë marrëveshjen me kërkesën që opozita të votojë ligjet e vetingut në parlament.
Me anë të një deklaratë ne Facebook, Zoti Basha iu përgjigj:
“Dua po kështu të denoncoj dhe të dënoj aktin e turshëm të kondicionimit të luftës kundër drogës dhe kriminalizimit me gjoja votën për vetingun. Dua ti them sot çdo shqiptari, dhe miqve tanë ndërkombëtarë, se kjo nuk është çështje, “ose… ose…”, ose dekriminalizim dhe luftën kundër drogës, ose veting, por, është çështje, “edhe… edhe…”.”
Zoti Basha njoftoi gjithashtu se opozita do të përshkallëzojë protestat duke e shtrirë mosbindjen civile në të gjithë vendin.
29 prilli është afati i fundit për regjistrimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 18 qershorit. Deri në atë datë PS, LSI dhe 43 parti të tjera me to duhet të dorëzojnë listat e tyre me 140 kandidatë.
Duke qenë se partitë nuk arritën të regjistroheshin si koalicione brenda afatit të caktuar dhe KQZ nuk pranoi kërkesëne PS-LSI për të shtyrë këtë afat, më 18 qershor të gjitha partitë do të kandidojnë të vetme dhe duhet të arrijnë pragun prej 3 për qind të votave në të gjithë vendin për të patur mundësi të fusin deputetë në Kuvend.