Përse efektet e reformës në drejtësi në Shqipëri do të jenë të zbehta dhe të ngadalëta?

Përse efektet e reformës në drejtësi në Shqipëri do të jenë të zbehta dhe të ngadalëta?

Ekspertja e politikave publike Alida Karakushi, në një artikull për Fondacionin Heinrich Boell, shpjegon procesin e miratimit të reformës në drejtësi dhe parashikon se efektet e saj do të jenë shumë të ngadalta pasi miratimi i saj u nxit më shumë nga ndërkombëtarët, se sa nga aktorët vendas.

Ndër të tjera në artikull Alisa Karakushi shkruan:

“Korrupsioni i përhapur kudo në Shqipëri ka qenë termi kryesor në të gjitha raportet e progresit të BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare  si Freedom House dhe Transparency International. Për shembull, Progres-Raporti i BE-së për Shqipërinë, shkruan se korrupsioni mbetet një problem serioz dhe është i përhapur në shumë fusha, duke përfshirë edhe vetë institucionet, misioni i të cilave është të garantojë zbatimin e ligjeve. Për më tepër, raporti thekson se korrupsioni në sistemin gjyqësor mbetet një problem serioz.

Këto shifra tregojnë se performanca e sistemit gjyqësor vlerësohet me pikët më të ulëta në krahasim me treguesit e tjerë të vlerësuar nga Freedom House në vitet 2015-2016.

Shumë raporte përshkruajnë lidhjet e ngushta midis gjyqtarëve dhe politikanëve, si dhe ndikimin politik mbi degën gjyqësore.

Dy vjet më parë, kreu i Misionit EURALIUS në Shqipëri, Joaquin Urias, deklaroi se “i gjithë sistemi gjyqësor në Shqipëri është i korruptuar”, ndërsa këtë vit, gazetaria investigative luajti një rol të madh në denoncimin e korrupsionit në sistemin gjyqësor. BIRN ka raportuar kështu në disa raste kur drejtësia nuk ka ndëshkuar kriminelët; kohët e fundit ata zbuluan se rreth 80 për qind e gjyqtarëve të apelit shqiptarë nuk mund të jepnin një shpjegim në lidhje me pasurinë e mbledhur gjatë karrierës së tyre.

Dinamikat prapa dyerve të mbyllura – SHBA dhe BE insistojnë për miratimin e reformën

Reforma kaq shumë e nevojshme në sistemin e drejtësisë në Shqipëri u nxit nga presioni i ndërkombëtareve, domethënë BE nëpërmjet Delegacionit të saj në Shqipëri dhe SHBA nëpërmjet Ambasadës Amerikane. Procesi i negociatave mes qeverisë dhe opozitës zgjati gati një vit. E gjithë kjo përpjekje e ndërkombëtareve ishte mëse e  dukshme dhe publike, ndaj marrëveshja për draftin e reformës përfundimtare është perceptuar si puna e pranisë së BE-së dhe SHBA-së në Shqipëri. Ambasadorja e BE-së, Romana Vlahutin dhe Donald Lu, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, kanë bërë deklarata shumë të forta, duke lënë mënjanë çdo finesë diplomatike.

Ambasadori i SHBA-së Lu shkoi aq larg sa të kërcënonte hapur deputetët shqiptarë që do të refuzuan të votonin pro reformës. Ai madje mori pjesë në një protestë të organizuar nga disa organizata të shoqërisë civile, gjatë së cilës ai deklaroi se opozita (Partia Demokratike) po ngrinte çështje të reja sa herë që arrihej një marrëveshje. “Tani, për herë të parë”, deklaroi ambasadori, “ata (PD) nuk e pranojnë procesin e verifikimit (vetingut), duke pretenduar se shkelet sovraniteti kombëtar, edhe pse udhëheqësi i PD-së Basha vetë ka deklaruar se vetëm prania e ndërkombëtarëve në këtë proces do të garantojë zbatimin e kësaj reforme “. Për më tepër, gjatë kësaj proteste, Lu deklaroi se krerët politikë që do të votonin kundër kësaj reforme do të përballeshin me pasoja specifike. “Unë u kam dhënë partive politike të gjitha detajet në lidhje me këto pasoja që vijnë nga Ëashingtoni. Unë ju garantoj se pasojat do të jenë shumë të ashpra dhe afatgjata “.

BE, nga ana tjetër, e kushtëzoi Shqipërinë duke kërcënuar se rruga e pranimit të vendit në BE do të ndalonte në qoftë se reforma gjyqësore nuk do të miratohej. Ambasadorja e BE-së Vlahutin ishte shumë e qartë në deklaratat e saj publike. Ajo dhe ambasadori amerikan vepruan si një ekip në negociata, ndërkohë që ajo pati mjaft takime me studentët mbi këtë temë. Ndryshe nga ambasadori Lu, Vlahutin u sulmua nga mediat e opozitës. Një artikull kritik u botua se ajo po fsheh burimin e pasurisë së saj gjatë karrierës së saj në administratën publike kroate.

