Ka disa ditë që Kuvendi ka hyrë në një ngërç të ri në lidhje me mënyrën si do të miratohet reforma në drejtësi. PS e PD kanë fillaur sërish akuzat ndaj njëra-tjetrës pa dhënë shpjegime apo arsyetime të qarta për pozicionet e tyre.
Më poshtë, Exit mundohet të shpjegojë rrethanat dhe arsyet e këtij debati të ri politik.
Shqyrtimi i propozimeve për ndryshimin e Kushtetutës bëhet më një procedurë të veçantë parlamentare, e cila është e përcaktuar në dy nenet të posaçme, 77a dhe 77b, të Rregullores së Kuvendit—ligji themelor i cili përcakton procedurat dhe rregullat e organizimit, veprimtarisë dhe miratimit të ligjeve nga Kuvendi.
Sipas Rregullores, shqyrtimi dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese në Kuvend duhet të ndjekë fazat dhe hapat e mëposhtëm:
a) Njohja e Kuvendit me propozimin për ndryshimin e Kushtetutës
- Procedurat për ndryshimin e Kushtetutës mund të fillojë vetëm me kërkesë të së paktës një të pestës së anëtarëve të Kuvendit—minimumi 28 deputetevë.
- Mbasi ka marrë një kërkesë të tillë, shoqëruar me projektligjin e amendamenteve të propozuara, Kryetari i Kuvendit njofton Kuvendin në seancë plenare për kërkesën dhe u shpërndan të gjithë deputetëve tekstin e projektligjit.
- Menjëherë pas këtij njoftimi, projektligji për ndryshimet kushtetuese futet në rendin e ditës së punimeve të Kuvendit.
b) Shqyrtimi në komisione
- Jo më shpejt se dy javë nga data e njoftimit në seancë plenare, projektligji duhet të fillojë të shqyrtohet nga një mbledhje e përbashkët e dy strukturave të Kuvendit, Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike e të Drejtat e Njeriut dhe Këshillit për Legjislacionin.
Mbledhja e përbashkët e dy strukturave drejtohet gjatë gjitheë shqyrtimit nga Kryetari i Kuvendit.
- Në takimin e parë të mblehdjes së përbashkët caktohen: dy relatorë që do t’i referojnë seancës plenare të Kuvendit; një listë me ekspertë kushtetues të cilët do të thirren për t’u dëgjuar në lidhje me ndryshimet e propozuara; si dhe mënyra si projektligji do t’u bëhet i njohur zgjedhësve, pra publikut.
- Të gjitha mbledhjet e përbashkëta të bëhen të hapura për median edhe për publikun
- Mbas përfundimit të shqyrtimit nga mbledhja e përbashkët e Komisionit të Ligjeve dhe Keëshillit për Legjislacionin, hartohet një raport mbi projektligjin, i cili i paraqitet seancës plenare të Kuvendit nga dy relatorët. Raporti duhet të përmbajë jo vetëm mendimin e shumicës, por edhe mendimin e pakicës (kur mbledhja e përbashëkt nuk ka arritur një konsensus të të gjithë deputetëve anëtarë).
c) Shqyrtimi dhe miratimi në seancë plenare
- Seanca plenare për shqyrtimin e projektligjit duhet të thirret jo më parë se dy javë dhe jo më vonë se tre javë nga paraqitja e raportit nga mbledhja e përbashkët e komisioneve parlamentare të përshkruara më sipër.
- Shyqrtimi në seancën plenare ndjek këtë rradhë veprimesh: diskutim dhe votim në parim i gjithë projektligjit; shqyrtim dhe votim nen për nen i projektligjit; votim në tërësi i projektligjit.
- Votimi për projektligjin bëhet i hapur, pra çdo deputet deklaron haptasi votën e tij.
- Miratimi i projektligjit bëhet me dy të tretat e votave të anëtareve të Kuvendit, pra me të paktën 94 vota pro.
- I gjithë shqyrtimi dhe votimi në seancë plenare është i hapur për median dhe publikun dhe duhet të trasnmetohet drejtpërsëdrejti nga Televizioni Shqiptar.
Sikurse është e qartë më sipër, shqyrtimi dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese kërkon detyrimisht të paktën 4 javë kohë —me shumë gjasa, më edhe disa javë më shumë. Është proces i cili është përcaktuar qëllimisht të jetë i gjatë, duke qenë se ndryshimi i Kushtetutës është ndoshta akti më i rëndësishëm dhe më me pasoja që mund të marrë Kuvendi dhe, si i tillë, ai duhet të bëhet duke lejuar kohë të mjaftueshme për shqyrtim, studim e reflektim serioz.
