Përhapja e Covid-19 në vend: ende e gjurmueshme apo jo?

Nga Exit News
Përhapja e Covid-19 në vend: ende e gjurmueshme apo jo?

Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka deklaruar në 7 korrik se në Shqipëri, transmetimi i koronavirusit ka kaluar në fazën e transmetimit komunitar, ku është shumë e vështirë të mësohet se si është infektuar një pacient.

Por në klasifikimin e OBSH-së deri në 7 korrik, kur në Shqipëri kishte 3 038 të infektuar në total, vendi ynë klasifikohet si ‘shtet me raste të grupuara në kohë dhe vend’.

Exit News sqaron më poshtë ndryshimin mes dy nivele:

Organizata Botërore e Shëndetit ka përcaktuar 4 nivele të shpërhapjes së Covid-19, nga vendet me më pak raste tek ato me më shumë:

  • Shtete pa raste infeksionesh të raportuara;
  • Shtete me raste sporadike infeksionesh;
  • Shtete me raste infeksionesh të grupuara – në kohë dhe vend, ku mund të identifikohet burimi i infeksionit dhe të ndiqet zinxhiri i përhapjes;
  • Shtete me infektime komunitare – ku është e vështirë të gjehet burimi i parë i infeksionit dhe zinxhiri i shpërhapjes së virusit. Kjo ndodh kryesisht në vende me shumë të infektuar.

Për secilin prej niveleve, OBSH ka përcaktuar dhe strategjitë e rekomanduara që mund të përdorin shtetet për të ulur numrin e të infektuarve dhe për të kaluar në nivelet më të ulta:

Në rastin e vendeve që përballen me transmetim në grupe, institucionet shëndetësore duhet të vazhdojnë të bëjnë hetimet për çdo rast, të gjurmojnë dhe testojnë kontaktet e secilit prej të infektuarve dhe të vendosin në karantinë kontaktet e të infektuarve.

Ndërsa në rastin e transmetimit komunitar, identifikimi i rasteve individuale, gjurmimi i kontaktit dhe karantinimi nuk janë më të nevojshme.

Burimet duhet të përqendrohen në monitorimin e përhapjes dhe karakteristikave të virusit, identifikimin dhe administrimin e rasteve të rënda, parandalimin e transmetimit të mëtejshëm të virusit, lehtësimin e shërbimit të kujdesit shëndetësor, informimin e publikut dhe zvogëlimin e ndikimit të përgjithshëm të virusit në shoqëri dhe në ekonomi.

Autoritetet duhet të mbikëqyrin përhapjen gjeografike, intensitetin e transmetimit, popullsinë e prekur, veçoritë virologjike dhe ndikimet në shërbimet e kujdesit shëndetësor.

Strategjitë e testimit duhet të zhvendosen drejt monitorimit të intensitetit të transmetimit.

Gjithashtu, çdo kufizim hyrje që ka për qëllim ndalimin e rasteve me COVID-19 nuk është më e nevojshme dhe duhet të tërhiqet.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>