Gjatë ditëve të fundit është diskutuar shumë për përkthimin e “gabuar” të ligjit vetingut në anglisht të dërguar në komisionin e Venecias nga Gjykata Kushtetuese.
Ekspertët e Partisë Demokratike zbuluan, më 25 nëntor, se disa terma thelbësore të ligjit janë përkthyer gabim me dashje. Deputeti Oerd Bylykbashi deklaroi sot se “deformimi u zbulua duke mbikëqyrur fletët e ligjit në faqen e Komisionit të Venecias.”
Ato i kërkuan në Gjykatës Kushtetuese të rregullojë gabimet. Varianti i përkthyer me gabime ishte përkthyer nga specialistët e misionit të BE-së Euralius në Tiranë, por asnjë institucion deri më tani nuk ka pranuar përgjegjësinë për përkthimin e gabuar.
Më 30 nëntor, Gjykata Kushtetuese i dërgoi Komisionit të Venecias një përkthim tjetër, tashmë të korigjuar, të ligjit të vetingut.
Nga ana e Delegacionit evropian në vend ende sot nuk ka një reagim publik mbi të. I vetmi reagim ishte ai i ambasadorit Donald Lu gjatë një konference mbi korrupsionin, ditën e hënë, i cili u shpreh se:
Ata (partitë politike, gjykatës dhe prokurorë) po sajojnë histori dhe kërkojnë përkthim të rishikuar në komisionin e Venecias dhe asnjë nga dallimet e përkthimit nuk ishte thelbësore.
Një fakt i çuditshëm me këtë “krim juridik gjuhësor”, i cili mund të ketë ndikuar në vonesën e zbatimit të ligjit më të rëndësishëm të reformës në drejtësi, është se asnjë dokumet nuk është bërë publik. Ato janë mbajtur të fshehura.
Përveç disa deklarimeve sporadike, ndoshta edhe qytetarët kanë të drejtë të dinë nëse ka apo jo një gabim në përkthim. Nëse ky gabim është me të vërtet thelbësor, apo është thjesht një vonesë e kotë.
Publikimi i të dyja varianteve të ligjit do të lehtësonte zbatimin e reformës. Madje edhe shumë akuza të përgjithshme dhe jo të vërtetuar ndoshta do të binin poshtë.