Partia Demokratike i ka bërë të premten thirrje qeverisë që të veprojë me urgjencë për situatën e krijuar në Lezhë nga përmbytjet.
Përfaqësuesja e PD-së Lindita Metaliaj postoi në Facebook pamje na përmbytjet dhe shkruan se Lezha e braktisur nga pushteti qendror dhe vendor.
Sipas saj mijëra hektarë tokë janë përmbytur dhe qytetarët po apelojnë për ndihmë.
Metaliaj deklaroi:
“Askush nuk mban përgjegëesi për këtë katastrofë ndërkohe që reshjet e shumta ishin paralajmëruar nga institucionet përkatesë dhe po vazhdojnë intensive.
Kërkohet vëmendje dhe masa të menjëhershme sa nuk është vonë, pasi situata është emergjente dhe rreziku tejet i lartë.”
Ajo ka bërë një bilanc të dëmeve të deritanishme që ka sjellë përmbytja në këtë qytet.
Ndërkohë të premten reagoi edhe kryetari i bashkisë Lezhë Pjerin Ndreu, i cili tha se situata në qytet është mjaft e rënduar dhe e rrezikshme për shkak të shirave.
Ndreu shtoi se po pret ekipin e emergjencave nga Tirana për të vlerësuar gjendjen. Ai shtoi se po vëzhgohet me kujdes rezervuari i Kallmenit, i cili do të sillte katastrofë nëse dëmtohet.