Nisma Thurrje zhvilloi të hënën disa aktivitete në kuadër të fushatës zgjedhore.
Nisma prezantoi projektligjin e 17 nga 33 që ata kanë përgatitur për ti dërguar në Kuvend.
Projektligji quhet ‘Siguria e pronës’.
“Shteti krijon një kompani publike të sigurimit të shtëpive dhe tokave bujqësore, e cila nuk gjeneron fitim nga sigurimi. Ky fond përdoret për të mbuluar dëmet në raste fatkeqësish natyrore”, sqaroi Nisma Thurrje.
Në prezantimin e Nismës thuhet se në raste të përmbytjeve të ndodhura nga dalja e lumit nga shtrati, dëmshpërblimi bëhet nga personat juridik apo fizik që kanë shfrytëzuar shtratin e lumit.
“Me qëllim nxitjen e prodhimit vëndas, tokat e pashfrytëzuara taksohen më shumë se tokat e punuara, të cilat përfitojnë mbështetje financiare nga shteti”, tha Nisma.
Përfaqësuesit e Nismës Endrit Shabani dhe Panajot Soko, të cilët prezantuan këtë projektligj, sqaruan se “prona e shpërndarë përmes 7501, e cila për 10 vitet e fundit vazhdon të jetë e pashfrytezuar nga përfituesit e këtij ligji, i rikthehet pronarit të mëparshëm”.
Feliks Merolli kandidati i Nismës Thurrje për qarkun e Tiranës po ashtu prezantoi projektligjin numër 17.
Të hënën Nisma shpjegoi dhe një tjetër projektligj “Demokratizimi i bujqësisë”.
“Shteti subvencionon eko-thurjet dhe i lehtëson ato nga taksat. Bashkitë ngarkohen që të krijojnë kushtet e nevojshme për ngritjen e tregjeve periodike (në ditë të caktuara të javës) ku fermerët shesin në mënyrë direkte produktet e tyre”, tha Nisma. Soko dhe Shabani sqaruan se AKU kujdeset për të promovuar produktet organike vendase.
“Tregjet tradicionale në qytet vetëadministrohen nga një eko-thurje e krijuar prej bizneseve që janë të regjistruara në treg”, thanë ata.
Kandidatja e Nismës Thurrje Rudina Hajdari ishte të hënën në Gramsh. Ajo kandidon si deputete në qarkun e Elbasanit. Hajdari zhvilloi të hënën një takim me ambasadorët e BE, Gjermanisë dhe Francës.