Përplaset Rama me Bashën: Distancim social apo testim masiv

Nga Exit News
Përplaset Rama me Bashën: Distancim social apo testim masiv

Ndeshur me krijimin e një vatre të madhe infeksioni në Shkodër, Kryeministri Rama akuzoi pushtetin lokal të Shkodrës që drejtohet nga demokratja Voltana Ademi, se nuk po bashkëpunon në zbatimin e masave për distancimin social.

Në një komunikim video përmes Facebbok, Rama u është lutur shkodranëve të respektojnë plotësisht kufizimet e vendosura nga qeveria sepse “shpërfillja e masave e ka kthyer Shkodrën në bombë me sahat”.

Në një goditje ndaj PD-së Rama u shpreh se qeveria po punon shumë për për t’i mbështetur shkodranët edhe “pse për fat të keq ende nuk e kemi pasur angazhimin dhe mirëkuptimin e plotë të pushtetit vendor”.

Rama ka theksuar se zbatimi i masave të qendrimit në shtëpi dhe kufizimit të lëvizjeve janë e vetmja strategji efikase për luftimin e përhapjes së koronavirusit.

Kjo qasje e tij ka marrë kritika ditët e fundit nga Partisa Demokratike dhe drejtuesi i saj Lulzim Basha që po theksojnë se testimet masive janë e vetmja mënyrë për të përballuar situatën, duke kritikuar qeverinë që kryen fare pak testime duke rrezikuar të sjellë pasoja të rënda.

Rama i ka quajtur kritikat e demokratëve “opozitë të një lloji skarco, atij llojit të përpara fillimit të luftës.”

Rama është shprehur se strategjia e qeverisë është e hartuar nga Instituti i Epidemiologjisë, i çertifikuar nga OBSH-ja, dhe bazohet në udhëzimet e OBSH-së dhe si të tilla nuk mund të ndryshohen sipas çdo opinion që jepet nga kushdo, veçanërisht, ka ironizuar Rama, kur “ka ndonjë ekspert që edhe për tabelën e shumëzimit ka pikëpamje të ndryshme nga shumica”.

Rama ka ftuar opozitën që të japë çdo këshillë dhe të bëjë çdo sugjerim dhe këto do të konsiderohen sikurse është i gatshëm t’i jap opozitës çdo informacion dhe sqarim që ka nevojë.

Pasdite, akuzave të Ramës ju kundërpërgjigj Kryetari i PD-së Basha i cili tha se “testimi masiv është e vetmja mënyrë për të zbuluar sa thellë është futur virusi në familjet tona. Pa testuar, pa gjurmuar, pa izoluar, pasojat do të jenë shumë të rënda”. Basha e akuzoi Ramën se “po fshihet pas një komiteti teknik, me shpresë që njerëzit mos ta shohin se sa i papërgatitur është”. Ai tha se sulmet ndaj opozitës kanë qëllim fshehjen e përgjegjësisë së qeverisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>