Përtej shtigjeve të rrahura – 24 orë në Berat

Nga Alice Elizabeth Taylor
Përtej shtigjeve të rrahura – 24 orë në Berat

Qofsh shqiptar apo i huaj që këtë vend e quan shtëpi, gjasat janë ta kesh vizituar Beratin.

I gjendur në jug të Shqipërisë, qyteti shtrihet përgjatë fushës së Myzeqesë, përshkrohet nga lumi Osum dhe shkon deri rrëzë malit të shenjtë për bektashinjtë – malit të Tomorrit. Një zonë e rrezikshme për të lëvizuar gjatë viteve ’90, për shkak të krimit të organizuar dhe grupeve mafioze që gëlonin, sot Beratit i është dhënë një frymë e re jete dhe ai po e prezanton veten si një destinacion turistik kryesor për këdo që viziton Shqipërinë.

I famshëm për arkitekturën, për lidhjet me Eduard Lirin dhe Lord Bajronin, Berati është një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe vetëm këtë verë ai u vizitua nga më shumë se 120 mijë vizitorë. Por ç’ka për të na ofruar vallë Berati përtej shtigjeve të rrahura? Teksa pjesa më e madhe e vizitorëve, që kalojnë ditën në Berat, bëjnë foto të pjesës ku takohen Mangalemi dhe Gorica, dhe i qepen malores së kalasë, qyteti i lashtë magjepsës ka plot mbulesa për ta zbuluar. Ja se ç’mund të bësh në 24 orë në Berat përtej atyre shtigjeve të rrahura nga të gjithë.

Kantina e Shqipërisë

Nëse Korça mund të quhet Ferma e Shqipërisë, dhe Shkodra Kopshti i Shqipërisë, atëherë Berati është padyshim Kantina e Shqipërisë. Në hyrje të qytetit, kur vjen nga Fieri, nga të dyja krahët e rrugës të tërheqin hektarë të tërë me vreshta. Hyr edhe ca më tej në fshatrat përreth, përgjatë rrugëve gjarpërore që të shtien frikën, dhe ke për të zbukuar vreshta të lashta për të cilat përkujdesen familje që tokën e kanë punuar për breza me radhë.

Një perlë e tillë është Kantina Alpeta, që gjendet në Roshnik, 25 minuta jashtë Beratit. Kantina është pronë e familjes Fiska, e cila kultivon ullinj, rrush, mandarina dhe fruta të tjera, si dhe bën raki dhe disa lloje të mira verërash. Ulesh aty në kopshtin e tyre, me pamjen e mrekullueshme të luginës dhe të Tomorrit atje tej, gjerb atë rakinë e vjetëruar në fuçi lisi dhe ha mish keci në hell nga restoranti familjar i fshatit. Ashtu ulur, duke thithur paqen dhe qetësinë e rrethinës, shqetësimi i vetëm do të jenë tringëllimat e këmborëve të lopëve apo pallja e ndonjë gomari vetmitar që hallakatet vërdallë.

Ndërkohë që Berati është i njohur për kantina me nam e me histori të gjatë, si Çobo apo Nurellari, janë vende të vogla si kjo kantinë që të lejojnë të shkëputesh tërësisht nga bota e jashtme dhe të zhytesh një përvojë vërtet autentike beratase.

Kultivimi i shafranit

Në varësi të stinës se kur e viziton Beratin, mund ta gjesh veten përpara një surprize krejt të papritur. Katër vjet më parë Sheme Ruci pati idenë për të nxjerrë më të mirën nga tokat pjellore dhe kushtet fatlume klimatike të zonës, dhe vendosi të niste kultivimin e shafranit. Ai tani merr në punë deri në 60 vetë për të mbjellë, kultivuar, korrur dhe përgatitur shafranin e Beratit për eksport në tregjet ndërkombëtare si Italia dhe më gjerë. Me çmimin që i avitet 10 mijë eurove për kile, duhen rreth 250 mijë lule për të bërë vetëm 1.000 gramë të kësaj erëzë të çmuar.

Lulet e shafranit çelin për vetem tri javë aty nga fundit i tetorit, ndaj në mundsh ta ndash mirë kohën, ka shanse ta gjesh veten krah të birit të Shemes – anglishtja e mirë e të cilit ndihmon, –  duke soditur parcelat radhë më radhë me lulet vjollcë. Aroma delikate e luleve të purpurta, përzier me gumëzhimën e bletëve dhe me atë pamjen sa të ha syri të qilimit ngjyrëndezur, është nga ato përvojat që njëherë të vijnë në jetë.

Gurgdhëndësi i Beratit

Shtëpia e familjes Fani gjendet sipër në Mangalem, mu nën muret madhështorë të kalasë së famshme. Familja ka jetuar këtu për breza, duke trashëguar mjeshtërinë e punimit dhe gdhëndjes së gurit nga babai tek djali për pothuajse 400 vjet. Sot Xhoxhi Fani po ia jep zanatin vajzës së tij më të vogël, por familja është e shqetësuar se kjo zeje fisnike do të zhduket krejtësisht.

