Përplasja në Këshillin Politik për KQZ-në: Çfarë formule propozon opozita?

Nga Exit News
Përplasja në Këshillin Politik për KQZ-në: Çfarë formule propozon opozita?

Shumica dhe opozita janë përplasur ditët e fundit për formulën se si do të përzgjidhen anëtërët e 3 trupave të ri të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

11 ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes për Reformën Zgjedhore, në 16 qershor, opozita ka propozuar detajimin e mënyrës së përzgjedhjes së anëtarëve. Por shumica socialiste e ka kundërshtuar atë.

Nga komunikimi publik i deritanishëm është ende e paqartë formula e detajuar që propozon shumica socialiste për përzgjedhjen e anëtarëve të organve të reja të KQZ-së.

Përfaqësuesi i PS-së Damian Gjiknuri ka thënë se formula e opozitës politizon KQZ-në:

“Nëse PD kërkon KQZ me mandate politike, atëherë le të mbajmë KQZ ashtu si është.”

Exit News sqaron më poshtë se çfarë është rënë dakord në marrëveshjen e 5 qershorit për përbërjen e KQZ-së dhe çfarë formule propozon opozita.

Sipas marrëveshjes së 5 qershorit, KQZ do të përbëhej nga tre trupa të shkëputura dhe të pavarura nga njëra tjetra, secila përgjegjëse për një aspect. Tre trupat do të jenë:

  • Trupa rregullatore, e përbërë nga 5 anëtarë, do të jetë përgjegjëse për nxjerrjen e vendimeve, rregulloreve dhe procedurave për administrimin e procesit zgjedhor në zbatim të Kodit Zgjedhore dhe ligjeve të tjerë;
  • Trupa ankimore, e përbërë nga 5 anëtarë, do të jetë përgjegjëse për shpalljen e rezultateve zgjedhore, përfshi shqyrtimin e ankesave kundër vendimeve të komisioneve zgjedhore vendore dhe komisioneve të qendrave të votimit.
  • Komisioneri Shtetëror,  i ndihmuar nga një zëvendës, do të jetë organi ekzekutiv për organizimin tekniko-administrativ të procesit të votimit, përmes administratës së KQZ-së.

Anëtarët e të tre këtyre organeve duhet të marrin 3/5 e votave në Kuvend. Nëse kandidatët nuk arrijnë këtë shumicë do të zgjidhen me short.

Formula e re e opozitës

Në 16 qershor, Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste kanë propozuar detajimin e mënyrës së përzgjedhjes së anëtarëve.

Opozita propozon qe të jetë Avokati i Popullit, ngjashëm si me përzgjedhjen e anëtarëve të KPK-së dhe KPA-së për Reformën në Drejtësi.

Sipas Oerd Bylykbashit, kjo është ‘një formulë që garanton një shqyrtim të pavarur dhe jo politik të kandidaturave për të ushtruar detyrën në KQZ.’

Kështu Avokati i Popullit shpall, mbledh dhe vlerëson kandidaturat për të tre shkallët e KQZ-së në dy lista: një listë me kandidatët që plotësojnë kushtet për të qënë anëtar i KQZ-së dhe një listë me kandidatët që nuk i plotësojnë këto kushte.

Më pas, Avokati i Popullit nge një komision AdHoc me 3 përfaqësues nga mazhoranca dhe 2 nga opozita, që do të shqyrtojë të dyja listat dhe zgjedhin anëtarët e rinj të KQZ-së.

Në propozimin e opozitës theksohet se:

“Komisionin Ad Hoc i Përzgjedhjes, përbëhet nga:

a) 3 përfaqësues të partive të shumicës parlamentare sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse;

b) 2 përfaqësues të partive të pakicës parlamentare sipas rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme pararendëse.”

Në përfundim të gjithë procesit, lista me anëtarët e përzgjedhur nga Komisioni Ad Hoc i kalon Kuvendit për votim në Komisionin e Ligjeve dhe më pas në seancën plenare.

Ky propozim i opozitës është kundërshtuar nga shumica socialiste.

Në 17 qershor, Gjiknuri deklaroi se shumica socialiste nuk do të diskutojë më çështjen e KQZ-së në Këshillin Politik nëse opozita nuk sjell një propozim të ri.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>