Përqafimi pa kushte i BE-së nuk nxit përparimin real në Ballkan

Nga Srdjan Cvijic dhe Stevo Muk
Përqafimi pa kushte i BE-së nuk nxit përparimin real në Ballkan

Kur eurokomisioneri Johannes Hahn njoftoi të martën se vendet e Ballkanit Perëndimor po bënin “përparim të mirë” drejt anëtarësimit në BE, mund të të lindnin dyshime nëse Hahn po fliste për të njëjtin rajon ku ne kemi lindur e jemi rritur.

Duke prezantuar paketën e zgjerimit 2018 të BE-së dhe gjashtë raportet për vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioneri njoftoi procesin e zgjerimit të bllokut për të “modernizuar ekonomitë dhe shoqëritë të rajonit, duke e bërë gradualisht atë një vend më të begatë dhe më të qëndrueshëm”.

Komisioneri dhe kolegët e tij duhet të ndalen e të mendohen se si përqafimi i tyre i gjatë dhe i dashur i Ballkanit po i mbyt shpresat tona të anëtarësimit në BE.

Pavarësisht nxitjes me karrota që BE po i bën vendeve të Ballkanit, ngurrimi për t’i vënë disa shkopinj, po krijon pritshmëri jorealiste. Nëse Komisioni Evropian vazhdon vetëm të lëvdojë dhe bëjë premtime, mund të ketë një reagim të ashpër të qeverive evropiane që nuk do të duan të marrin brenda BE-së korrupsionin dhe krimin e organizuar ballkanik.

Mali i Zi, i gatshëm të jetë anëtari i radhës i BE, është një shembull i shkëlqyer se si politika e zgjerimit po dështon. Të dielën, Milo Gjukanoviç fitoi zgjedhjet presidenciale. Kjo është hera e shtatë që Gjukanoviç fiton zgjedhjet për t’u bërë president i vendit më të vogël të Ballkanit.

Gjatë gjithë sundimit të Gjukanoviç, më shumë se 25 vjeçar, Brukseli e ka mbështetur në mënyrë të pakushtëzuar duke forcuar qeverinë e tij pro-perëndimore në një përpjekje për ta mbajtur Rusinë larg. Dhuna ndaj gazetarëve, korrupsioni i shfrenuar dhe një varg vrasjesh nga bandat kriminale janë neglizhuar.

Në raportin e Komisionit për Malin e Zi, për shembull, krimi i organizuar u trajtua kështu: “ka një regjistër fillestar të ndjekjeve penale në luftën kundër kontrabandimit të emigrantëve dhe kundër trafikut të drogës. Megjithatë, rezultate të mëtejshme janë të nevojshme për të prodhuar një rekord bindës, veçanërisht në luftën kundër pastrimit të parave dhe trafikimit të qenieve njerëzore “.

Duket se autorët e raportit nuk e kanë vënë re luftën mes bandave në gjithë vendin. Ata nuk flasin për bandat që përplasen për kontrollin e rrjetit të kokainës. Sipas Rrjetit të Raportimit të Krimit dhe Korrupsionit, 28 nga 35 vrasje mes bandave që nga viti 2012 mbeten ende të pazgjidhura.

Në një sondazh të kryer në nëntor, 56 për qind e malazezëve thanë se nuk besonin se Prokurori Special i Shtetit kishte kontribuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. I njëjti sondazh zbuloi se qytetarët nuk besonin se agjencitë qeveritare kundër korrupsionit kanë pasur rezultate dhe ndikim në luftën kundër korrupsionit.

Vërtetë falënderimet dhe mbështetja e BE-së e kanë ndihmuar Gjukanoviç; fati i tij ka lulëzuar, ndërsa fati i vendit ka mbetur prapa.

Mali i Zi hapi procesin e negocimit me BE-në përpara gjashtë vitesh, duke filluar të reformojë ligjet dhe rregulloret në përputhje me standardet e BE. Megjithatë ende sot, këto ligje e rregullore kanë mbetur vetëm në letër, të pazbatuara. Kjo sepse fuqia politike e Gjukanoviç varet nga kontrolli i burimeve njerëzore dhe parave që rrjedhin prej tyre.

Në teori, të gjithë këto elementë duhet të adresohen gjatë procesit të negocimit, por shumë shpesh Brukseli i ka pranuar statistikat dhe deklaratat nga liderët e Ballkanit, pa i vënë aspak në dyshim.

Ky është gabim i madh. Për sa kohë që Brukseli do të jetë i verbër përballë realitetit, qeveritë e Ballkanit nuk kanë nxitje për të bërë përparim kuptimplotë në kriteret e anëtarësimit.


Ky artikull u përkthye dhe përshtat nga Exit.al.

Autorët e tij janë Srdjan Cvijic, analist i lartë i politikës në Institutin e Politikave Evropiane të Shoqërisë së Hapur në Bruksel dhe Stevo Muk, president i bordit drejtues të Institut Alternativ, një organizatë joqeveritare malazeze.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>