Të gjitha faktet e përplasjes së banorëve me policinë te Petro Nini

Të gjitha faktet e përplasjes së banorëve me policinë te Petro Nini

Dje, dy familje, banorë në një ndërtesë përballë Shkollë së Mesme Petro Nini, u përballën me përmbaruesit gjyqësorë, që kërkonin lirimin e banesës prej tyre në zbatim të një vendimi gjyqësor. Përmbaruesit privatë kishin kërkuar ndihmën dhe u ndihmuan në këtë përpjekje nga oficerët e policisë së Tiranës. Banorët kundërshtuan lirimin e banesave dhe rezistuan fizikisht ndaj përpjekjeve të policisë dhe përmbaruesve për nxjerrjen e tyre me dhunë nga banesa.

Ka patur shumë paqartësi, keqinformim dhe pohime kontradiktore në lidhje me faktet e ngjarjes, ndaj Exit.al hulumtoi çështjen dhe po sjell më poshtë të gjitha faktet e rëndësishme, pa asnjë koment.

Trualli prej 1435 metra katrorë në Rrugën Sami Frashëri ka qënë në vitet 1930-të në pronësi të kolonelit të ushtrisë mbretërore Ali Riza Barutit (Kosovës), me prejardhje nga Shkodra, i cili ishte bërë pronar i këtij trualli toke, atëherë në periferi të qytetit të Tiranës, gjatë mbretërimit të Zogut.

Në vitin 1939, pas pushtimit fashist, toka u sekuestrua për arsye të paqarta. Në vitin 1945, toka e zotit Baruti u shtetëzua nga regjimi komunist si pjesë e sekuestrimit të pasurive të bashkëpunëtorëve dhe funksionarëve zogistë.

Në vitin 1954, mbi truallin tashmë shtetëror, autoritetet ndërtuan një banesë njëkatëshe publike, e cila iu dha me qira për banim dy familjeve, Dervishi dhe Llapaj, të cilat jetuan aty gjatë gjithë kohës së regjimit komunist.

Pas rënies së regjimit, në vitin 1992, familjet Dervishi dhe Llapaj e privatizuan këtë ndërtesë publike, duke u bërë pronarë sipas ligjit “Për Privatizimin e Banesave Shtetërore”, i cili u dha mundësinë të gjithë qytetarëve të blejnë nga shteti, për çmime shumë të ulta, banesat që kishin me qira prej tij. Sidoqoftë, familjet nuk u bënë pronare të truallit, por vetëm të ndërtesës.

Në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompesimit të Pronave (KKKP)  Tiranë vendosi që trualli t’i kthehet trashëgimtares ligjore të zotit Baruti, vajzës së tij Olimbi Gavoçi.

Vendimi i KKKP, në mënyrë të pazakontë, nuk i dha zgjidhje gjendjes problematike të pronësisë të krijuar nga vendimi, duke qenë se u legjitimuan pronarë të ndryshëm të truallit nga ata të ndërtesës mbi truall. Si duket për të lehtësuar këtë konflikt pronësie, KKKP u njohu pronarëve të truallit të drejtën për të ndërtuar në katin e dytë të banesës njëkatëshe, duke ia hequr këtë të drejtë pronarëve të ndërtesës.

Por familjet Dervishi dhe Llapaj, në kundërshtim me këtë vendim të KKKP-së dhe në shkelje të së drejtës së pronarëve të truallit, ndërtuan një kat shtesë pa leje, menjëherë pasi trualli iu kthye pronarëve.

Të ndeshur me ketë zhvillim, trashëgimtarja e truallit, Olimbi Gavoçi, paditi pronarët e ndërtesës në gjykatë në vitin 1997, duke kërkuar lirimin e truallit dhe shpërblim për përdorimin e tokës nga viti 1995 e deri në atë kohë.

Gjykata e shkallës së parë Tiranë vendosi në favor të zonjës Gavoçi, duke i kërkuar familjeve të largohen nga banesa dhe të paguajnë edhe shpërblimin ndaj saj për mbajtjen e truallit. Ky vendim u apelua nga pronarët e ndërtesës, por edhe Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë në favor të pronarëve të truallit.

Familjet Dervishi dhe Llapaj e apeluan çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila në vitin 2011 e rrëzoi kërkesën e tyre si të pambështetur në prova dhe fakte. Mbas përfundimit të gjykimit në të tre shkallët e gjyqësorit, dy familjet iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me arsyetimin e mospasjes së një procesi të rregullt nga ana e Gjykatës së Lartë, por edhe Gjykata Kushtetuese e rrëzoi kërkesën e tyre, duke i dhënë kështu të drejtë pronarëve të truallit.

Ndërkohë, ndërsa çështja ishte në shqyrtim gjyqësor, familjet pronare të ndërtesës aplikuan, diku në periudhën 2007-2008, për legalizimin e katit të dytë të ndërtesës, të ndërtuar pa leje, duke përfituar nga ligji i legalizimit i hartuar dhe miratuar nga qeveria e atëhershme në vitin 2006. Në vitin 2009, shtesa e katit legalizohet dhe familjet bëhen kështu pronare të ligjshme të gjithë ndërtesës, tashmë dykatëshe.

Në vitin 2013, familjet Llapaj dhe Dervishi iu drejtuan sërish gjykatës së shkallës së parë në Tiranë për të kërkuar rishikim të vendimit të mëparshëm, me arsyetimin se nuk ishin në dijeni të faktit se me një vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2009 atyre iu ishte legalizuar kati shtesë informal.

Gjykata e Tiranës e rrëzoi kërkesën me arsyetimin se kjo VKM nuk është fakt i ri në kuptimin e Kodit të Procedurave Civile, pasi ai është e publikuar në Fletoren Zyrtare dhe familjet duhet ta kishin ditur ekzsitencën e saj. Familjet ankimuan në Gjykatën e Apelit Tiranë vendimin e shkallës së parë, por edhe ajo e rrëzoi kërkesën e tyre si të pabazuar në ligj me të njëjtin arsyetim si Gjykata e Tiranës.

Vendim i Gjykatës së Apelit për shqyrtimin çështjes së pronësisë në themel është vendim i formës së prerë dhe është i ekzekutueshëm. Pikërisht, për ekzekutimin e tij, përmbaruesit privatë, të mbështetur nga policia e Tiranës, synuan nxjerrjen me forcë të familjeve Llapaj dhe Dervishi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>