Në bazë të kësaj procedure të detyrueshme ligjore, reforma në drejtësi, e cila përfshin ndryshime kushtetuese, ka pak gjasa të miratohet brenda sesionit të tanishëm të Kuvendit, i cili përfundon brenda korrikut, pra brenda 4-5 javësh.
Ky lloj kombinimi i kohëzgjatjes së procedurave dhe përfundimit të sesi0nit parlamentar për pushimet e verës favorizon strategjinë aktuale të PD-së që synon të fitojë kohë dhe minon atë të Kryeminsitrit Rama i cili nuk ka interes t’i japë kohë PD-së sic shpjegohet më poshtë.
Pas dështimit të takimit të tij me kryetarin e PD-së Lulzim Basha, Kryeministri Rama vendosi futjen e menjëhershme të reformës për miratim në Kuvend, duke mos lënë më hapësirë për kompromis me opozitën.
Duke qenë se koalicioni i shumicës nuk i ka votat e mjaftueshme për miratimin e ndryshimeve kushtetuese që kërkohen nga reforma—dy të tretat e gjithë deputetëve, pra 94 vota—vendimi i tij qe vendim strategjik, për të arritur:
- ta vërë opozitën përballë gjithë presionit ndërkombëtar dhe të opinionit publik për ta miratuar reformën siç është ose, në rastin, më të keq për të “bindur” të paktën 6-7 deputetë të opozitës t’i bashkohen shumicës për të bërë 94 votat e nevojshme për miratim.
- në pamundësi të arritjes së miratimit, t’ia faturojë dështimin opozitës, çka do të fuqizojë imazhin politik të Kryeministrit Rama dhe, njëkohësisht, do të dëmtojë rëndë marrëdhëniet e PD-së me jashtë, në mënyrë të veçantë me qeverinë amerikane dhe ambasadorin amerikan, i cili është investuar personalisht për miratimin e reformës.
Është strategji “fitore-fitore” sido që të jetë rezultati: ose do të miratohet reforma siç e kërkon Kryeministri, ose opozita do të demtohet rëndë politikisht opozitën e Kryeminsitri do të fitojë pikë politike.
Për këto arsye dhe interesa të kundërta, beteja për reformën në drejtësi tashmë ështe shndërruar në betejë për procedurë parlamentare.
Ligji duket se favorizon PD-në, por Kryeministri Rama ka gjetur një arsyetim ekstraligjor për ta shkurtuar procedurën parlamentare. Sikurse u bë publike nga Kryetari i Komisionit të Ligjeve, njëkohësisht Kryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, PS pretendon se, përderisa projektligji është hartuar nga një komision i posaçëm parlamentar, atëhere procedura e mbledhjes së përbashkët të Komisionit të Ligjeve dhe të Këshillit për Legjislacionin (përshkruar më sipër) nuk ka nevojë të bëhet dhe reforma duhet të kalojë direkt për shqyrtim e miratim në seancë plenare.
Partia Socialiste nuk jep ndonjë argument apo referencë ligjore se ku e mbështet këtë pretendim për të anashkaluar një nga ligjet më të rëndësishme në vend, ndoshta më të rëndësishmin pas Kushtetutës, Rregulloren e Kuvendit. Rregullorja duket se nuk lejon asnjë hapësirë për interpretim.
Me gjasa, Kryeministri do të këmbëngulë për interpretimin sipas interesit apo anashkalimin e kërkesave të Rregullores së Kuvendit. Por kjo këmbëngulje do të vërë në pozitë të vështirë BE-në: Në periudhën 2012-13, miratimi i kësaj Rregullore të Kuvendit ishte një nga tre ligjet, miratimi i të cilëve ishte kusht i pangociueshëm nga BE-ja për dhënien e statusit të vendit kandidat.
Komisioni Europian u tregua i ashpër me Zotin Rama, në atë kohë kryetar i opozitës, i cili refuzoi për gati një vit ta miratonte Rregulloren e Kuvendit (miratimi kërkonte dy të tretat e Kuvendit, pra edhe votat e opozitës).
Për këtë arsye, do të ishte absurde të besohet se BE do t’i lejojë Zotit Rama të shkelë një ligj që ajo e konsideronte aq të rëndësishëm sa e vuri kusht themelor për statusin e vendit kandidat.