Pesë gjëra që mësuam nga përgjimet Avdylaj-Dako

Nga Neritan Sejamini
Pesë gjëra që mësuam nga përgjimet Avdylaj-Dako

Përgjimet e prokurorisë, të botuara nga gazeta gjermane Bild, japin një pamje dramatike të bashkëpunimit të ngushtë midis kryebashkiakut dhe kryetarit të PS-së Durrës Vangjush Dako me një nga bandat më të rrezikshme të trafikut ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës, e cila tashmë gjendet në burg.

Nga përgjimet dalin pesë gjëra të qarta.

  1. Vangjush Dako ka bashkëpunuar ngushtë me organizatat kriminale për të siguruar vota

Bisedat e përgjuara dëshmojnë se trafikanti ndërkombëtar Astrit Avdylaj, tashmë i arrestuar për trafik droge, dhe kryebashkiaku Vangjush Dako kanë pasur një bashkëpunim konspirativ të vetëdijshëm për të vjedhur vota. Avdulajt kanë pasur de facto me kërkesë të Dakos rolin e menaxherit të fushatës së socialistëve për të siguruar vota në zonën e Shijakut dhe më gjerë në rajonin e Durrësit.

Aq i qartë ka qenë ky rol, sa Avdylaj i premton Dakos përmbushjen e objektivave të qarta elektorale, marrjen e 10 deputetëve nga 10 të mundshëm në zonën Durrës-Shijak.

Si pjesë e këtij bashkëpunimi kriminal mes zyrtarëve të lartë të PS-së dhe Avdylajve, ata diskutojnë detaje të hollësishme të veprimeve që banda Avdylaj do të bënte për të siguruar vota, përfshi blerjen e votave dhe trysninë apo kërcënimin direkt ndaj votuesve për të votuar për PS-në.

Përgjimet tregojnë se marrëdhënia e Dakos me Avdylajt është miqësore, e vetëdijshme dhe e barabartë. Bisedat mes tyre tregojnë një marrëdhënie partneriteti: Avdylajt flasin, koordinojnë dhe sillen me Dakon me sigurinë dhe lirshmërinë e njeriut që është në pozitë të barabartë me tjetrin, në një sipërmarrje të përbashkët, pra si partner i barabartë.

  1. Partia Socialiste dhe shteti në rajonin e Durrësit janë kapur nga krimi

Pothuajse të gjithë përfaqësuesit më të lartë politikë të Durrësit janë ose direkt njerëz të krimit, ose të lidhur me të. Përgjimet dëshmojnë se banda e Avdulajve përcakton se kush do të jenë kandidatët për deputetë dhe kryebashkiakë. Pasi arrijnë t’i kandidojnë zyrtarisht në listat socialiste, Avdylajt sigurojnë votat për zgjedhjen e tyre. Pastaj ata kontrollojnë pushtetin duke komanduar zyrat e hipotekave, të tatimeve, të ndërmarrjeve publike etj., përveç kontrollit mbi përfaqësuesit më të lartë politikë të pushtetit, që nga deputetë e deri te kryebashkiakët lokalë.

Në Durrës, Partia Socialiste shërben thjesht si instrument për organizatën kriminale të Avdulajve, me anë të së cilës ata kapin dhe vënë në shërbim të tyre institucionet shtetërore.

Përgjimet dëshmojnë se Ivo Doçi, drejtor në ndërmarrjen lokale të ujësjellës-kanalizme Durrës dhe kryetar i FRESSH-it në Shijak, është eksponent politik i bandës. Elton Arbana, kandidat aktual për Bashkinë Shijak dhe Kryetar i PS-së në Shijak, është gjithashtu eksponent i bandës; në zgjedhjet e vitit 2017 banda u përpoq ta fuste në listat e PS-së për deputet, por bandës i premtuan diçka më të mirë më vonë. Ilir Ndraxhi, deputet i Durrësit, është futur në listat e PS-së dhe tashmë është deputet në Kuvend, direkt nga banda e Avdylajve.

Më parë kemi mësuar se deputeti Ergys Çyrbja, aktualisht deputet në Kuvend, ka qenë bashkëpunëtor i bandës së Shullazit. Gjithashtu, më parë kryebashkiaku Dako u bë garant për lirimin me kusht të Lulzim Berishës, i dënuar për vrasje dhe pjesëmarrje në krim të organizuar.

  1. Krimi po penetron ekonominë formale përmes kapjes së politikës

Në Shqipëri po zbatohet skema e njohur në botë: krimi siguron vota dhe para për politikën, dhe pastaj politikanët sigurojnë kontrata dhe favore ekonomike për krimin, që nga sigurimi dhe zhvillimi i pasurive të patundshme, deri te kontratat e punëve publike. Kapja e ekonomsië pastaj garanton pushtet të gjatë të krimit dhe mbajtjen e politikës nën kontroll përmes financimit të saj.

Avdylajt, përmes Dakos, kontrollojnë zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme në Durrës, ku, siç shprehen në përgjime, “mbarojnë punë”. Ata kryejnë evazion fiskal, duke kontrolluar drejtuesit lokalë të institucioneve përkatëse.

  1. Prokuroria post-reformë në drejtësi është e kapur politikisht

Përgjimet janë në duar të prokurorëve prej të paktën një vit e ca. Nëse mosveprimi i saj mund të justifikohej më herët me mosreformimin, sot në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që heton këtë dosje, është Donika Prela, e cila është jo vetëm emërim si rezultat i reformimit të prokurorisë, por edhe prokurore që ka kaluar me sukses fazën e parë të vetingut. E njëjta gjë është e vërtetë për Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku, e konfirmuar si prokurore në detyrë nga vetingu dhe e emëruar si pjesë e zbatimit të reformës në drejtësi.

Kjo prokurori e reformuar dhe që ka kaluar vetingun nuk ka hapur asnjë hetim për Vangjush Dakon e aq më pak ta arrestojë atë. Pas presionit të madh të opozitës, prokurorët thirrën para dy javës për pyetje Vangjush Dakon, por nuk ndërmorën asnjë veprim tjetër.

Në fakt periudha pas reformës në drejtësi është periudha më e keqe në historinë e prokurorisë, gjatë së cilës nuk është hetuar asnjë politikan i lartë dhe aq më pak të jetë ngarkuar me akuza para gjykatës. Ata pak politikanë që janë nën hetim, si Saimir Tahiri, janë meritë e prokurorisë para emërimit të Arta Markut në detyrë.

  1. E njëjta aleancë politikë-krim si në Durrës është në shumë vende të Shqipërisë

Përveç informacionit konkret në lidhje me Durrësin, përgjimet e fundit vërtetojnë se përmasat e bashkëpunimit politikë-krim janë përtej çdo përfytyrimi normal dhe akzuat e bëra në publik në drejtim të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, me gjasa, janë të gjitha të vërteta.

Nuk ka asnjë arsye pse të mos besohet më se e njëjta gjë nuk ka ndodhur në Elbasan, ku dihen lidhjet e direkte dhe indirekte të kryebashkiakut Sejdini me bandat e qytetit. Vetë kompania doganore e gruas së kryebashkiakut është në hetim për përfshirje të mudnshme në trafik droge, pas kapjes së një sasie heroine në një ngarkesë të trajtuar prej saj.

Nuk ka më asnjë arsye pse të mos besohet se e njëjta gjë ka ndodhur në Peshkopi, për të cilën, sikurse për Durrësin, opozita shprehet se ka përgjime në prokurori.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>