Përgjimet e Kryebashkiakut Dako – Çfarë dimë deri tani?

Përgjimet e Kryebashkiakut Dako – Çfarë dimë deri tani?

Përfshirja e mundshme e kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako në pazare me banda kriminale është një nga çështjet më të diskutuara në publik ditët e fundit.

Ishte Lulzim Basha i pari që zbuloi publikisht, më 20 nëntor, se disa biseda të Zotit Dako me individë të krimit ishin përgjuar nga shërbimet e zbatimit të ligjit dhe të inteligjencës të “vendeve partnere”. Sipas Lapsi.al, përgjimet që iu referua Basha janë bërë nga prokuroria e Kosovës dhe EULEX.

Mbi këtë informacion ka nisur hetimi ndaj Vangjush Dakos nga prokuroria shqiptare e krimeve të rënda. Basha u shpreh se kryeministri Rama është duke u përpjekur ta mbrojë me çdo kusht nga hetimi kryebashkiakun Dako. Për këtë arsye, theksoi Basha, kryeministri ka ndërhyrë për të transferuar prokurorin e çështjes Anton Martini nga prokuroria e krimeve të Rënda të Durrësit për në prokurorinë e Shkodrës.

Ndërsa burime për Exit.al, bëjnë të ditur se janë të paktën dhe tre përgjime të tjera, nga burime të tjera, pra jo nga Prokuroria e Kosovës apo EULEX, që përfshijnë Kryebashkiakun Dako në aktivitete korruptive dhe bashkëpunim me banda kriminale.

Më poshtë po rendisim në mënyrë kronologjike çfarë dihet deri më tani për këtë çështje:

Prokuroria e Kosovës prej vitesh ka nisur një hetim për një organizatë kriminale kosovare, të përfshirë në trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike.

Një prej pistave të dyshimit të prokurorisë kosovare ishte se organizatat kosovare bashkëpunonin me ato shqiptare, për transportin e drogës nga Kosova në Durrës dhe prej andej në vendet e BE-së.

Me futjen në hartën e përgjimeve dhe të disa bandave shqiptare, të dyshuar si bashkëpunëtorë të organizatës kriminale kosovare, gjatë bisedave telefonike janë kapur dhe biseda të anëtarëve të bandave shqiptare me Kryetarin e Bashkisë Durrës Vangjush Dakon. Në këto biseda flitej kryesisht për blerje votash për Vangjush Dakon në këmbim të tenderëve.

Dyshimet për përfshirjen e një zyrtari të lartë në pazare me organizata kriminale e ndërlikuan çështjen për prokurorinë e Kosovës, duke detyruar atë të bashkëpunonte me Prokurorinë Speciale dhe EULEX-in.

Për të bërë sa më të mundur zbardhjen e çështjes, prokuroria e Kosovës e ka dorëzuar dosjen e hetimit dhe në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Durrës dhe për këtë çështje është angazhuar prokurori Anton Martini.

Lajmi për dosjen nga Kosova dhe hetimin për Kryebashkiakun Gjushi nuk ishte bërë publik, deri më datë 20 nëntor, kur Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, denoncoi largimin e prokurorit Anton Martini nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në Durrës për në Prokurorinë e Shkodrës.

Zoti Basha tha se largimi i Martinit, firmosur më 10 nëntor, është bërë me ndërhyrjen e Kryeministrit Rama, për të shkëputur prokurorin nga çështja Dako.

Zoti Basha konfirmoi se kryebashkiaku i Durrësit Dako është kapur në biseda telefonike duke bërë pazare për blerje votash në këmbim të tenderave me grupe kriminale dhe se këto përgjime janë bërë nga vendet e tjera (duke iu referuar Kosovës) dhe shërbimeve ndërkombëtare (duke iu referuar EULEX).

Prokuroria e Përgjithshme apo ajo e Krimeve të Rënda në Durrës nuk kanë bërë asnjë deklaratë për të pranuar apo hedhur poshtë ekzistencën e një hetimi për kryebashkiakun Dako. Megjithatë mbrëmjen e 20 nëntorit, gjatë emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, prokrurori Anton Martini me anë të një mesazhi, përgënjeshtroi deklatën e gazetares Anduena Llabani se Zoti Martini, në lidhje me hetimin e Dakos, i ka dërguar ankesa tre ambasadave kryesore në vend.

Duke hedhur poshtë vetëm këtë deklaratë, Zoti Martini la të nënkuptohej se Prokuroria e Krimeve të Rënda na Durrës ka vërtetë një dosje për kryebashkiakun Dako dhe po bën hetime.

Gjithsesi deri më sot, Prokuroria e Durrësit, ashtu si dhe Prokuroria e Përgjithshme nuk kanë bërë asnjë deklaratë as për hetimet e as për transferimin e papritur të Zotit Martini.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>