Përgjimet e plota të BILD – Si PS bleu vota dhe frikësoi nëpunësit në zgjedhjet në Dibër

Përgjimet e plota të BILD – Si PS bleu vota dhe frikësoi nëpunësit në zgjedhjet në Dibër

Gazeta gjermane BILD publikoi sot përgjime të reja që tregojnë shit-blerjen e votave, përdorimin e policisë dhe frikësimin e nëpunësve të administratës për të votuar kandidatin e Partisë Socialiste Muharrem Rama në zgjedhjet vendore 2016.

Në telefonata dëgjohet kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri, kandidati i PS-së për Bashkinë Lezhë Pjerin Ndreu, ish-deputeti Artan Gaçe, drejtori i Ministrisë së Brendshme Arben Keshi, Drejtorin e Arsimit në Dibër Drini Gjeci,  Shefi i Komisariatit të Policisë Nr.5 në Kamëz Sali Skurën.

Exit.al sjell më poshtë përgjimet e zbardhura.

Përgjimi 1

Edi Rama telefonon Arben Keshin, drejtor në Ministrinë e Brendshme dhe e pyet nëse e ka realizuar objektivin dhe nëse ka folur me komisionerët.

Arben Keshi: Hë Shefi

Edi Rama: Hë mo si duket?

Arben Keshi: Po mirë, mirë te pritshmëritë jemi.

Edi Rama: E ke realizuar objektivin thu?

Arben Keshi: Them që po. Tani me pjesën e atyre që na thonë komisionerët e kemi realizuar.

Edi Rama: Ashtu eee?

Arben Keshi: Po po them që po.

Edi Rama: Po ata maskarejtë kishin bërë presione mbrëmë eee?

Arben Keshi: Po, deshin të më kapnin mua ato po ndodhi punë 2 minutash sa u futa te shtabi se më pritshin te hoteli ku fleja.

Edi Rama: e ca do të bëshin ty ata?

Arben Keshi: Ishin nja 50 veta. Hiç mo, ja me ketë pjesën e presionit me goditje me kshu. Ai është legen ai Flamur Noka.

Edi Rama: Po ku ta del dot ty mo Flamur Noka.

Arben Keshi: Jo mo, ai thjeshtë…. Djali sa doli, sa më la mua, ata kujtuan se më lanë dhe mua në makinë dhe e ndalën. Rreth 50 vetë. Jo se i bënë ndonjë gjë. Sa e goditën, ai iku dhe se kapën dot.

Edi Rama: Më mirë po hë, se ci do sherret. Dëgjo po ti mendon se e kemi realizuar objektivin eee?

Arben Keshi: Për këtu te unë, them që po. Mund të lëvizë pak, po nga ata që na kanë thënë komisionerët kemi pritshëmri të mëdhaja.

Edi Rama: Komisionerët i ke pas top eee?

Arben Keshi: Po po i kam pas shumë të mirë.

Edi Rama: Ok mirë vllai, hajde.

Arben Keshi: Ishalla, mirë rrofsh faleminderit.

Edi Rama: Ciao Ciao.

Përgjimi 2

Deputeti socialist Artan Gaci flet me Arben Keshin dhe i thotë se Rama ka shumë vlerësim për Keshin dhe punën që ai ka bërë gjatë fushatës zgjedhore.

Artan Gaci : Ishim në Ndroq me shefin e madh …edhe me superlativa për ty

Arben Keshi : faleminderit

Artan Gaci : jo jo nga ai, nga ai, unë po e po. Gjithë Meqellarën ta vinte ty. E ka kopsit tha. Edhe në 2011 fitoi tha, por ndodhën ca gjëra me një kuti.  Është merita e Benit komplet.

Përgjimi 3

Arben Keshi flet me një përfaqësues të paidentifikuar të Partisë Socialiste për blerjen e votave në një familje.

Përfaqësuesi i PS-së: jam te Tasie Lleshi.

Arben Keshi : Po ca thotë?

