Përsëritje investimesh publike dhe abuzime, fenomeni që vijon në Bashkinë Durrës

Nga Geri Emiri
Përsëritje investimesh publike dhe abuzime, fenomeni që vijon në Bashkinë Durrës

“Projektet infrastrukturore të Bashkisë Durrës në disa raste, përveç kostove në disa miliona euro përbëjnë përsëritje punësh publike, tejkalim të afateve, punime pa cilësi dhe disa prej tyre janë klasifikuar si “dëm ndaj buxhetit të shtetit”.

Pas qëndrueshmërisë së numrit të personave të prekur nga COVID-19 në Shqipëri, veprat publike kanë nisur përsëri. Të tilla janë edhe punimet në kuadër të rrjetit të ri të ujësjellësit në qytetin e Durrësit. Ato u ndërprenë më 26 nëntor 2019, me tërmetin që shkundi qytetin dhe pësuan të njëjtin fat me ardhjen e Koronavirusit të Ri në Shqipëri.

Investimet e Bashkisë Durrës zvarriten, mbivendosen dhe përsëriten edhe në kohë normale, “një traditë që vijon” prej vitesh. Rruga më emblematike në të cilën është investuar disa herë dhe që ka cënuar sezonin turistik është ajo e plazhit. E njohur si rruga “Pavarësia”,6 që përshkon përmes plazhin e Durrësit në një gjatësi prej vetëm 4.3 kilometrash ajo iu nënshtrua një projekti të gjerë rikualifikimi përmes 5 tenderave në vitin 2016, të cilat kushtuan në total 686 milionë lekë ose 5.5 milionë euro.

Investime kontradiktore

Segmenti i Rrugës Aleksandër Goga, që lidh 2 ndër sheshet kryesore në Durrës, nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri tek Sheshi Liria, në qendër, ju nënshtrua rikualifikimit në shkurt të vitit 2018 dhe i kushtoi buxhetit të bashkisë 70 milionë lekë ose 580 mijë euro.

Ndërhyrja që përfundoi pas 1 viti u shoqërua me ndërtimin e 14 vendkalimeve për këmbësorët. Të përbërë nga gurë dekorativ, ato u shqepën ende pa iu tharë mirë llaçi nga punimet e ndërmarrjes në varësi të bashkisë, Ujësjellës Kanalizime Durrës (UKD), për ndërtimin e rrjetit të ri të furnizimit me ujë të pijshëm.

harta
Planimetria e rikonstruksionit të rrugës “Aleksandër Goga”, nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri tek Sheshi Liria. Burimi: Bashkia Durrës.

Bashkia Durrës konfirmoi për Portën Vendore mbivendosjen e 2 projekteve. “Ka dëmtuar disa vendkalime këmbësoresh të cilat janë realizuar me kubikë guri”, shtoi bashkia për pasojat e kësaj mbivendosje, duke shtuar se punimet për rrjetin e ri të ujit të pijshëm janë realizuar në muajt qershor-gusht 2019.  Nga kjo periudhë, nga vëzhgimi i Portës Vendore punimet që e rikthyen rrugën në të kalueshme përfunduan pas 5 muajsh, në janar të vitit 2020.

“Duhet të veprojnë më shpejt për mbylljen e rrugëve që hapin. Kjo është në dëmin tonë si biznese të vogla”, shpjegon e shqetësuar Sheqere Kasa, ulur në dyqanin e saj të ngushtë, ku prej 13 vitesh tregton peshk akuariumi, kanarina dhe ushqim për to.

58-vjeçarja rrëfen se pluhuri i punimeve të bashkisë pas 5 muajsh u pasua nga ai i punimeve të ujësjellësit. Agjencia Kombëtare e Ujësjellës Kanalizimeve (AKUM) shpjegoi zyrtarisht se kthimi i rrugëve në gjendjen e mëparshme është parashikuar në projektin për ujin e pijshëm.

Specialistët theksojnë se projektet publike duhet të synojnë ta përmirësojnë jetën në komunitet. “Kur nuk është ky prioriteti parësor, projekti nuk përshtatet me interesat e banorëve”, analizon për Portën Vendore arkitekti dhe urbanisti Suer Bedeni. “Kur realizohet një projekt duhen analizuar aktorët që e përdorin hapësirën”, shton ai.

Mbivendosja e projekteve infrastrukturore të Bashkisë Durrës përsëritet edhe midis ndërmarrjeve në varësi të saj. Një mbivendosje midis rikonstruksioneve të rrugëve dhe projekteve të ujësjellësit u has edhe në lagjen numër 17 të qytetit. Rikonstruksioni i rrugës “Abdyl Ypi” nisi në maj të vitit 2017 nga kompania “Çaushi” sh.p.k, me vlerë 190 mijë euro.

