Qeveria italiane pezulloi të hënën të gjitha aktivitetet sportive, përfshirë këtu kampionatin e futbollit Serie-A, por i la vend mundësisë që klubet të stërviten dhe të luajnë ndeshjet e kompeticioneve evropiane.
Për shkak të vendosjes në karantinë kombëtare prej koronavirusit, Italia pezulloi të hënën të gjitha aktivitetet që krijojnë grumbullime njerëzish.
Pas një takimi që qeveria e Giuseppe Contes zhvilloi me Komitetin Olimpik Italian (CONI), ku bëjnë pjesë të gjitha federatat, u ra dakord që stadiumet dhe impiantet sportive të përdoren për stërvitje dhe ndeshje ndërkombëtare, por me dyer të mbyllura.
Kështu vendimi për të pezulluar aktivitetet, nuk do të ndikojë në përgatitjet e atletëve për lojërat olimpike, apo dhe futbollistëve për ndeshjet ndërkombëtare.
Sportmediaset raporton se Inter-Getafe, e parashikuar për t’u luajtur më 12 mars për 1/16 e Europa League dhe Juventus-Lyon, e parashikuar për t’u luajtur më 17 mars për 1/8 e Champions League do të luhen në Itali, por pa tifozë.
Për Interin lajmi u konfirmua edhe nga UEFA. Në mediat shqiptare qarkulloi si “lajm i bujshëm” spekulimi se Juventusi po shqyrtonte mundësinë për ta zhvilluar ndeshjen me Lyonin në Stadiumin Kombëtar Air Albania.
Ky spekulim argumentohej me faktin se Federata Malteze e Futbollit kishte refuzuar një mundësi të ngjashme për ta organizuar ndeshjen në Maltë, teksa propozimi fillestar ishte që të luhej në jug të Italisë.