Pikëpyetjet e operacionit me 137 kilogramë kokainë

Nga Gerard Gega
Pikëpyetjet e operacionit me 137 kilogramë kokainë

Policia shqiptare nuk i ka lidhur me asnjë grup kriminal 137 kilogramë kokainë të kapur nga autoritetet greke. Nuk po heton kompaninë e frutave që kishte porositur bananet nga Ekuadori. Ka arrestuar vetëm 2 persona. I dyshuari si porositës arriti t’i shpëtonte megjithëse ishte i mbikëqyrur. Ndërkohë pas operacionit Drejtori i Policisë Durrës, Alfred Çepe u zëvendësua nga Lorenc Shehu.

Këto fakte shtojnë dyshimet se policia po kërkon ta mbyllë shpejt këtë çështje pa rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar.

Pikëpyetjet e operacionit Quito, mbiquajtur si kryeqyteti i Ekuadorit nga ku vinte kokaina:

  • Policia tha se kishte sekuestruar 137 kilogramë drogë në 4 kontenierë me banane
  • Nuk u tha se ngarkesa qe zëvendësuar me oriz nga policia greke
  • Ngarkesës iu vu gjurmues për të ndjekur personat që do ta merrnin atë
  • Gentian Malindi, Ardian Bega dhe Altin Myslihaka në bashkëpunim me një person të 4 morën një pjesë të drogës
  • Policia nuk tregoi se çfarë sasie morën me vete të dyshuarit dhe se Ardian Bega ishte punonjës i sigurisë në port
  • Sasia që të dyshuarit morën ishte 22 kilogramë, lajmi u publikua nga mediat
  • Policia nuk tregoi se Gentian Malindi, i dyshuar si porositësi, i shpëtoi ndjekjes
  • Policia arrestoi vetëm Begën dhe Myslihakën dhe e konsideroi operacionin e mbyllur
  • Malindi dhe personi i katërt nuk është kapur nga policia, ky i fundit mbetet i paidentifikuar
  • Vetëm 2 nga 3 kamera regjistruan ngjarjen, kamera kryesore 360gradë nuk qe fokusuar te sheshi i terminalit
  • Drejtori i Policisë së Durrësit Alfred Çepe largohet nga detyra
  • Kompania Alba Exotic Fruit që kishte kryer porosinë e bananeve nuk po hetohet
  • Asnjë grup kriminal nuk lidhet me ngarkesën

Kur raportoi mbylljen me sukses të operacionit, Drejtori i Policisë Ardi Veliu tha:

Policia shqiptare organizoi dorëzimin e kontrolluar pas miratimit[…]nga autoritetet greke, procedura të cilat filluan nga pala shqiptare që në muajin gusht dhe përfunduan më 27 shtator. Gjatë kësaj periudhe u organizuan takime […] për shkëmbim informacionesh me autoritetet greke dhe ato të antidrogës amerikane…

Nga kjo deklaratë e zotit Veliu kuptohet se ngarkesa kishte lidhje me sasinë prej rreth 500 kilogramësh kokainë që autoritetet greke kanë kapur dy muajt e fundit.

Në periudhën gusht-shtator në portet e Pireut dhe Selanikut janë kapur vazhdimisht kontenierë me kokainë të ardhura nga Ekuadori dhe mediat greke kanë raportuar për to.

Në fillim të gushtit Ekathimerini raportoi për 52 kilogramë kokainë të kapur në një kontenier me banane në portin e Selanikut.

Më 13 shtator gazeta greke Proto Thema shkroi se në total qenë kapur mbi 100 kontenierë me banane dhe rreth 500 kilogramë kokainë e pastër.

Nga rezultati me vetëm 2 të arrestuar, policia nuk ka qartësuar ende se si mundi të largohej Gentian Malindi, kush qëndronte pas tyre dhe përse ende nuk është thënë asgjë për kompaninë që kishte bërë porosinë e bananeve.

Në raportin e këtij viti Qendra Evropiane e Monitorimit të Drogës dhe Varësisë nga Droga ka nënvizuar se “rritja e sasive të mëdha të trafikimit (të kokainës) përmes porteve, duke përdorur kontenierët, mbetet sfida më e madhe e autoriteteve”.

Të hënën opozita denoncoi se kompania Alba Exotic Fruit, që kishte porositur ngarkesën e bananeve nga Ekuadori, kishte kryer 151 porosi nga i njëjti itenerar gjë që duhej të ngjallte dyshime për policinë.

Por momentalisht nuk ka asnjë raportim që hetimet të kenë nisur edhe për pronarin e Alba Exotic Fruit Eduart Dauti.

Në rastin e një viti më parë, kur u kapën 613 kilogramë kokainë, policia arrestoi si të dyshuar kryesor Arbër Çekajn pronarin e kompanisë Arbri Garden që kishte kryer porosinë e bananeve.

Sidoqoftë fatkti mbetet se bilancin e rrumbullakosur me 750 kilogramë kokainë në më pak se dy vite policia ia faturon vetëm disa individëve dhe asnjë bande.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>