Pak kohë pas përfundimit të shtresës së asfaltit dhe trotuareve në këtë rrugë, punimet për rrjetin e ri të ujërave të ndotura në qytet sollën çarjen e asfaltit nga ujësjellësi, duke e riasfaltuar më vonë për herë të dytë rrugën “Abdyl Ypi”.

Tenderi i bashkisë që përfshinte edhe rikonstruksionin e rrugës “Ksanthipi Syko”, u klasifikua me “Red Flags” nga databaza jo-qeveritare “Open Procurement Albania”, që evidenton tenderat e dyshuar për pabarazi apo abuzim. “Skualifikimi i të gjithë operatorëve konkurrues përveç fituesit”, ishte arsyeja e klasifikimit të tenderit si i dyshimtë.

Investime “shkel e shko”!

Një ndër kryqëzimet më nevralgjik në Durrës, është ai i zonës që njihet si “Valuta”. Ai pozicionohet  në hyrje të Bulevardit Dyrrah dhe mbajti mbi vete rrethrrotullimin më jetëshkurtër në qytet. Në muajin tetor të vitit 2018 u ndërtua një rrethrrotullim që i “mbeti në klasë” shoferët. Perimetri i tij tepër i gjerë krijonte trafik dhe e ktheu në pothuajse të pamundur rrotullimin e furgonëve apo autobusëve.

harta
Thyerja e rrethrrotullimit natën e 28 nëntorit 2018, një muaj pasi u ndërtua në kryqëzimin e Valutës. Foto: Geri Emiri.

Një muaj pas ndërtimit rrethrrotullimi i shkallmua nga eskavatorët pasi ishte tepër i gjerë. Kompania ndërtuese rillogariti përmasat dhe ngriti një rrethrrotullim më të vogël, në kuadër të një projekti për rivitalizimin e zonës, që i kushtoi buxhetit të “Rilindjes Urbane” 2.5 milionë euro, me fitues bashkimin e kompanive “Everest” dhe “Konoros Konstruksion”. Tender që u klasifikua si i dyshimtë përmes “Flamurit të Kuq”, me motivin “Anulimi i tenderit dy ose më shumë herë”.

Sepcialistët komentojnë se raste të tilla lidhen me mungesën e daljes së grupeve të projektimit në terren apo mungesën e mjeteve të nevojshme teknike për matjet në terren. “Mendoj se lidhet edhe me mos zbatimin e kritereve, pra standardeve teknike”, interpreton arkitekti Suer Bedeni.

Punime që përsëriten në kurriz të buxhetit të shtetit

Makthin e sezonit turistik deri më sot në Durrës e përbënin punimet që bllokonin rrugët në mes të verës, ndërsa tani pasojat ekonomike të COVID-19. Verën e kaluar, bashkia nisi rikonstruksionin e rreth 80 për qind të rrugës së automjeteve në Bulevardin Dyrrah, që nis sapo lë rrethrrotullimin e Valutës. Punimet ishin të detyruara pasi gurët në formë kalldrëmi dështuan t’i rezistonin peshës së automjeteve dhe mbi rrugë ishin krijuar qindra gropa.

Përdorimi përsëri i kalldrëmit në rrugën dedikuar automjeteve habiti jo pak përdoruesit e rrugës. “Duhet të ecësh më shumë ngadalë sepse ndryshe dëmton edhe makinën”, komenton Rei Kadi. “Kjo është rruga kryesore dhe të paktën të ishte shtruar me asfalt, jo përsëri me të njëjtët gurë”, shton i riu.

Specialistët e fushës e shohin me skepticizëm përdorimin e të njëjtit materiali ndërtimor. “Lidhet me çështje interesash të paracaktuara. Dëmtimi i mëhershëm duket se ka ardhur nga cilësia e materialit dhe përdorimi i keq i tij”, analizon arkitekti Suer Bedeni.

Punimet e fundit  në bulevard, për të cilat bashkia nuk u përgjigj se sa lekë kushtuan, pasuan ato të vitit 2015, të realizuara nga kompania “Euro ndërtimi 2000”. Porta Vendore dokumentoi të paktën 3 investime po për rikonstruksionin e bulevardit. Nga hulumtimi i kryer, bulevardi nisi të konstruktohet në vitin 2014, fillimisht me një fond prej 51 milionë lekësh dhe së bashku me investimin e dytë punimet kushtuan 63 milionë lekë ose 520 mijë euro.

harta
Harta e 4 rrugëve të rikonstruktuara 2-3 herë në Durrës.

