Nisma Thurje zhvilloi disa aktivitete elektorale të premten, dy ditë pra zgjedhjeve të përgjithshme.
Nisma prezantoi projektligjin numër 32 “Arsimi i lartë dhe shkenca”. Pikat kryesore të këtij projektligji, të renditura nga Nisma janë:
- Dekanët e fakulteteve dhe rektorët e universiteteve nuk mund të rizgjidhen më shumë se një mandat brenda të njëjtit universitet.
- Arsimi i lartë është falas për çdo student që vjen nga një familje me të ardhura nën 500 Euro në muaj.
- Qeveria vendos tarifat tavan të universiteteve të cilat përfitojnë nga fondet e buxhetit të shtetit, në mënyrë direkte apo të tërthortë (përmes financimit të projekteve kërkimore). Ato institucione të arsimit të lartë që i tejkalojnë këto tarifa përjashtohen nga përfitimi prej fondeve publike.
- Tarifat e fshehura ndalohen me ligj, dhe çdo shërbim përshihet në tarifën vjetore të studimit.
- Pesha e votës së studentëve për përzgjedhjen e drejtuesve të universitetit barazohet me votën e personelit akademik dhe jo akademik.
- Universitetet private kanë kufizime në pronësi, duke mos lejuar asnjë aksioner që të posedojë më shumë se 30% të aksioneve. Një pjesë e aksioneve janë të mbrojtura dhe mund të posedohen vetëm nga pedagogët dhe stafi administrativ i universitetit.
- Qeveria financon krijimin e parqeve shkencore dhe krijimin e një eko-sistemi për startup-et në shkencë.
- Çdo nismë ligjore e qeverisë duhet të ketë të bashkangjitur raportimin kërkimor të impaktit, të përgatitur nga ekipet akademike të një prej universiteteve vëndase.
Ata prezantuan dhe projektligjin numër 31 “Shkolla demokratike”. Ata renditës disa pika kryesore për këtë projektligj:
- Drejtorët e shkollave dhe mësuesit zgjidhen nga komunitetet shkollore.
- Drejtori i shkollës zgjidhet me shumicë të thjeshtë votash, në një votim të përgjithshëm ku marrin pjesë të gjithë mësuesit dhe prindërit. Mandati i tij është tri vite, me përjashtim të rastit kur ka vetëm një kandidat në garë, në të cilin rast mandati është vetëm gjashtë muaj.
- Mësuesit zgjidhen nga komuniteti shkollor. Këshilli i Prindërve dhe Këshilli Pedagogjik përzgjedhin tri kandidatura përmes një konkurimi të hapur. Këshilli Studentor skualifikon një prej këtyre dy kandidaturave dhe dy të tjerat i shkojnë drejtorit të shkollës, i cili emëron njërin prej tyre.
- Ministria e arsimit mbyll të gjitha shkollat që janë në zona të largëta dhe të pabanuara, dhe garanton transport falas për në shkollë për çdo fëmijë shqiptar, që jeton në zona të largëta.
Ata prezantuan gjithashtu rojektligjin numër 30 “Shërbimi shëndetësor”. Pikat kryesore të tij janë:
- Spitalet vetëadministrohen, duke i hequr pushtetin ministrisë së shëndetësisë për të tenderuar shërbime apo produkte.
- Bordi i administrimit të spitaleve përbëhet nga personeli mjekësor, personeli ndihmës, dhe shoqatat e pacientëve.
- Bordi nuk mund të jetë më i vogël se 100 anëtarë, prej të cilëve 70% janë zgjedhur nga grupet përfaqësuese dhe kanë një mandat 4 vjeçar, ndërsa 30% zgjidhen rastësisht nga të njëjtat grupe dhe kanë një mandat 6 mujor.
- Ministria publikon një listë referencë për shërbimet spitalore dhe jo spitalore për shërbimet e marra në institucionet publike.
- Karta shtetërore e shëndetit mbulon shpenzimet e kryera nga pacientët, deri në nivelin e përcaktuar nga lista referenciale e çmimeve, që është gjithmonë 100% në institucionet shëndetësore shtetërore.
- Fondet e ISKSH përdoren ekskluzivisht për të mbuluar shpenzimet shëndetësore të të siguruarve. Nëse në fund të vitit ka fonde të mbetura, atëherë tepricat mbahen në buxhetin e ISKSH, duke ulur tarifën standard të sigurimit për vitin pasues.
- I siguruari ka të drejtë ta përdorë sigurimin e tij shtetëror në çdo institucion shëndetësor.
- Nëse një spital publik pëson për dy vite rradhazi një rënie vjetore me 20% të numrit të pacientëve të trajtuar, bordi i administrimit shpërndahet automatikisht, duke mos lejuar asnjë prej anëtarëve ekzistent që të rizgjidhen.
Nisma përmbylli fushatën në Tiranë.