Bashkia Tranë do të ndërtojë të gjithë hapësirën që tani zihet nga Kopshti Zoologjik, duke shtuar veç infrastrukturës për kafshët edhe objekte tregtare si restorante dhe bare.
Pa transparencë dhe pa asnjë konsultim publik, Bashkia ka organziuar tenderin për ndërtimin, i cili do të ketë një kosto prej rreth 7 milionë euro. Fitues është një bashkim katër kompanish ndërtimore, Ed Konstruksion, G.P.G. Kompani, Alba1450 Konstruksion dhe VEKO.
Projekti përfshin shëmbjen totale të ndërtesave të tanishme dhe ngritjen e ndërtesave të reja. Bashkia pretendon se hapësira që do të zihet nga mjediset që shërbejnë për mbajtjen e kafshëve do të rritet nga 1450 në 3026 m2.
Këtyre mjediseve do t’u shtohen ndërtesa që do të shërbejnë për shërbime mbështetëse si veterinari, administrative dhe për mësim-dhënie për fëmijët. Kompleksi i ri do të ketë gjithashtu ndërtesa për restorante dhe bar-kafe. Një parkim nëntokësor për rreth 100 makina është gjithashtu pjesë e projektit. Projekti përfshin tharjen e pellgjeve të tanishme duke premtuar krijimin e pellgjeve të reja me thellësi deri në dy metra.
Ndërtimi i Kopshtit Zoologjik është faza e parë e një projekti më të madh ku përfshihet edhe ndërtimi i Kopshtit Botanik.
Ndërhyrja në Kopshtin Zoologjik ishte premtim i Zotit Veliaj për mandatin e parë në Bashkinë Tiranë.
Duke e përshkruar gjendjen se “luani ha patate” dhe duke premtuar se nën drejtimin e tij gjërat do të ndryshonin, Veliaj paraqiti në Top-Channel një projekt për bashkimin e Kopshtit Zoologjik me Kopshtin Botanik duke pretenduar se transformimi do të zbatohej në bashkëpunim me Bashkinë e Berlinit.
Propjekti më vonë mori ngjyra futuriste me tunele të nëndheshme që do lidhin të dy kopshtet.
Si pjesë e plantit të tij, Veliaj u përpoq të marr Kopshtin Botanik në pronësi nga Universiteti i Tiranës, çfarë ka çuar në një konflikt ligjor mes palëve, i cili po shqyrtohet nga Gjykata e Tiranës.
Veliaj nuk bëri asnjë gjë në mandatin e tij të parë dhe e përsëriti idenë në janar 2019 me premtimin se “kopshti i ri do jetë katër herë më i madh.”
Në mars 2019, në emisionin Opinion të TV Klan, Veliaj u shpreh se edhe Teatri i Kukullave do të vendoset në një godinë që do jetë pjesë e kompleksit të ri të Kopshtit Zoologjik dhe Botanik.
Planet e Veliajt për këtë pjesë të lakmuar të Tiranës kanë ndryshuar në kohë të ndryshme dhe mbeten ende të paqarta, madje edhe tani që ai ka përzgjedhur kompanitë ndërtuese që do të zbatojnë projektin.