Petrit Vasili akuzon Gjiknurin për pengim të reformës zgjedhore

Nga Exit News
Petrit Vasili akuzon Gjiknurin për pengim të reformës zgjedhore

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili akuzoi sot Damian Gjiknurin se po tenton të bllokojë refomën zgjedhore duke mos pranuar propozimet e opozitës së bashkuar për moratorium 4 vjeçar të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor.

Pas mbledhjes së parë të tryezës katër-palëshe për reformën, Zoti Vasili u shpreh:

“Është e qartë që Gjiknuri dhe Rama kanë vetëm një mision: të bllokojnë reformën zgjedhore.

Gjiknuri kërkon të bllokojë tranparencën e votës së lirë dhe të ndershme duke u fshehur pas pallavrave edramiste për reformën në drejtësi dhe shashkave propagandistike bajate.

Gjiknuri kërkon të pengojë propozimet e opozitës së bashkuar për reformën zgjedhore, për pastrimin e zgjedhjeve të ardhshme nga llumi i turpit të dosjes 184 dhe 339.”

Opozita e bashkuar propozoi sot në Këshillin Politik të reformës që gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor të mos i nënshtrohen vetingut për 4 vite. Po ashtu, ata propozuan që vetingu të ndalet dhe për ata gjyqtarë që marrin pjesë në short për të qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor, për të cilët ka filluar procesi i vetingut.

Opozita e mbron propozimin e saj me argumentin se ky propozim do të bëjë të pavarur Kolegjin Zgjedhor nga presioni i qeverisë përmes vetingut.

Ndërsa Damian Gjiknuri si përfaqësues i shumicës socialiste, tha se nëse miratohet, ky propozim vë në rrezik gjithë procesin e vetingut dhe reformës në drejtësi.

Kolegji Zgjedhor është organi që shqyrton ankimimet e palëve për proceset zgjedhore.

Aktualisht ai përbëhet nga tetë gjyqtarë të përzgjedhur me short nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Në short përfshihen emrat e të gjithë gjyqtarëve të të gjitha gjykatave të apelit të Republikës së Shqipërisë, përveç atyre ndaj të cilëve në momentin e shortit ka masë ose procedim disiplinor.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>