Përfaqësuesi i PS-së : Nuk do Refiku. Ajo that e 30-shja, po nuk qe tek 30-shja, nuk ashtu thotë

Arben Keshi : Leje, nëse si duan leje. Të shkojnë të PD-ja.

Përgjimi 4

Arben Keshi flet me një person të paidentifikuar që punon si mësues. Mësuesi e informon Keshin se diksuh i ka kërkuar 200 mijë lekë në shkëmbim të katër votave.

Mësuesi: Kam një Altin këtu te shtabi.

Arben Keshi: Se njoh. I kujt është Altini?

Mësuesi: I Isuf Qokut, ish nxënës i imi. Ka një problem. Ai do nja 20 mijë lekë, thotë kam katër vota.

Më pas mësuesi i tregon se si ka zgjidhur të gjitha punët për zgjedhjet lidhur me disa prej familjeve në Dibër.

Përgjimi 5

Arben Keshi flet me dy persona të tjerë, ku njëri ankohet se nuk i ka marrë paratë për votat.

Personi tjetër: Ma jep emrin ta verifikoj.

Arben Keshi: Xhabir Elezi, Sokol. A i ke dhënë gjë a jo?

Personi tjetër: Po po të dyve.

Arben Keshi: Ai ka ardh këtu, thotë jo.

Personi tjetër: Merre me vete, bjere te unë.

Përgjimi 6

Arben Keshi flet me një person tjetër për të blerë vota.

Tjetri: Ai që nuk e pranoi ofertën këtë javë, ka ardh tu më kërku. Është këtu ai xhaja i vet.

Arben Keshi: [Qesh]. Mirë ti e di vetë .

Tjetri: Xhevati thotë ‘mbaro punë’.

Arben Keshi: Mirë.

Përgjimi 7

Arben Keshi flet me Drini Gjecin, Drejtori i Arsimit në Dibër dhe i kërkon t’i bëjë presion të gjithë mësuesve se nëse nuk votojnë për PS-në do të shkarkohen nga detyra.

Drini Gjeci: A thu të kanë ndejt drejt ato drejtorët, apo t’i bëj bashkë mbrapa?

Arben Keshi: Merri në telefon një nga një. Ditën e hënë keni shku për lesh të gjithë. Gjithë drejtorat në telefon, thuaji ‘raportoni për kë keni marrë në telefon’ se janë tu fjet gjumë. Gra burra, ca të jenë. Do ja kujtoni një më një të gjithë mësuesve sipas listës që keni pru. Nëse duan që ditën e hënë të jenë në punë. Nëse nuk dun, në p**** të s**** se ja kam q* r***.

Drini Gjeci: I marr në telefon tani.

Përgjimi 8

Arben Keshi flet me Sali Skurën, Shef tek Komisariati i Policisë Nr.5 në Kamëz, dhe i kërkon të ndalojë votuesit e PD-së që jetojnë në Kamëz, por që kanë ende të drejtë vote në Dibër. Skura i thotë se ka ngritur postoblloqe policie për t;i ndaluar.

Arben Keshi: Na këputët ju të Kamzës. Bllokoni autobuzët e Kamzës.

Sali Skura: Po pra, kena nxjerr postblloqe policiee. Nesër nga ora 3 kanë me u nis.

Arben Keshi: A keni ndonjë informacion sa janë me u nis?

Sali Skura: Mendohet te 450-500 veta.

Arben Keshi: I ka organize Xhelali?

Sali Skura: Xhelali ka organizu krejt bashkinë sot. I ka çuar te turizmi i ri në Lurë. Maqellara si duket?

Arben Keshi: Maqellara është mirë se ska pikë Kamze.

Sali Skura: Problem është Lura. Po me komisionerët  i keni në xhep të gjithë?

Arben Keshi: Po, po.

Përgjimi 9

Arben Keshi flet me Sali Skurën, Shef tek Komisariati i Policisë Nr.5 në Kamëz. Ky i fundit i tregon se si ka ndaluar qindra votues demokratë për të shkuar të votojnë në Dibër.

