Përse ju shërben protesta shqiptarëve?

Nga Blendi Fevziu
Përse ju shërben protesta shqiptarëve?

Basha ka bërë atë që dukej se pritej prej kohësh. Ka thirrur një protestë masive dhe është ngulur prej ditësh në sheshin përpara Kryeministrisë. Kërkesa e opozitës është vetëm një. Ajo kërkon qeveri teknike si garanci për zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe kërcënon që nëse kjo nuk ndodh, në vend nuk do këtë zgjedhje. Basha e ka ripërsëritur këtë deklaratë edhe në një takim të rastësishëm me gazetarë, duke konfirmuar indirekt që përplasja me mazhorancën do jetë e gjatë dhe e përshkallëzuar.

Nuk ka asnjë dyshim që Basha ka vënë një bast të fortë. Nëse presioni i tij dhe i opozitës është i tillë që e detyron qeverinë të tërhiqet, atëherë ai ka fituar një betejë të madhe.

Nëse ai ja arrin që faktori ndërkombëtar ta mbështesë dhe të kthejë kokën me seriozitet nga Shqipëria, sërish kjo është një fitore.

Por nëse PD tërhiqet pa arritur asgjë, kjo konsiderohet disfatë dhe mund të ketë kosto të mëdha për Bashën dhe PD në zgjedhjet e ardhshme. Ky është basti i vështirë i Bashës dhe ai po e luan këtë.

Liderët politike rriten dhe krijojnë personalitet vetëm përmes sfidave dhe basteve të vështira. Në këtë këndvështrim, vendimi për të protestuar, me çdo përfundim që të vijë do ta konsolidojë atë si lider politik.

Personalisht kam një vështrim tjetër, edhe pse ndryshe për protestën në shesh. Unë besoj se pavarësisht përfundimit, protesta e opozitës shërben për të krijuar tek publiku një dimension të munguar prej vitesh në Shqipëri, dimensionin e protestës qytetare. Jo protestës partiake, protestës qytetare. Le të jetë sot PD apo opozita në shesh. Nesër ose në raste të tjera do të jenë më shumë qytetarë. Qytetarë që e kuptojnë që protesta është një e drejtë e tyre; që kuptojnë që protesta është një mjet për ta bërë më të mirë jetën e tyre të përditshme; është një mjet për t’i kërkuar llogari atyre që ju ke dhënë votën dhe që e shpërdorojnë atë.

Kudo në botë protestohet. Madje protestohet në vendet demokratike. Në vendet e pazhvilluara dhe të mjerë nuk ka protestë. Ka herë herë dhunë, por jo protestë. Shqipëria duhet të mësojë të protestojë paqësisht. Ideja që votohet një herë në katër vjet dhe vullneti shprehet me votë, nuk mjafton, është demode. Amerikanët janë të parët që po protestojnë; Francezët janë çdo javë në protestë; Britanikët kanë ditë që janë në shesh për çështje që ju interesojnë; Po ashtu fqinjët tanë: grekë, maqedonas apo rumunë. Protesta shërben që t’i bëjë qeveritarët më të përgjegjshëm.

Qytetarët duhet të protestojnë që parlamenti dhe administrata e këtij vendi të mos mbushet me banditë dhe kriminelë. Që Parlamenti i ardhshëm të mos ketë thuajse 20 % të tij që ka pasur probleme të hapura me drejtësinë.

Që Bashkitë të mos drejtohen nga trafikantë dhe ish të dënuar ordinerë. Si mund të jetojë i lirë një qytetar në bashkitë e vogla, kur në krye të tyre janë njerëz që shkeljen e ligjit e kanë pasur moto dhe krenari.

Që Gjykatat dhe sistemi i drejtësisë të mos funksionojnë sipas motos së njohur sot: “Drejtësi ka por është pak e shtrenjtë”! Që Gjykatës e prokurorë të mos hapin dyert e burgjeve për bandat dhe të mbyllin brenda tyre mjeranë që s’kanë asnjë përkrahje.

Që në këtë vend të mos ekzistojë bindja që të fuqishmit dhe njerëzit politik nuk preken nga ligji edhe kur e bëjnë atë rreckë për të justifikuar zullumet e shpeshta.

Që pasuria publike të mos jetë pre e 4 – 5 oligarkëve që kanë marrë gjithë qeverisjen me konçension. Që janë përfituesit e vetëm dhe ekskluzivë pavarësisht nëse në fuqi është e majta apo e djathta. Kjo nuk ndodh askund në botë.

Qytetarët duhet të protestojnë që ministrat të mos jenë arrogantë dhe të mos e shmangin llogaridhënien.

Qytetarët duhet të protestojnë për taksat dhe mënyrën se si shpenzohen paratë që ata paguajnë.

Qytetarët duhet të protestojnë, kudo, përditë dhe nëse mësojnë ta bëjnë këtë për llogari të tyre dhe jo vetëm të partive, ky vend padyshim që do të jetë më i mirë. Në këtë vështrim, ngjallja e frymës së protestës, do të sherbejë për të mësuar se si të përballemi me të keqen dhe se si qytetarët të jenë vetë zotër të fateve të tyre. Të fatit të vet çdo ditë, jo një herë në 4 vjet, vetëm kur votojnë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>