Negociatat

Mosmarrëveshjet për draftin e reformës gjyqësore fillimisht u bënë transparente. Megjithatë, informacioni i publikuar nuk ishte i përpunueshëm e as i aksesueshëm nga publiku në përgjithësi. Gjatë muajve të fundit, ndërsa ndërkombëtarët po shënonin sukseset e tyre të para në negociata, niveli i transparencës ishte në rënie. Negociatat po bëheshin prapa dyerve të mbyllura. Parlamenti miratoi njëzëri reformën në minutat e para të 21 korrikut, duke modifikuar kështu një të tretën e Kushtetutës. Megjithatë, qytetarët shqiptarë dhe potencialisht shumica e deputetëve nuk ishin në dijeni të Kushtetutës së re që sapo ishte miratuar.

Një zhvillim tjetër që çoi në rritjen e dyshimit të publikut për këtë çështje ndodhi në ditët e fundit kur ndikimit i ndërkombëtarëve ra ndjeshë, nga vendimmarrja në thjesht monitorim, në një nga aspektet vendimtare të reformës, procesin e verifikimit (vettingut).

Për më tepër, lajmet nga disa takime në Bruksel me Tanja Fajon (nënkryetare e Grupit të Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Europian), thanë se do të ishte “jashtëzakonisht e vështirë” të kalohej reformën gjyqësore në Shqipëri, nëse vetë negociuesit shqiptarë nuk janë të sigurt për “imunitetin e tyre, kur bëhet fjala për jetën, dhe familjen “.

Orët e fundit të të negociatave ndërmjet ndërkombëtareve dhe politikanëve shqiptarë krijuan perceptimin se liderët politikë do të kishin imunitet, veçanërisht po të kemi parasysh se qytetarët mendojnë se të gjithë liderët kryesorë politikë thuhet se kanë shkelur ligjin dhe kanë qenë pjesë në praktika korruptive gjatë mandateve të tyre.

Një problem tjetër i zbuluar në këtë proces ishin deklaratat që vinin nga Brukseli që nuk ishin në përputhje me ato të Delegacionit të BE-së në Shqipëri. Johannes Hahn, Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit ishte dakord për uljen e rolit të ndërkombëtarëve në procesin e vettingut, ndërsa Zonja Vlahutin e kundërshtoi publikisht idenë deri në ditën e fundit të negociatave.

E megjithatë, një tjetër reformë institucionalizohet, pa konsultim me publikun

Miratimi i suksesshëm i reformës gjyqësore lë shumë pyetje pa përgjigje: si duhet të vlerësohet kjo reformë duke pasur parasysh kontekstin social dhe ekonomik? Si përshtatet kjo reformë në kuadrin institucional aktual në Shqipëri, duke përfshirë shoqërinë civile dhe mediat?

Korrupsioni në Shqipëri shfaqet në të gjitha modelet e veprimeve kolektive. Nuk janë vetëm politikanët, apo burokratët  e nëpunësit civilë të cilët kanë shumë gjasa të angazhohen në praktika korruptive.

Korrupsioni është bërë një mënyrë mbijetese ku njerëzit në Shqipëri kanë më shumë gjasa të angazhohen në korrupsion, krahasuar me po të jetonin në shtete ku instiucionet e kanë kaluar këtë tranzicion kaq të ashpër.

Kur është fjala për korrupsionin në sistemin gjyqësor, vendimet jepen në favor të atyre që u ofrojnë më shumë para gjyqtarëve, ose prokurorëve dhe nëpunësve të tyre civilë.

Për momentin, reforma në drejtësi ka dekurajuar shumë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që të besojnë se do të ketë një ndryshim real. E parë nga këndvështrimet e teorive të korrupsionit, efektet e kësaj reforme do të jenë shumë të zbehta dhe të ngadalëta sepse ajo ishte një reformë që u nxit më shumë nga ndërkombëtarët, se sa nga aktorët vendas.

Udhëheqësit politikë shqiptarë nuk ishin të gatshëm ta fillonin këtë reformë. Po të kishte qenë kështu, kjo reformë do të bëhej paralel me reformën zgjedhore, në mënyrë që të garantoheshin zgjedhje të lira dhe të drejta dhe të sigurohej transparencë në financimin e partive. Sa i përket rolit të BE-së – nëse do të ishte realist, do të kishte ushtruar presion mbi reformën zgjedhore dhe do të angazhohej në një mënyrë konstruktive drejt Shqipërisë që nga viti 2001, kur filluan negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Nga perspektiva e analizës së politikave, procesi i zhvillimit të një reforme duhet të jetë po aq i rëndësishëm sa kalimi i tij. Në këtë rast, publiku nuk ishte as i informuar as reformën, e as pjesë e saj.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>