Ashtu siç ndodh shpesh me investimet e Bashkisë Durrës për veprat publike, fondi u shtua duke marrë para nga fonde të tjera publike. Me vendim të Këshillit Bashkiak Durrës, më datë 18 maj 2015 u miratua edhe një fond shtesë, me vlerë 12 milionë lekë, që u mor nga fondi rezervë i bashkisë në këtë vit.

Ashtu si tenderat e përmendur më herët, që janë klasifikuar me “Flamurë të Kuq”, rikonstruksioni i bulevardit u gjet me shkelje nga Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH). Në auditimin e datës 30 qershor 2015 u gjet se kompania “Eurondërtimi 2000” që fitoi tenderin kishte fituar njëkohësisht 4 tendera të bashkisë me të njëjtat makineri, staf dhe drejtues teknik. Raporti shton më tej se është e pamundur që kompania të ketë qenë njëkohësisht në 4 vende.

harta
Krahasimi i rrugës së automjeteve në Bulevardin Dyrrah, përpara dhe pas zëvendësimit të gurëve, në gusht të vitit 2019. Foto: Geri Emiri.

KLSH gjeti edhe se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave duhej që të anulonte tenderin, pasi asnjë nga Operatorët Ekonomik nuk ishte paraqitur dokumentacionin sipas kërkesave dhe dëmi ndaj buxhetit të shtetit nga zhvillimi i këtij tenderi u përllogarit në 14.5 milionë lekë ose 120 mijë euro.

Qytetarët lihen në hije

Ndërhyrja e Bashkisë Durrës në vitin 2015 duke rehabilituar segmentin rrugor nga Mauzoleumi i Dëshmorëve deri tek sheshi qendror i qytetit, solli transformimin e zonës përmes zgjerimit të trotuareve dhe heqjen e disa vendeve të parkimit për automjetet.

Bashkia Durrës nuk shpjegoi specifikisht se mbi cilin argument teknik kishte ndërmarrë këtë nisëm, por shkruajti se, “Në kryqëzimet e rrugëve, trotuaret janë rakorduar duke u zgjeruar për t’i dhënë prioritet lëvizjes së këmbësoreve, shikueshmëri më të mirë, dhe siguri më të lartë”.

Bizneset e vogla që operojnë në zonë ankohen se eliminimi i vendeve të parkimit për automjetet i ka dëmtuar klientelën. “Një klient që vjen 2 minuta ndalon në rrugë tani, merr gjobë dhe nuk vjen më”, tregon Sheqere Kasa. “Ai blen një peshk 250 lekë dhe merr gjobë 1000 lekë. Se këto janë kushtet e rrugës, kaq hapësirë ka”, përfundon gruaja analizën e situatës ekonomike të biznesit të saj.

Projektet të cilat kapin vlera në disa miliona euro dhe që kanë synim shërbimin ndaj qytetarëve duhet të konsultohen së pari me ta. Bashkia Durrës u përgjigj konkretisht për projektin në rrugën “Aleksandër Goga” se, “Ka qenë pjesë e buxhetit të vitit 2017, ku gjatë hartimit të këtij buxheti janë bërë dëgjesa publike”.

Dëgjesat publike për buxhetin në fundvit zgjasin rreth 2 orë. Ato zhvillohen tek teatri i qytetit, në të ftohtin e dhjetorit dhe krahas diskutimit të të gjithë buxheti vjetor të bashkisë presupozohet se diskutohen me qytetarët edhe shumë projektet infrastrukturore, ku çdo vit investohet së paku në 20 rrugë.

“Duhet të zhvillohen dëgjesa publike sepse projekti është për qytetarët. Duhen studiuar se si del popullsia. Të analizohet rruga, se sa qytetarë e përdorin atë, cilat janë nyjet e trafikut dhe ku kalojnë më shumë qytetarët”, e mbyll analizën arkitekti dhe urbanisti Suer Bedeni.


Botuar më parë në Porta Vendore.

The post Përsëritje investimesh publike dhe abuzime, fenomeni që vijon në Bashkinë Durrës appeared first on https://portavendore.al/2020/04/28/perseritje-investimesh-publike-dhe-abuzime-fenomeni-qe-vijon-ne-bashkine-durres/?fbclid=IwAR398FI3QfrQzeRKYNP2ok-nw9dwAZf_1XosWVgbZgLjR5SW_KiWYtqJvyU

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>