Arben Keshi: A erdhën shumë autobuza mbrëmë këtej [në Dibër]?

Sali Skura: Jo, jo, nja shtatë [autobuzë] i bllokuam. I futëm në pikë bllokimi.

Përgjimi 10

Ministri i Infrastrukturës Damian Gjiknuri flet me Arben Keshin dhe i thotë se po i dërgon disa ‘tipa problematikë’ tek shtabi i tij, që t’i këtë për ‘çdo rast’.

Damian Gjiknuri: Po të çoj dhe ca çuna t’i kesh aty, për çdo rast. Do vinë te shtabi jot. Po mos të dalin shumë ata se janë nga këta tipat problematikë, por gjithsesi të jenë aty për çdo rast.

Arben Keshi: Ok.

Përgjimi 11

Ish-deputeti Pjerin Ndreu, sot kandidati i PS-së për Bashkinë Lezhë, telefonon Drini Gjeçin, Drejtorin e Arsimit në Dibër dhe

Pjerin Ndreu: Bëj një telefon këtij Reshat Elezit, drejtorit të Reçit. Drejtorit të shkollës thuaji të deklarojë votën hapur se ato sms-të që çon poshtë e përpjetë nuk janë shumë të këndshme. Thuaji të deklarojë votën hapur që e ke për PS-në, ndryshe të hënën tregoja se ku fluturon.

Drini Gjeçi: Flas unë tashi më të.

Pjerin Ndreu: Tregoji se ku fluturon të hënën. Të deklarojë hapur votën për PS-në ose të gjejë vend e të futet.

Drini Gjeçi: Rri pa merak se e mbuloj unë këtë punë.

Përgjimi 12

Drini Gjeçi zbaton urdhërat e Pjerin Ndreut dhe telefonon Reshat Elezin. Gjeçi I kërkon Elezit të deklarojë hapur votën e tij dhe familjes së tij pro Partisë Socialiste, ose përndryshe do të hiqet nga puna.

Drini Gjeçi: Ku je?

Reshat Elezi: Jam këtu te qendra e votimit.

Drini Gjeçi: I ke marrë të gjithë ato të familjes?

Reshat Elezi: Jo sjanë tu ardh me votu tani, ma vonë shkoj i marr.

Drini Gjeçi: Në ça qendre voto ti?

Reshat Elezi: Këtu në Zallreç.

Drini Gjeçi: Dëgjo se kam informacione jo  të mira nga andej. Sot vota jote dhe e familjes tënde do të deklarohet haptas.

Reshat Elezi: Drejtor mos e vrit mendjen. Janë fjalë për inat.

Drini Gjeçi: Ore do të deklarohet haptas. Kur unë them haptas, do me thënë haptas fare. Haptas me gjithë familjen.

Përgjimi 13

Drini Gjeçi, Drejtori i Arsimit në Dibër telefonon Lavdrim Muratin, mësues, dhe i kërkon të deklarojë hapur votën për PS-në.

Drini Gjeçi: A ke votu?

Lavdrim Murati: Jo akoma.

Drini Gjeçi: Po pse ske votuar akoma?

Lavdrim Murati: Po se thashë të lirohet njëherë radha.

Drini Gjeçi: Po ça radhë… Lavdrim mos të kemi llafe. Votat i dua haptazi.

Lavdrim Murati: Ça flet, s’bëhet llaf.

Drini Gjeçi: Mos tët pres më. Pesë vota sa ke, i dua. Mos na prish llaf. Unë këtë po të them. Ti e di vetë!

Përgjimi 14

Ministri Damian Gjiknuri flet me biznesmenin Bekim Krashi dhe nga biseda nënkuptohet se pyet për transportimin e parave që do të përdoren për të blerë vota.

Damian Gjiknuri: Kush ka qenë dje të komuna juaj që ka mbuluar pjesën e transportit? Se juve jeni dhe në shtet mer burrë.