Në vizitofsh ndonjë kishë, shesh apo ndërtim mbresëlënës në Berat, gjasat janë që duart e Xhoxhit kanë luajtur një rol kyç në punimin e gurit. Që nga oxhakët e zjarrit të punuar me kujdes, deri tek burimet e ujit dhe bustet e gdhendura bukur, puna e Xhoxhi Fanit është e papërshkrueshme në madhështinë e saj dhe në vëmendjen për detajet më të vogla.

Kush mund të ketë fatin të jetë mysafir për ca orë në shtëpinë e Fanit, mund të qëmtojë në studion dhe shtëpinë e familjes, përpara se të shijojë përzgjedhjen e likerëve të bërë në shtëpi dhe frutave të thara në tarracë. Nga këtu, pamja mbi Beratin e vjetër të lë krejt pa frymë dhe mund t’i hysh bisedave dhe ëmbëlsirave, teksa nja dy mace mikpritëse të prekin këmbët në kalim e sipër.

Dyqani i suvenirëve të Samiut

Teksa dyqani vetë mund të mos jetë një nga perlat e Beratit, sendet e mahnitshme që gjen brenda me siguri që janë. I gjendur në rrugën që shkon sipër drejt Kalasë, pranë muzeut hebre, dyqani mban thesare të pazbuluara.

Samiu është një personazh interesant – ai lëviz sa andej këndej nëpër dyqan, duke treguar artefakte dhe koleksionin e fotografive nga e shkuara. Profesor dhe gazetar i dalë në pension prej vitesh, ai ka qenë mik i mirë me Ismail Kadarenë dhe ka një histori për të treguar për çdo send në dyqan.

Grumbuj letrash, fotosh dhe dokumentesh, dollape plot me argjend dhe unaza me gurë të çmuar nga kohët osmane, këmisha të thurura me mëndafsh prej 250-vjetësh, dhe qilima të endur me lesh dhie, ky vend është shpellë Aladini për meraklinjtë e artefakteve dhe suvenireve. Piktura me bojra vaji janë vendosur nëpër mure, tufa pëlhurash me ngjyra të ndezura derdhen buzëve të një djepi të vjetër të pikturuar, dhe ora xhepi në sikroni të plotë me njëra-tjetrën bëjnë tik-tak, teksa ti nuhat erën e kohëve të shkuara.

Hotel Berati

Teksa shumë njerëz nuk e bëjnë dy për të zgjedhur modernitetin e pashpirt përpara rehatisë së modës së vjetër, për mua nuk ka më mirë se një oxhak i madh guri, pëlhura autentike, punime tradicionale artistike, gatime shtëpie dhe rehati – pikërisht kjo është ç’ofron Hotel Berati. Berati ka plot vende për të qëndruar, por unë kam zgjedhur gjithnjë këtë. Që nga buzëqeshjet miqësore të pronarëve e deri tek dhomat e thjeshta, të rehatshme, ama padiskutim shqiptare, të gjitha më bëjnë të ndihem në shtëpi, dhe ky vend është xhevahir i vërtetë.

Porta e madhe dhe pjesa e restorantit janë projektuar dhe gdhendur nga duart e Xhoxhi Fanit dhe gruaja e tij ka punuar me dorë shumicën e çentrove, perdeve dhe mbulesave, ndaj edhe kur hyn ndihesh sikur po futesh në shtëpinë e dikujt. Me qilima me forma të ndryshme gjeometrike, shilte me lëkurë deleje dhe petulla të mbushura me djath për mëngjes, ky vend është i preferuari im për të pushuar gjatë vizitave në Berat.

Gatimet në shtëpi të Lilit

Kam ca vende të preferuara ku shkoj për të ngrënë kur jam në Berat – Heaven’s Kitchen, për një vakt të shpejtë, por me shërbim cilësor, ose tek restoaranti WilDor, për mish lepuri të shijshëm ose derri të egër të gatuar mirë, shoqëruar me një koleksion të mirë verërash të zonës – por për një vakt ndryshe, zgjedhja ime është Lili.

Lokali i Lilit është një shtesë e shtëpisë së pronarit dhe ka vetëm pak tavolina. Tek Lili duhet të rezervosh paraprakisht, sepse tavolinat zihen shpejt. Aty shërbehen gatime shtëpie me perime dhe produkte të stinës, ndaj është më mirë të pyesësh Lilin se çfarë të porosisësh, sesa të merresh me menunë. Provo verën dhe rakinë e bërë vetë dhe perimet nga kopshti i tyre – mos prit ndonjë eksperiencë si në restorant, por si në një familje tipike shqiptare.

Berati është një vend i mrekullueshëm, ku çdo herë që shkoj, zbuloj diçka të re. Këto ishin ca orientime nga unë se ç’mund të shohësh, të bësh e të përthithësh në Berat në vetëm 24 orë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>