JaMystic ju propozon një mënyrë si mund t’i bëni më atraktive frutat për fëmijët tuaj.
Petulla me mollë
Vazhdojnë recetat me mollën sepse ajo është fruti që gjendet më me lehtësi.
Për 4 persona nevojiten:
–3 mollë Golden ose Fuxhi
–1 gotë vaj për skuqje
–2 lugë gjelle sheqer pudër
Për brumin:
–5 lugë gjelle miell
–1 vezë e plotë + 2 të bardha vezësh
–2 lugë gjelle birrë ( Corona:-)
–1 lugë gjelle vaj
–1 majë luge kripë
Në një enë qelqi hedhim miellin vezën e plotë, vajin, kripën dhe i përziejmë me një lugë druri deri sa të laget i gjithë mielli, pastaj shtojmë birrën dhe i përziejmë përsëri.
Do të përfitojmë një lloj brumi pak më të trashë se ai i krepave. E lëmë masën të qetësohet 1 orë. Një orë më pas rahim të bardhat e vezëve me pak kripë dhe ia shtojmë masës së brumit .
Vendosim tiganin me shume vaj në zjarr.
Mollët e qëruara në formë rrethore i zhysim në brumë dhe i vëmë të skuqen në vaj të bollshëm nga të dyja anët dhe i vendosim në leter thithëse për të hequr yndyrën e tepërt.
E përsërisim veprimin me të gjitha rondelet
Në fund i spërkatim me sheqer pluhur.
Jamystic ju këshillon: Kjo recetë mund të bëhet edhe me banane apo dardhë . Rondelet e mollës pasi t’ju hiqni zemrën mundohuni t’i prisni në trashësinë e një monedhe.