Bekim Krashi: Po ne në fakt nuk kemi shumë shtet atje. Janë ca zona…

Damian Gjiknuri: Po mirë mo mirë. Merr një listë, merri ato gjonat dhe hajd kërko mbështetje.

Bekim Krashi: Tani sa t’i marr po vi atje, pa merak.

Përgjimi 15

Biznesmeni Bekim Krashi dhe një person i paidentifikuar, flasin rreth parave të shpërndara për blerjen e votave. Personi i paidentifikuar kërkon sa para duhet t’u ofrojë për një votë, sepse ai ka dy familje me 5 vota që duan ta shesin votën. Çmimi për një votë është 4 000 lekë.

Bekim Krashi: Hë ça bone?!

Tjetri: Doja të thoja pak për familjen e Halit Bashës, ka 3 vota, por ai do diçka mor si t’ia bëjmë?

Bekim Krashi: A ke komuniku me Naimin?

Tjetri:Jam konsultu pak, por për Zotin nuk e di, edhe për Fiqiri Basha, ka dy vota dhe ai i dha vetë 5, 000 lekë.

Bekim Krashi: Sa?

Tjetri: Kështu më tha Fiqiriu.

Bekim Krashi:Kush Fiqiri?

Tjetri: Nuk e di sa e vërtetë është…nuk e di sa është në letra

Bekim Krashi: E di unë atë po hë, sepse ata do më japin letrat dhe do t’i shoh një më një.

Tjetri: Tani si t’ia bëjmë ça mund të bëjmë me ta?

Bekim Krashi:Unë tani jam në Peshkopi, mbama ti dhe unë po vi nesër e po i jap naj gjë.

Tjetri: Sa duhet t’i japim për shembull? Për Halit Bashën për shembull, sa mund t’i japim atij?

Bekim Krashi:Sa veta kanë, 5?

Tjetri: Tre vota ka Haliti dhe Fiqiri Basha ka 2 vota…

Bekim Krashi: Mirë, jepu nga një 40 mijë lekësh, 50 mijë lekësh?!

Tjetri: 50 mijë lekë për 2 vota?

Bekim Krashi: Jo më jo, të paktën 40 mijë ose 30 mijë për çdo votë.

Tjetri: 40 për votë ë?

Bekim Krashi: Do i japim 100 mijë lekë atij që ka 3 vota, më dëgjon?!

Tjetri: Po, po këtij që ka dy vota?

Bekim Krashi: Atij do i japësh 60 a 70 mijë lekë.

Tjetri: 70 mijë… Naimi ka dhënë 50 mijë lekë thotë Fiqiriu… ndaj le t’i japim 20 mijë të tjera plus.

Bekim Krashi: Po mirë më mirë, në qoftë se ka pas shumë, mirë, t’i japi edhe 20 mijë, le t’i japi edhe 20 mijë…

Tjetri: Po shife mër o se janë tu abuzu me lekët aman o burrë i dheut…

Bekim Krashi: O Zotni mos më thuaj mu asgjë në telefon, po m’çen se përgjohet telefoni…

Tjetri: Hë?

Bekim Krashi: Po leji pra tashi këto diskutime me mu në telefon…

Tjetri: Të kuptoj të kuptoj, shifi vetë tani…

Përgjimi 16

Biznesmeni Bekim Krashi flet me një votues, që ishte i paqartë se si duhej të votonte dhe si duhej t’ja vërtetonte Krashit se kishte votuar saktë.

Votues: Po me kan do votojmë na mor?!

Bekim Krashi: Si?!

Votues: Me kan t’votojmë na?

Bekim Krashi: Cilin për kan mor?!

Votues: Drini jam mor, or ti!

Bekim Krashi: Njishin, njishin, or Drin!

Votues: Po me kan do votojm or ti, me qish ta konfirmojm votën?!

Bekim Krashi: Vene njishin, vizë edhe kaq…

Votues: Si-si?!

Bekim Krashi: Nuk di mor thuji… se do vi unë atje poshtë, e t’takoj nga afër, hajd!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>