“Zonja Mogerini është kthyer shumë e frustruar nga turneu i saj ballkanik. Eshtë fakt që Bashkimi Evropian nuk është më partner serioz në procesin e zgjerimit. Ne jemi tërhequr nga Ballkani sipas të gjitha fakteve, ndërsa shohim se cilat janë pasojat nga kjo pozitë e jona. Aty kemi dy vende që janë para shpërbërjes, ndërsa katër vende që janë në krizë të thellë politike. Ndërsa kjo vjen për arsye se ne si BE nuk e përmbushim më rolin tonë aty.”
Ky është alarmi që Ministri i jashtëm i Sllovakisë, Lajçak, ka dhënë dje përpara takimit Të Këshillit të Jashtëm të BE. Një alarm që është shoqëruar pas përfundimit të takimit edhe me një konstatim mbi krizën në Maqedoni. I pyetur për platformën e përbashkët të partive shqiptare që u dakordua në Tiranë, ai është shprehur:
“Është e pazakontë dhe për të ardhur keq që vendi të ketë ndërhyrje nga jashtë në proçeset e brendshme. Formimi i Qeverisë me të vërtetë është proces i cili duhet të jetë në duart e politikanëve vendorë. Kështu, është faktor që në mënyrë shtesë e komplikon punën.”
Edhe pse për shqiptarët deklarata e dytë duket sikur merr më shumë vlerë, në fakt, konstatimi i parë i Lajçak është shqetësimi më serioz për ne. Eshtë një shqetësim për shqiptarët në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Përse deklarata e Lajçak është një këmbanë alarmi dhe në çfarë konteksti vendoset ajo?
Lajçak sqaron se dy vende janë përpara shpërbërjes dhe këtu ai i referohet Maqedonisë dhe Bosnjë Hercegovinës. Të tjerat janë në krizë të thellë politike dhe këtu padyshim që bëhet fjalë për Kosovën, Shqipërinë, Malin e zi dhe Serbinë. Që të katërta janë në krizë këtë moment dhe kërkojnë me dëshpërim një zgjidhje. Ky konstatim i Lajçak tregon jo vetëm gjendjen e vështirë në Ballkan, por edhe shkakun përse ka përfunduar këtu.
Deri më sot, zhvillimet në Ballkan janë supervizuar nga SHBA që ka pasur rol primar dhe nga BE. SHBA dhe BE janë rakorduar prej afro 20 vitesh për zhvillimet në Ballkan. Që pas krizës së Bosnjës, prania Amerikane ka qenë më e vendosur, duke frenuar aventurizmin politik që shtetet dhe vendet e ballkanit prodhojnë jo rrallë. Por në vitin e fundit dhe sidomos në muajt e fundit, vëmendja e SHBA në Ballkan është më e limituar.
Administrata e Presidentit Tramp vijon të jetë e paplotësuar në aspektin e përfaqësimit. Pra në Departamentin e Shtetit nuk janë emëruar ende drejtuesit e rinj përgjegjës për rajonin, por ç’është më e keqja, nuk dihet me saktësi edhe cila do të jetë politika amerikane këtu. Thënë ndryshe nuk dihet nëse SHBA do të rakordojë fort me BE apo do ketë një marrëveshje alternative direkt me Rusinë për të ndarë zonat e influencës.
Në këtë kontekst, BE ka mbetur duke pritur një sinjal nga SHBA, sinjal që nuk po vjen ende. Por në këto vende, përfshi Shqipërinë ku ka një krizë të vendosur m’u përballë Kryeministrisë në bulevard, po ashtu presin një sinjal nga BE. Në mungesë të këtij sinjali, disa prej kontestuesve po presin zhvillimet amerikane me bindjen që administrata Tramp do prodhojë një politikë të ndryshme nga ajo e përcaktuar nga paraardhësi i tij Obama.
Nuk dihet se sa reale është kjo analizë, por një gjë është e sigurtë. Paqartësia e SHBA ka bllokuar edhe BE dhe ky është shkaku që Lajçak e quan vizitën e Mogerinit dhe rezultatet e saj të frustruara.
BE nuk ka arritur të marrë një rol lidershipi vetë në Ballkan. Ajo nuk e përballon dot vetë presionin e Rusisë dhe në këtë rast, ndihma dhe rakordimi me SHBA është jetik. Me gjasë, në samitin e ardhshëm të NATO në Maj, do kemi një qëndrim më të qartë amerikan, por deri atëherë, Ballkani do vijojë të lëngojë nga e njëjta krizë, një krizë e prodhuar nga paaftësia e BE për të qenë e vendosur në hapat e mëtejshëm të saj në Ballkan!