Përse formimi i KLGJ dhe KLP është i rrezikshëm — Exit shpjegon

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Përse formimi i KLGJ dhe KLP është i rrezikshëm — Exit shpjegon

Pak ditë më parë, Ambasadori i Bashkimit Europian Luigi Soreca përshendeti lajmin se më 11 dhe 12 dhjetor do të formohen dy prej institucioneve të reja të reformës në drejtësi: Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).

Me anë të një postimi në Twitter, më 7 dhjetor, ditën kur u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të Lartë në Drejtësi (KED), Soreca u shpreh:

“Sot Kuvendi ka zgjedhur anëtarët e KED-it. Ky është një hap i rëndësishëm për zbatimin e reformës në drejtësi. Ne presim me padurim javën e ardhshme kur Asambleja e Përgjithshme e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve do të takohen për të zgjedhur Këshillin e Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP).”

Më 27 nëntor, kandidati i fundit për KLP dhe KLGJ, prokurori Besnik Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Sipas dispozitave tranzitore të ligjit 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, neni 276, pika 3 dhe neni 279 pika 5, jo më vonë se 3 ditë pas përfundimit të procedurës së rivlerësimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i dërgon Gjykatës së Lartë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, listën e plotë të kandidatëve për KLGJ e KLP që kanë kaluar vetingun.

Megjithatë, përcaktimi i “procesit të rivlerësimit” në ligjin 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë” bie në kundështim me kuptimin e “procesit të rivlerësimit” në ligjin 84/2016, Ligji i Vetingut, në të cilin “procesi i rivlerësimit” përcaktohet i ndarë në dy shkallë — shkalla e parë është verifikimi i kandidatëve nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) dhe shkalla e dytë verifikimi i tyre nga Këshilli i Posaçëm i Apelit (KPA).

E njëjta gjë vlen edhe për Aneksin e Kushtetutës, i cili në Nenin Ç, nënkupton se rivlerësimi, pra vetingu, përfshin si vendimin e KPK-së ashtu edhe atë të KPA-së. Me fjalë të tjera, verifikimi i kandidatit për në KLP ose KLGj është “i plotë” vetëm pasi KPA-ja ka dhënë vendimin e saj të formës së prerë, në rast se vendimi i KPK-së është ankimuar.  Kjo ka qenë gjithashtu supozimi im në shkrimet e mëparshme.

Ligji “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, i cili u miratua vetëm me votat e shumicës socialiste, kundërshton përkufizimin e procesit të rivlerësimit të peërcaktuar në Ligjin e Verifikimit ashtu edhe në Kushtetutën, këto të fundit u miratuan me shumicë të cilësuar votash. Ky është sërish një ngërç ligjor—rezultat i hartimit të ligjeve nga ekspertë ndërkombëtarë të paaftë— që mund të zgjidhet vetëm nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ekziston ende.

Qendrimi i Ambasadorit Soreca për këtë rast është më së paku i  debatueshëm. Në fakt, deklarata e tij supozon se ankimimi dhe vendimi i KPA-së nuk kanë asnjë rëndësi në procesin e vetingut, se ky proces është krejtësisht i parëndësishëm përballë nevojës urgjente për krijimin e KLP-së dhe KLGj-së është urgjent (që më pas të fillohet me bisedimet për hapjen e negociatave me BE-në).

Kjo është një situatë shumë e rrezikshme nga pikëpamja ligjore, pasi do të thotë që nëse KPA-ja rrëzon një vendim të KPK-së për anëtarët e konfirmuar të KLGJ-së dhe KLP-së, atëherë ai anëtar do të largohet. Megjithatë, edhe pas këtij vendimi, vetëm Gjykata Kushtetuese mund të shkarkojë anëtarët e KLP-së dhe KLGJ-së, por Gjykata Kushtetuese nuk ekziston.

Në të njëjtën kohë, nëse KPA-ja rrëzon ndonjë prej vendimeve të KPK-së për të shkarkuar kandidatët për KLP e KLGJ, këta kandidatë e humbin mundësinë për të qenë pjesë e këtij institucioni.

Me fjalë të tjera, duke cunguar procesin e vetingut të kandidatëve për KLP dhe KLGJ, rrezikohet të formohen dy institucione vendimtare të sistemit të ri të drejtësisë, anëtarët e të cilëve nuk janë plotësisht të vetuar dhe rrezikojnë të mos jenë të denjë për atë pozicion, por nuk do të mund të shkarkohen. Rezultatet e gjithë kësaj situate mund të janë shkatërruese për sistemin e drejtësisë dhe gjasat për këtë janë të mëdha.

Tani për tani, Kolegji i Posaçëm i Apelimit po shqyrton ankimimin e Komisionerit Publik kundër konfimimit në detyrë nga KPK të tre gjyqtarëve kandidatëve për anëtarë të KLGJ-së: Alma Brati, Astrit Faqolli dhe Nertina Kosova. Ndërkohë, kandidatët e KLGj-së Artan Lazaj, Artan Zeneli dhe Bledar Abdullai e kanë apeluar vendimin e KPK-së për shkarkimin e tyre nga detyra duke kërkuar të rikthehen në detyrë dhe në garën për KLGJ.

Nga kandidatët për KLP, Komisioneri Publik ankimoi vendimet për konfirmimin në detyrë të Antoneta Sevdarit, ndërsa kandidatët Luan Kaloçi, Adriatik Cama dhe Elsion Sadiku kanë paraqitur ankesë kundër shkarkimit të tyre nga ana e KPK-së dhe presin vendimin nga KPA-ja.

Për më tepër, vendimet formale të KPK-së në lidhje me Ramadan Trocin, Shpëtim Kurtin, Luan Dervishin dhe Besnik Canin ende nuk janë bërë publike, që do të thotë se ka shumë gjasa për apelime të tjera.

Kështu, vendimet për të mbledhur më datat 11 dhe 12 dhjetor Asambletë e Përgjithshme respektive të prokurorëve dhe gjyqtarëve për të zgjedhur anëtarët brenda sistemit të KLP-së dhe KLGJ-së nuk janë vetëm vendime të debatueshme për nga ligjshmëria e tyre (dhe çështje që është aktualisht e pamundur të zgjidhet). Por duke zgjedhur këtë rrugë—me sa duket nën mbështetjen e ambasadorëve të BE-së që vazhdojnë t’i japin përparësi përfitimeve afatshkurtra politike në kurriz të shtetit së drejtës në Shqipëritë—ekziston një rrezik serioz i formimit të dy institucioneve me anëtarë që nuk e kanë kaluar plotësisht procesin e rivlerësimit.

Duke vepruar kështu, ambasadori i BE-së ka vënë edhe më shumë në rrezik suksesin e reformës së drejtësisë — nëse mund të guxojmë ende të flasim për një “sukses” të mundshëm të kësaj reforme.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>