Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka deklaruar në 7 korrik se në Shqipëri, transmetimi i koronavirusit ka kaluar në fazën e transmetimit komunitar, ku është shumë e vështirë të mësohet se si është infektuar një pacient.
Por në klasifikimin e OBSH-së deri në 7 korrik, kur në Shqipëri kishte 3 038 të infektuar në total, vendi ynë klasifikohet si ‘shtet me raste të grupuara në kohë dhe vend’.
Exit News sqaron më poshtë ndryshimin mes dy nivele:
Organizata Botërore e Shëndetit ka përcaktuar 4 nivele të shpërhapjes së Covid-19, nga vendet me më pak raste tek ato me më shumë:
- Shtete pa raste infeksionesh të raportuara;
- Shtete me raste sporadike infeksionesh;
- Shtete me raste infeksionesh të grupuara – në kohë dhe vend, ku mund të identifikohet burimi i infeksionit dhe të ndiqet zinxhiri i përhapjes;
- Shtete me infektime komunitare – ku është e vështirë të gjehet burimi i parë i infeksionit dhe zinxhiri i shpërhapjes së virusit. Kjo ndodh kryesisht në vende me shumë të infektuar.
Për secilin prej niveleve, OBSH ka përcaktuar dhe strategjitë e rekomanduara që mund të përdorin shtetet për të ulur numrin e të infektuarve dhe për të kaluar në nivelet më të ulta:
Në rastin e vendeve që përballen me transmetim në grupe, institucionet shëndetësore duhet të vazhdojnë të bëjnë hetimet për çdo rast, të gjurmojnë dhe testojnë kontaktet e secilit prej të infektuarve dhe të vendosin në karantinë kontaktet e të infektuarve.
Ndërsa në rastin e transmetimit komunitar, identifikimi i rasteve individuale, gjurmimi i kontaktit dhe karantinimi nuk janë më të nevojshme.
Burimet duhet të përqendrohen në monitorimin e përhapjes dhe karakteristikave të virusit, identifikimin dhe administrimin e rasteve të rënda, parandalimin e transmetimit të mëtejshëm të virusit, lehtësimin e shërbimit të kujdesit shëndetësor, informimin e publikut dhe zvogëlimin e ndikimit të përgjithshëm të virusit në shoqëri dhe në ekonomi.
Autoritetet duhet të mbikëqyrin përhapjen gjeografike, intensitetin e transmetimit, popullsinë e prekur, veçoritë virologjike dhe ndikimet në shërbimet e kujdesit shëndetësor.
Strategjitë e testimit duhet të zhvendosen drejt monitorimit të intensitetit të transmetimit.
Gjithashtu, çdo kufizim hyrje që ka për qëllim ndalimin e rasteve me COVID-19 nuk është më e nevojshme dhe duhet të tërhiqet.