Kandidatët e Partisë Socialiste zhvilluan të hënën takime elektorale në disa qytete te vendit.
Ata folën për arsyet pse PS kërkon një mandat të tret si dhe kritikuan opozitën.
Kryeministri Edi Rama ishte të hënën në Gramsh, Cërrik dhe në Elbasan. Ai zhvilloi takime elektorale me banorët në këto qytete. Rama përsëriti deklaratën se mandatin e tret e do për punët e Shqipërisë dhe jo për pushtet.
Gjatë fjalës së tij në këto takime, Rama sulmoi dhe opozitën. Ai tha se Shqipëria i ka provuar dy herë dhe “kanë qenë katastrofë”.
Në një takim elektoral me gratë në Elbasan, së bashku me Ramën ishte dhe ministrja e Arsimit dhe kandidate e PS për deputete Evis Kushi. Ajo tha se PS do të mbështesë gratë dhe vajzat.
Kandidatët e Partisë Socialiste të Durrësit Milva Ekonomi, Ana Dhamo, Arkend Balla dhe kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako zhvilluan një takim me banorët e njësisë administrative të Katundit të Ri.
Ekonimi tha se në Durrës “janë bërë dhe do të vazhdojnë të bëhen shumë investime të rëndësishme”.
Kryebashkiakja Emiriana Sako deklaroi se “procesi i rindërtimit po vijon mjaft mire në sajë të mbështetjes maksimale nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama, ndërkohë që shumë investime janë bërë në Durrës dhe shumë të tjera do të bëhen mandatin e tretë”.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte në Rrogozhinë. Ai tha se PS është e vetmja parti që mban premtime dhe sulmoi opozitën.
Drejtuesi politik i PS-së për Tiranën u shpreh se vendi ka nevojë t’i rikthehet normalitetit, pas vështirësive që kaloi si me tërmetin ashtu edhe me pandeminë. Ai ishte gjithashtu në Vorë. Deputeti i PS Ilir Beqaj tha të hënën se “Qylymi shqiptar” në Shirokë në Shkodër është nominuar për një çmim prestigjioz të arkitekturës botërore.
Kandidati i PS për deputet në Korçë Niko Peleshi tha të hënën gjatë një takimi elektoral se “gratë dhe vajzat janë një vlerë e shtuar dhe sjellin kontribute qytetare në një parti, prandaj ne kemi zgjedhur rrugën e politikës për qytetarët”.
Peleshi ishte në një takim të organizuar me gra dhe vajza korçare zhvilluar në zonën sportive të qytetit.
Drejtuesi Politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me gra e vajza ish anëtare të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Gjiknuri tha se e vlerëson kontributin e këtyre grave gjatë 4-vjeçarit të kaluar.
Ai tha se bashkimi me Partinë Socialiste do të bëjë këtë forcë edhe më të suksesshme për të arritur fitoren masive më 25 Prill.