Kandidatët e Lëvizjes Socialistët për Integrim, LSI zhvilluan të mërkurën disa takime elektorale.
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u takua me kandidatët për deputet në qarkun e Elbasanit.
“Fitorja në Elbasan ka emrin LSI. Qytetarët presin me padurim 25 Prillin për të vulosur përmbysjen e madhe”, tha ajo.
Vangjel Tavo e quajti skandaloze dhe dënoi faktin që shtetasve shqiptarë të cilët hyjnë nga Greqia u kërkohet të plotësohet një dokument mbi karantinimin. Ai e cilësoi dokumentin si të paligjshëm.
Luan Rama i kërkoi Prokurorisë të zbardhë të vërtetën dhe të zbatojë ligjin.
“Asnjë makinacion, asnjë përpjekje për të provokuar apo për të shantazhuar anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së, nuk mund t’i shpëtojë banditët e rilindjes nga humbja e 25 prillit”, tha ai.
Sipas tij manipulimi mediatik i një lajmi të shitur qëllimisht nga segmente kriminale brenda strukturave të Policisë së Shtetit në Vlorë për shitje e blerje votuesish në emër të LSI-së nga ana e qytetarit Abdulgafur Balikçi, është vetëm përpjekja e radhës që synon të trembë e frikësojë votuesit.
“Abdulgafur Balikçi apo Gafuri siç e njohin në Vlorë është shtetas shqiptar, është qytetar shqiptar me origjinë turke që jeton dhe punon ndershmërisht me profesionin e tij si mjek stomatolog, i angazhuar me shumë pasion në radhët e LSI-së pasi braktisi sektin e rilindjes, e mu për këtë arsye është vënë në qendër të këtij skenari përbaltjeje dhe manipulimi”, tha Rama.
Blenard Nonaj tha se ministri Klosi, i cili do të mbahet mend gjatë si “ministri i furgonave të miellit dhe makaronave, kishte nxituar të mburrej në media, se TAP ka konfirmuar ndërtimin e rrugës Qafë e Martes-Backë, e cila do të lidh Skraparin me Korçën”.