Personat alergjikë apo astmatikë që nuk mund ta përdorin maskën, do të marrin një vërtetim nga mjeku, njoftoi ministrja e Shëndetësisë Manastirliu për emisionin Opinion.
“ISHP ka hartuar të gjithë udhëzuesin me specifika, ku mbahet, kush e mban dhe rastet e përjashtimit”, tha Manastirliu.
Ministrja e quajti lajm të rremë mbylljen e laboratorit të testeve Covid-19, në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”:
“Laboratori i QSUT-së, i cili kryen analizat e PCR-së nuk ëshët mbyllur asnjë ditë. Është ngatarruar laboratori i mikrobilogjisë me laboratorin që po ndërtojme me koncesionarin”.
Ministrja i referohet shkrimit të publikuar nga Reporter.al, me titull, “U certifikua dy javë më parë për COVID-19, koncesioni mbyll laboratorin e QSUT”, në të cilin shkruhej se:
“Manastirliu ka urdhëruar që ky laborator të mbyllet.Vendimi është marrë pas kërkesës së koncesionarit, i cili ka fituar të drejtën që për 10 vitet e ardhshme të bëhet pronar i të gjithë laboratorëve dhe setit të analizave që do të kryejnë shqiptarët nëpër spitalet publike me një vlerë prej 95 milionë euro”.