
Dy vellezër maltezë nën hetim për vrasjen e gazetares hulumtuese Daphne Caruana Galizia u akuzuan për lidhje me krimin e organizuar shqiptar, italian, sicilian dhe libian. Ata dyshohet se kanë blerë nga mafia shqiptare pjesë të bombës, të vendosur nën makinën e gazetares.
Ata u arrestuan sëbashku me tetë persona të tjerë, disa prej të cilëve u akuzuan për vendosjen e bombës.
Matthew Caruana Galizia, djali i Daphne gjithashtu i përmendi ata si të dyshuarit kryesor për furnizimin me pjesë të bombës. Ai i bëri thirrje autoritetet malteze për hetimin dhe dënimin e tyre.
Në një intervistë me Arber Hitaj për Exit News, djali i gazetares së vrarë tha se nuk është konfirmuar nëse bomba kishte ndonjë lidhje me Shqipërinë. Ai tha se pjesët e bombës mund të kishin ardhur nga Sicilia, por se ekziston një “lidhje shumë e fortë midis mafias siçiliane dhe mafisë shqiptare”.
Exit ka kontaktuar edhe Ministrinë e Brendshme për të komentuar nëse ata po bashkëpunonin me autoritetet malteze në lidhje me akuzat, por ende nuk ka asnjë reagim.
Sipas një informacioni konfidencial të marrë nga Projekti italian i Gazetarisë Hulumtuese si pjesë e Projektit Daphne u zbulua se vëllezërit Agius janë hetuar për kontrabandën e cigareve, trafikimin e armëve dhe aktivitete të tjera të tipit mafizo në të gjithë Evropën.