Kandidatët e Partisë Demokratike zhvilluan takime elektorale në disa qytete të vendit të premten.
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike në Shkodër, Helidon Bushati zhvilloi një takim me pensionistët në lagjen “Perash”.
Ai foli rreth shqetësimeve që ata kanë.
Sipas PD, pensionet e vogla dhe harresa që ka bërë qeveria e 8 viteve për qytetin e Shkodrës dhe shkodranët, ishin shqetësimet kryesore ndërsa shumë prej tyre thanë se jetojnë me të ardhurat e fëmijëve pasi pensioni nuk iu del as për bukë jo për të mbyllur faturat e muajit apo për të blerë ilaçe.
Partia Demokratike deklaroi të premten përmes zëdhënëses Floriana Garo se “Rama nuk ka bërë asgjë për turizmin”.
Ajo tha se Shqipëria është shumë pas vendeve të rajonit.
Kreu i partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi takim me banorët e Ndroqit. Belind Këlliçi denoncoi se të dëmtuarve nga tërmeti u është hequr ndihma ekonomike.
“Durim deri më 25 prill kur shqiptarët të zgjedhin një qeveri normale”, tha ai.
“Rinia është fuqia që rrëzon sistemet, është uragani që do të ndëshkojë keqqeverisjen e Edi Ramës”, tha Xhelal Mziu në takim me të rinjtë në Dibër.
Tritan Shehu depozitoi kallzim penal në ngarkim të shtatë kryetarë të bashkive në Qarkun Gjirokastër.
“Kanë shkelur ligjin për mos vënien në dispozicion të hapësirave publike subjekteve politike për reklamimin e posterave elektoralë brenda afatit që përcakton ligji’, tha ai.
Gent Strazimiri ishte me banorët e “Njësisë 7”. Ai tha se ata refuzojnë politikën e asfaltit elektoral. “Erion Veliaj dhe Etilda Gjoni në SPAK për krim elektoral. Në 25 Prill, votojmë ndryshimin”, tha ai.
Bujar Leskaj zhvilloi një takim me komunitetin Çam në Vlorë .
Jorida Tabaku deklaroi gjatë një takimi se Erion Veliaj duhet të shkojë në SPAK për gjykim.
“Punime pa tender në periudhë zgjedhore për të mashtruar qytetarët, krim elektoral”, tha ajo.
Basha firmoi një marrëveshje me Shoqatën e Bashkuar të Fasonëve.