Përse Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës?

Nga David L. Phillips
Përse Serbia duhet të njohë pavarësinë e Kosovës?

Brukseli këmbëngul që Serbia të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën përpara se të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Deri më tani 114 vende kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Megjithatë Serbia po lufton kundër përpjekjeve të Kosovës për të fituar njohje sa më të gjerë  globale. Serbia po ashtu mbështet struktura paralele private në Kosovën e Veriut, të cilat minojnë sovranitetin e Kosovës dhe nxisin trazira mes serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës që jetojnë në atë zonë.

Konflikti Kosovë-Serbi mund të zgjidhet me anë të një ndërmjetësimi ndërkombëtar më efektiv. Diplomacia funksionon më mirë kur Evropa dhe Shtetet e Bashkuara punojnë së bashku.

Deklaratat e fundit të presidentit serb Aleksandar Vuçiç nxisin optimizëm. Ai i bëri thirrje popullit serb të “ndalonte futjen e kokës në rërë”  për çështjen e Kosovës dhe të fillonte “një dialog të brendshëm”. Ai u tha serbëve “të jenë realistë”.

Përveç deklaratave, duhet parë nga afër dhe punët konkrete. Ndërsa normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve fillon duke adresuar shumë çështje në nivel teknik, në fund gjithçka varet nga njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Njohja do të sillte anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara e në organizatatë tjera ndërkombëtare. Më pas Serbia dhe Kosova do të mund të negocionin kriteret për anëtarësimin të BE.

Një urë komunikimi për negociatat është ndërtuar tashmë. Dialogu Kosovë-Serbi u hodh nga BE në vitin 2011. Kosova dhe Serbia ranë dakord për marrëveshjet për çështje teknike si liria e lëvizjes, menaxhimi i integruar i kufirit dhe targat e automjeteve. Megjithatë, zbatimi ka qenë i pabarabartë. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 konfirmoi një “të ardhme evropiane” për Kosovën dhe Serbinë, por në rastin më të mirë, ecuria politike ka qenë e çrregullt.

Marrëveshjet ekzistuese duhet të vazhdojnë të zbatohen. BE duhet të ndalojë ndërmjetësimin e saj nëse secila palë ankohet dhe nuk realizon angazhimet e saj.

BE duhet të kushtëzojë fondet e siguruara për Kosovën dhe Serbinë nëpërmjet instrumentit të saj të Ndihmës së Periudhës Para-Anëtarësimit. “Pa përparim në zgjidhjen e konfliktit, s’ka ecje përpara në negociatat për anëtarësim” duhet të jetë parimi udhëheqës, që lidh progresin në dialogun Kosovë-Serbi me aspiratat e Serbisë për në BE.

Ndërmjetësuesit kanë nevojë për një strategji përfundimtare për diplomacinë e tyre. Përfituesi i çmimit Nobel për Paqen, Marti Ahtisaari, i cili shërbeu si i dërguar i posaçëm i OKB, nga viti 2005 deri në vitin 2008, e dinte rezultatin e përpjekjeve të tij para se të merrte detyrën. Ndërmjetësit e sotëm kanë nevojë për qartësi strategjike dhe morale.

Një format i ri mund të nxisë edhe më shumë negociatat. BE duhet të emërojë një peshë të rëndë ndërkombëtare si të dërguarin e saj të posaçëm. Për shembull Wolfgang Schauble, ministri i Financave i Gjermanisë, ka ndikim dhe përvojë negociuese. Ai do të ishte i shkëlqyer në këtë rol. Duke pasur parasysh përvojën e saj të përgjithshme dhe punën në Ballkan si sekretare e Shtetit të SHBA, Condoleezza Rice do të ishte ideale si përfaqësuesja e SHBA-ve.

Dy shtetet në delegacionet e tyre mund të përfshijnë përfaqësues nga partitë politike dhe nga shoqëria civile.

Diagolu nuk duhet të lejojë shtetet të mendojnë se mund të heqin dorë. Ndërmjetësuesit duhet të caktojnë afate dhe qëllime për tu arritur. Gjatë gjithë këtij procesi qytetarët e Kosovës dhe Serbisë duhet të mbahen të informuar.

Arritja e një zgjidhjeje nuk do të jetë aspak e lehtë. Ka shumë çështje që duhen adresuar. Nga njëra anë Kosova ka ende rreth 1500 persona të zhdukur nga lufta. Rreth 1,5 miliardë dollarë në fondin e pensioneve të Kosoves dhe një fond privatizimi prej 600 mijë dollarësh janë konfiskuar nga Serbia. Ndërkohë, Serbia në anën tjetër kërkon të rimarrë vlerën e investimeve të saj në Kosovë. Nevojitet një plan kompesimi, ashtu si dhe një plan për intregrimin e serbëve që jetojnë në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara kanë interes për të ndërmjetësuar marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kosova është në fronin e një lufte të re të ftohtë mes Rusisë dhe Perëndimit. Ndërkohë që në Serbi, Moska ka tranferuar armë të sofistikuara, ndër të tjera dhe tanke e avionë luftarakë dhe raketa ajrore.

Mungesa e progresit ka ndikim negativ në Kosovë dhe Serbi. Dështimi për t’u integruar plotësisht në sistemin ndërkombëtar minon ekonominë e Kosovës, e cila vuan nga papunësia prej 30 përqind dhe papunësi edhe më e lartë mes të rinjve. Mungesa e zhvillimit ekonomik ka nxitur një ekonomi informale. Kriminaliteti dhe korrupsioni janë të përhapura në rajon.

Mohimi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës i ka bërë ata të zhgënjehen nga Perëndimi. Shpërhapja e islamit është në rritje. Me financimin nga Turqia, xhamia më e madhe në Ballkan është planifikuar të ndërtohet në Prishtinë, kryeqytetin e Kosovës.

Në anën tjetër, Serbia është stigmatizuar nga praktikat e saj të tmerrshme të gjenocidit gjatë viteve 1990. Ajo mbetet një shtet i dështuar në kufij, i kapur në mes të historisë së saj të errët, aspiratave evropiane dhe ndikimit të Rusisë. Serbia është bërë një qendër për krimin e organizuar dhe të gjitha llojet e trafikimit. Kosova veriore drejtohet nga një bandë kriminale nën kontrollin e Beogradit. Një marrëdhënie e ndërsjelltë simbiotike ekziston midis bandave në veriun e Kosovës dhe homologëve të tyre në Serbi dhe në rajon.

Serbia dëshiron të nisë negociatat për anëtarësimin në BE sapo të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. A do të zgjidhë integrimi euroatlantik problemet e Serbisë me Kosovën? Apo Serbia do të bllokojë anëtarësimin e Kosovës në BE sapo të bëhet vetë anëtare?

Globalistët në administratën Trump mund të arrijnë një sukses të politikës së jashtme duke u angazhuar në dialogun Kosovë-Serbi. Një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë do të stabilizonte një rajon strategjik të rëndësishëm në Evropë siç është Ballkani, të riafirmojë rëndësinë e bashkëpunimit transatlantik dhe të nënvizojë rolin e domosdoshëm diplomatik të Uashingtonit.


Ky artikull u botua më parë në median The Washington Times.

*David L. Phillips është drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtave në Institutin e Studimit të të Drejtave të Njeriut të Universitetit Columbia. Ai është autori i “Çlirimi i Kosovës: Diplomacia detyruese dhe ndërhyrja e SHBA-ve” (MIT Press, 2012).

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>