Nuk e di nga t’ia nis.
Tani qenkërkam edhe unë agjent rus?!
Unë kam respekt për Donald J. Trump, kështu që jam në shoqëri të mirë si agjent.
Ku ta filloj? Së pari, me faktet.
E themelova Tsarizm.com, në vitin 2015, sepse mendova se kishte shumë pak njohuri në Perëndim mbi atë çfarë po ndodhte në Evropën Lindore dhe në ish-republikat e Bashkimit Sovjetik. Emrin e zgjodha sepse mendova se kjo fjalë përshkruante të gjithë rajonin, që një herë e një kohë kontrollohej nga carët, dhe tani mund të përshkruajë edhe pjesë të tjera të botës, përfshi edhe pjesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Tsarizm.com është vetëm njëra nga faqet, mes shumë të tjerave, që ne kontrollojmë.
Unë nuk kam lidhje me qeverinë ruse. Nuk kam marrë para nga qeveria ruse apo nga askush i lidhur me të. Nga Rusia më kanë ftuar shpesh të marr pjesë në konferenca, ftesa të cilat unë i kam refuzuar të gjitha. Në fakt, nuk kam takuar asnjëherë ndonjë zyrtar rus. Nëse vizitorët shpenzojnë pak kohë për të lexuar faqen tonë, mund ta kuptojnë lehtë se ne e mbulojmë në mënyrë shumë kritike Kremlinin.
Unë kam shërbyer në forcat e armatosura të vendit tim dhe jam patriot. Unë mbroj Amerikën dhe vlerat amerikane. Ne në Amerikë kemi vlera të tjera, standarde të tjera, përfshirë lirinë e shtypit.
Kompania ime është kompani amerikane, me pronësi dhe me menaxhim nga amerikanë. Përpjekja jonë është rritur në një media online globale, e cila në të ardhmen synon të konkurrojë me shërbimet kryesore të lajmeve. Media mëmë është CD Media, CreativeDestructionMedia.com, e cila ka bashkëpunuar me Exit.al në Shqipëri për të raportuar mbi Ballkanin, duke qenë se mendojmë se ky rajon është një fuçi baruti dhe shumë i rëndësishme për paqen në botë.
Sot më telefonuan dhe më informuan se një nga kontribuesit tanë në Shqipëri, Alice Elizabeth Taylor, ka bërë një koment për televizionin rus RT International për të sqaruar situatën në Shqipëri. Alice nuk paguhet nga ne, por herë pas here ne ribotojmë artikuj të saj, që i marrim nga Exit.al. (Nëse nuk e keni vëne re, në Shqipëri ka një krizë qeverisjeje, për shkak të publikimit të disa përgjimeve mbi vjedhjen e votave në zgjedhjet parlamentare 2017.)
Dhe çfarë pastaj? Kjo gjë e kthen atë, apo mua, në agjent rus? Mua më kërkojnë të jap intervista nga media në të gjitha anët e botës, një pjesë të madhe të të cilave unë i kam pranuar, përfshirë media nga Turqia, Afrika e Jugut, Izraeli e të tjera, e të tjera.
Nuk e kam takuar asnjëherë Alice-n, por shkrimet e saj më duken të sinqerta, emocionale dhe të kujdesshme. Ne e vlerësojmë që na është dhënë mundësia për të ribotuar punën e saj, dhe tani me siguri do të duhet ta paguajmë! Mund të them se Alice është një njeri i mirë, e cila ka për zemër Shqipërinë dhe personat që ka takuar në Shqipëri.
Mirëpo tani qeveria po kërkon ta shkatërojë atë. Një grua shtatëzanë? Sa të guximshëm! Këta me siguri janë ata luftëtarët e famshëm shqiptarë për të cilët kam dëgjuar.
Duket se media të lidhura me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama—javanews.al dhe alpenews.al, të cilat përdoren prej tij për të sulmuar kritikët, pa asnjë provë dhe me standarte shumë të ulta—kanë deklaruar se Tsarizm është një faqe propagande proruse dhe e lidhur me lobistë rusë.
Bëni kujdes, ne po marrim një avokat.
Një operacion propagandistik pa asnjë bazë dhe një shpifje e urdhëruar nga qeveria shqiptare, e cila ndërmerr të njëjtat taktika kundër çdo kritiku të regjimit, përfshirë politikanët e rëndësishëm evropianë si Gunther Krichbaum, të cilin pak kohë më parë e akuzuan si spiun rus!
Këto media përmendën si lidhje ruse tonën Yuri Vanetik-un, e vetmja lidhje e të cilit me Tsarizm-in është një artikull që ai ka shkruar për Ukrainën. Por Vateniku është nga Ukraina dhe jo nga Rusia. Njerëzit e këtyre dy vendve kanë emra të ngjashëm, por Rusia dhe Ukraina janë aktualisht në luftë njëra me tjetrën, me të paktën 10 mijë të vdekur deri tani.
Meqë ra fjala, Boris Johnson është Britanik, jo rus, sikurse edhe Zbigniew Brzezinksi është amerikan, si qindra mijëra amerikanë të tjerë me origjinë ruse.
Mediat e regjimit të Tiranës flasin për bordin e Tsarizm-it. Po nuk ka asnjë bord dhe nuk ka se si të ketë anëtar bordi. Çfarëdo që thonë për këtë bord është gënjeshtër. Thjesht dhe qartë, nuk ekziston asnjë bord.
Ka vetëm një gjë që qeveria Rama duhet të dijë. U ngatërruat me personin e gabuar dhe me kompaninë e gabuar. Duhet ta dini se ne kemi miq në vende shumë të larta dhe do sigurohemi që kjo histori të marrë vemendjen e tyre. Megjithatë, do të duhet t’ju falënderojmë për klikimet e shumta që i dhatë medias tonë të re. E vlerësojmë.
Publikuar fillimisht në Tsarizm.com