Ka kaluar një vit që kur qeveria vendosi të ndërhyjë në Sheshin Shqiponja, por pas zhvillimit të tre tenderave dhe ndryshimit dy herë të projekteve ende nuk dihet se kush do ta ndërtojë nënkalimin në hyrje të Tiranës.
Tre kompani, Salillari, Alb Building dhe Instituti Konsulencës në Ndërtim (IKN)* pjesmarrëse në tenderin e fundit që u mbajt më 22 korrik janë ankuar në Komisionin e Prokurorimeve Publike (KPP) për skualifikim nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARrSH).
Rasti është i ngjashëm me atë të tenderit për tunelin e rrugës Kardhiq-Delvinë. Edhe në tenderin e Sheshit Shqiponja ARrSh ka skualifikuar kompanitë me oferta më të ulëta dhe ka shpallur fituese kompaninë Vëllezërit Hysa me ofertën më të lartë.
Më poshtë Exit.al sjell historikun e tenderave të Sheshit Shqiponja.
Sheshi u përfshi në projektin rehabilitues të Unazës së Re, që nis nga shkolla Teknologjike. Kjo rrugë u nda në 3 segmente – Segmenti 1 ishte Sheshi Shqiponja – dhe u dha për t’u punuar me 3 tendera të ndryshëm.
Tenderat e hapur në shtator 2018 për 3 segmentet e Unazës së Re:
Segmenti 1 – Sheshi Shqiponja – me vlerë €18 milionë u fitua nga bashkimi i kompanive Biba X & DH Albania. Vëllezërit Hysa nuk paraqitën as ofertë as dokumentacion.
Segmenti 2 me vlerë €12,6 milionë u fitua nga Salillari. Vëllezërit Hysa nuk paraqitën as ofertë as dokumentacion.
Segmenti 3 me vlerë €9,4 milionë u fitua nga kompania Viktoria Invest Internacional & Viktoria Invest. Vëllezërit Hysa nuk paraqitën as ofertë as dokumentacion.
Me të shpallur fituesit u nis me punimet. U hoq monumenti Shqiponja në shesh dhe pemët deri te shkolla Teknologjike. Banorët e zonës filluan protesta për shpronësime.
Kur kompania Dh-Albania doli se kishte falsifikuar dokumentet, qeveria anuloi tenderin. Ndërsa në dy segmentet e tjera puna nuk vazhdoi më sepse qeveria nuk nxori vendim për shpronësime.
Falsifikimi prej Dh-Albania, bëri që në janar drejtori i ARrSH, Afrim Qendro, të shkarkohej. Në vend të tij u emërua Sonila Qato, ish-Ministre e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Tetë muaj më vonë, ish-Ministrja paditet nga Gjoka Konstruksion për “shpërdorim detyre, korrupsion dhe favorizm” në tenderin për tunelin në Kardhiq-Delvinë.
Tenderi i katërt (i dyti për Segmentin 1) i hapur në dhjetor 2018:
Në dhjetor ARrSH rihapi tenderin për Sheshin Shqiponja, por me një reduktim të fondeve. Sidoqoftë, tre muaj më vonë e anuloi sërish, kësaj here me arsyetimin se “asnjë nga ofertat e paraqitura nuk përputhej me kriteret”.
Pas anulimit, Ministria e Infrastrukturës vendosi ta ndryshonte projektin duke bashkëpunuar me Bashkinë Tiranë. Edhe projekti i ri pa të njëjtën vlerë financimi, por në vend të një mbikalimi u vendos për nënkalim.
Tenderi i pestë (i treti për Segmentin 1) i hapur në korrik 2019:
Në garë morën pjesë 8 kompani. ARRSH skualifikoi 5 prej tyre dhe shpalli fituese Vëllezërit Hysa, të cilët ndryshe nga tenderat e një viti më parë, paraqitën ofertë prej €14,6 milionë (1,78 miliardë lekë).
Megjithatë, kjo kompani nuk kishte ofertën më të ulët. Salillari ofroi €14,5 milionë ndërsa Alb Building €14 milionë, por këto dy kompani u skualifikuan për mos plotësim kriteresh.
Mirëpo më 23 gusht dy kompanitë Salillari dhe Alb Building u ankuan për vendimin e ARRSH dhe Komisioni i Prokurimit Publik ka vendosur pezullimin e tenderit deri në një vendim përfundimtar.
Kështu një vit pas vendimit të qeverisë për të ndërhyrë në Sheshin Shqiponja, nuk ka ende një kompani të shpallur fituese.
*IKN është ankuar për tenderin e Segmentit 2 të Unazës së Re, ajo pati paraqitur ofertë për supervizim punimesh.