Reshja të dendura shiu dhe përmbytje masive kanë goditur provincën Henan të Kinës, duke nxjerrë lumenjtë nga shtrati, shkatërruar diga dhe paralizuar sistemin e transportit publik ndërsa qindra mijëra njerëz janë evakuuar.
Të paktën 25 njerëz janë vrarë dhe shtatë janë zhdukur në kryeqytetin e provincës, Zhengzhou. Autoritetet lokale njoftuan se shiu i një viti – 640 mm – ra në vetëm tre ditë, raporton The Guardian.
Rreth 200,000 njerëz janë zhvendosur në qendra strehimi, njoftoi media shtetërore Xinhua të mërkurën. Reshjet e shiut përmbytën sistemin e metrosë së qytetit, shembën rrugët dhe nxitën pezullimin e fluturimeve brenda provincës.
Zyrtarët thanë se 1.2 milion njerëz ishin prekur nga përmbytjet.
Mediat kineze shkruajnë se këto reshje nuk janë parë “në 1000 vitet e fundit” në Kinë. Disa shqetësohen se duke pasur parasysh shkallën e dëmit, rindërtimi pas katastrofës do të jetë veçanërisht sfidues për një nga provincat më të populluara në Kinë.
Greenpeace tha se rreziku i motit ekstrem është më i lartë në Kinë në qendrat e qyteteve të populluara, por që po rritet gjithashtu me shpejtësi në periferi të qyteteve të mëdha për shkak të urbanizimit të shpejtë.
Liu Junyan, nga Greenpeace International, i tha për mediat kineze se ky rrezik është shtuar pasi qytetet e mëdha të Kinës janë burime të konsiderueshme të emetimeve të gazrave serë në botë.