Kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim zhvilluan të martën disa takime elektorale në Shqipëri.
Kandidatja për deputete e LSI në Qarkun e Tiranës, Erisa Xhixho zhvilloi takime me banorë në njësinë 1 në Tiranë.
“Kush ju mashtroi, ju kthehu krahët, ju varfëroi si kurrë më parë dhe tentoi t’ju vrasë edhe shpresën, nuk ia doli dot. Shpresën për të nesërmen krejt ndryshe nga e sotmja e pashë në sytë e çdo qytetari që takova në njësinë Nr.1, në çdo biznes që kërkon siguri për investimin e bërë dhe mbështetje nga qeveria, tek të rinjtë që duan të ndërtojnë këtu të ardhmen dhe e duan sa më parë vendin në familjen evropiane”, tha Xhixho.
Petrit Vasili ishte në Vlorë, ai deklaroi se Rama do të marrë ndëshkim të pamëshirshëm nga Vlora.
“Rruga e Selenicës një masakër e vërtetë, turpi i Edi Ramës në Vlorë! Dhe ka surrat rilindja dhe Edi Rama te kërkojë vota pasi ka izoluar ne mënyrë kriminale popullin e Selenicës me një rruge ne gjendje skandaloze”, tha Vasili.
Kryetarja e LSI,Monika Kryemadhi reagoi pas akuzave të Kryeministrit Rama dhe publikoi pagën e vëllait të saj.
Nga njësia 5 ajo deklaroi: “Dëshira e qytetarëve për ndryshim është më fortë se kurrë. Entuziazmi në njësinë nr. 5 në Tiranë, tregon se kemi të bëjmë me një përmbysje të madhe që nuk e ndal dot askush”.
Endrit Braimllari dorëzoi kallëzim Penal për Sotiraq Filon, Gëzim Topçiun dhe Eduard Duron. Sipas tij ata kanë punësuar në administratë subjekte të OFL, Peleshi po përdor këto persona për interesin e tij.
“Këta drejtues institucionesh, të frymëzuar në mënyrë të paligjshme nga Niko Peleshi kanë emëruar shtetas në kundërshtim me ligjin, përdorin administratën publike në funksion të kandidatit të rilindjes në Korçë dhe të gjithë infrastrukturën e Bashkisë”, deklaroi ai për mediat.