UEFA vendosi të mërkurën të pezullojë pa afat kompeticionet evropiane të futbollit si Champions League dhe Europa League për shkak të pandemisë së koronavirusit. Njësoj u pezulluan edhe ndeshjet kualifikuese të kombëtareve për Euro 2021.
Në mbledhjen e 55 federatave anëtare të UEFA-s është marrë e mirëqenë se në Evropë futbolli nuk mund të rifillojë deri në fund të majit, apo në fillim të qershorit.
Kështu propozimi që mbetet në diskutim është që Champions League e Europa League të shtyhen më tej për t’i dhënë kohë që të përmbyllen kampionatet vendase.
Megjithatë situata e vështirë që po kalojnë – sidomos Spanja e Italia me mbi 20 mijë viktima nga Covid-19 – e bën pothuajse të pamundur që kampionatet e këtyre vendeve të rifillojnë shpejt.
Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin u shpreh javën e shkuar, se nëse sezoni nuk rifillon përpara fundit të qershorit atëherë mund të quhet i mbyllur.
UEFA ka pezulluar prej një muaji ndeshjet në Champions League e Europa League, ka shtyrë kampionatin Evropian vitin tjetër dhe po kështu kualifikueset e saj.