Në varësi të sondazhit që lexon, 60 deri në 80 përqind të shqiptarëve duan të largohen nga vendi i tyre.
Studimi i fundit i Gallup-it tregoi se Shqipëria renditët e katërta në botë për largimet e shumta të qytetarëve; përpara saj renditen Haiti, Liberia dhe Sierra Leona. Edhe sirianët janë më të devotshëm për të qëndruar në vendin e tyre që ndodhet në luftë , se sa shqiptarët.
Shqipëria renditet e para në “Indeksin e Largimit të Trurit”, i cili mat numrin e të rinjve të edukuar, të cilët duan të largohen nga vendi përgjithmonë.
32 përqind e shqiptarëve që hyjnë në këtë kategori, pra të rinj të arsimuar, duan të largohen dhe mos të kthehen kurrë.
Deri më tani, qeveria shqiptare ka bërë shumë pak për të inkurajuar qytetarët të qëndrojnë apo për të ulur nivelin e lartë të pakënaqësisë, i cili po i shtyn shqiptarët të braktikisin vendin. Në kohën kur bisedimet për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian janë afër, do të ishte me vend që qeveria të punonte që Shqipëria të mos mbetet një vend i shkretuar, kur negociatat të hapen.
Por përse kaq shumë njerëzit duan të largohen nga Shqipëria?
Duket se një nga faktorët kryesor të largimit masiv është korrupsioni i kudogjendur.
“Korrupsioni është kudo dhe nuk ka drejtësi”, shprehet Lorena, një vajzë e re e cila ëndërron të iki jashtë për të hapur një biznes të vetin.
“Nëse hap një biznes, dikush nga qeveria do të vijë dhe do të vendosi gjobë ose të të kërkojërryshfet, kështu ti nuk ke zgjidhje tjetër veçse të paguash”, shton ajo.
Klodiani, i cili ka emigruar në Australi bashkë me familjen e tij, shpjegon se “qeveritarët vetëm kanë pasuruar veten dhe të afërmit e tyre.” Ndër të tjera ai thotë:
“Ne qeverisemi nga krimi dhe njerëzit e gabuar. Me vjen shumë keq, por njerëzit nuk kanë zgjidhje tjetër. Realiteti është që ata nuk kanë zgjidhje tjetër. Vetëm në rast se reformat e kërkuara nga Bashkimi Europian zbatohen me të vërtetë, diçka mund të ndryshojë.”
30 vjet pas rënies së regjimit komunist, Partia Socialiste, trashëgimtare e Partisë Komuniste, është në pushtet dhe po qeveris e vetme, me dorë të hekurt. Shumë shqiptarë ndjehen të zhgënjyer nga çfarë ka ndodhur në politikën shqiptare dhe për më tëpër, ata mendojnë se asgjë nuk do të ndryshojë.
“Komunizmi mbizotëroi për një kohë të gjatë, por pasi ra të gjithë kishim shpresa të mëdha, përfshi dhe mua”, tha dikush.
“Shpresa për të jetuar në Shqipëri është duke u shuar nga akumulimi i dramave politike 25-vjeçare, korrupsionit në çdo sektor dhe kulturës së pandëshkueshmërisë”, vazhdoi më tej ai.
Arlinda, një mësuese nga Tirana shpjegon se ndihet e braktisur nga të gjithë politikanët dhe politikat e tyre prej 30 vitesh:
“Akush, asnjë politikan i vetën, që unë njoh nuk ka punuar për vendin apo për ne – vetëm për veten e tij.”
Të gjithë ata me të cilët kam folur, shprehen se nuk duan vërtet të largohen nga vendi, por nuk kanë zgjidhje tjetër, pasi cilësia e jetesës në Shqipëri nuk është mjaftueshëm e mirë për ta.
Kristi, një studente 23 vjeç, më thotë:
“Çdokush e di se peshku i madh ha të voglin dhe ne jemi peshku i vogël. Unë dua të largohem sepse dua një jetë më të mirë dhe e di që s’mund ta kem këtu. Ndoshta mund të kthehem këtu vetëm për të vdekur.”
Mbas korrupsionit dhe dështimit të klasës politike për të përmirësuar cilësinë e jetës, rrogat dhe kushtet e mjerushme të punës janë disa nga faktorët e tjerë që i bëjnë njërëz të largohen.
“Asgjë nuk mund të sigurohet me një minimun page prej 200 euro – nëse je një arkitekt apo inxhinier me pesë vite ekperiencë, paga nuk është më shumë se 400 euro. E nëse nuk punon më shuimë se 9 orë, pushohesh nga puna,” thotë Lorena.
“Rroga ime nuk është e mjaftueshme për të paguar qiranë, faturat dhe për të blerë ushqim. Kompania ime nuk paguan sigurime ashtu siç kërkohet nga ligji, po s’mund të ankohem pasi mund të më pushojnë,” tregon ajo.
Saimir shpjegon se si “pabarazia e thellë sociale”, e përkeqësuar nga klasa politike, është duke e ndarë vendin në dy pjesë:
“Ata pasurohen, ne varfërohemi dhe humbasim shpresën – kështu funksionon.”
Elisa, një e re e arsimuar në të 20-tat e saj shprehet se ndihet e dëshpëruar për karrierën e saj. Ajo shpjegon se si mungesa e vlerësimit dhe e meritokracisë në çdo aspekt të shoqërisë, bashkë me trajtimin që klasa politike i bën qytetarëve si ata të ishin budallenj, e bën atë të ndihet e pashpresë në Shqipëri:
“Nuk mund ta duroj injorancën që na imponohet çdo ditë – nuk mund të rri në një vend që ka humbur vlerat humane e vazhdon të mburret për to. Dua të jetoj diku në Bashkimin Europian ku të vlerësohem për atë që di të bëj, jo për kë njoh.”
Një tjetër vajzë e re, e cila punon me kohë të plotë për të përballuar studimet, shprehet se nuk mund të vazhdojë të jetojë në një vend ku duhet të sakrifikojë kaq shumë vetëm për tu edukuar dhe më pas, diploma që ajo merr të jetë kaq e pavlefshme.
“Në Shqipëri, meritokracia nuk funksionon – duhet të kesh një miq që të ndihmojë ose duhet t’i afrohesh shefit”, tregoi ajo.
Këto situata me të cilat qytetarët përplasen çdo ditë, bëjnë që ata të marrin masa drastike. Disa tentojnë të udhëtojnë drejt Evropës në mënyrë të paligjshme, të tjerët aplikojnë për azil, dhe disa të tjerë bëjnë kompromis me veten dhe i futen punëve të pista për të siguruar një lloj jetesë.
Arbri është 22 vjeç dhe po studionte për inxhinieri kur u arrestua. Policia e kapi me një sasi të vogël hashashi dhe kaloi 3 muaj në burg, derisa u lirua, por tashmë ka një njollë të përhershme në të shkuarën e tij. Ai shpjegoi se filloi të shiste sasi të vogla hashashi dhe kokaine për të përballuar shpenzimet e studimeve.
“Nuk mund t’i përballoja librat apo provimet. Fillova punë natën por ishte e pamundur të punoja 50 orë në javë për 200 euro në muaj dhe më pas të shkoja në shkollë gjatë ditës. Mendova se duke u shitur miqve hashash mund të fitoja para shtesë derisa të mbaroja shkollën.”
Ai u arrestua, u përjashtua nga shkolla dhe tani ka një precedent penal që e pengon të gjejë punë. E vetmja shpresë është të largohet nga Shqipëria.
“Isha i dëshpëruar,” pëshpërit, “çfarë tjetër të bëja?!”