Piktura dhe diplomacia ekonomike

Nga Bildo
Piktura dhe diplomacia ekonomike

Qarkullon një histori nëpër kafenetë e Tiranës, që si shumica e historive të kafeneve mund të jetë thjesht trillim i ndonjë shakaxhiu inteligjent, por që tingëllon aq e besueshme sa është përsëritur e përhapur duke u bërë legjendë urbane. Por ne jetojmë në një kohë kur historitë e shpërndara gojë më gojë shpesh thonë më shumë të vërteta se ato që përhapen nga gazeta e televizione.

Historia flet për një qytetar shqiptar, të kthyer nga një prej Emirateve Arabe, i cili takon Kryeministrin për t’i shprehur interesin e një sheiku të pasur për të parë mundësi investimi në Shqipëri. Kryeministri shfaq interes të menjëhershëm e fillon ta pyesë bashkëbiseduesin për pasurinë e pushtetin e sheikut. Mbasi sigurohet që sheiku ishte realisht i fuqishëm, Kryeministri i thotë ndërmjetësit: “Shiko, se investimet aty janë dhe i rregullojmë, po a flet dot me këtë sheikun që të hap një ekspozitë unë atje?”

Para pak ditësh, nga faqja në Facebook e Zotit Rama mësuam se, pas Parisit e Mynihut, nderin e ekspozitës së skicave me ngjyra të ndezura mbi kalendar të Kryeminsitrit të Republikës së Shqipërisë e pati Hong Kongu, një ndër tre qendrat më të mëdha financiare të botës.

Në formë aperitivi para përurimit të ekspozitës, Kryeministri organizoi një forum investimesh, në të cilin i foli komunitetit të biznesit, të vendit ndoshta me klimën më tërheqëse të biznesit në botë, për mundësitë e përfitimet që mund t’u ofrojë Shqipëria. Veçse Shqipëria është e fundit në Europë për klimën e biznesit e me sa duket këtë e dinë edhe në Hong Kong, pasi në sallën e vogël ku foli Kryeministri kishte më shumë shqiptarë se kinezë.

Po përse duhet harxhuar kohë e para për t’i ilustruar mundësitë jo aq të mrekullueshme të biznesit në Shqipëri ,një publiku të përbërë më së shumti nga biznesmenët vendas (që ju ishte ardhur rradha për të paguar avionin çarter të udhëtimit të rradhës së Kryeministrit)?

Përgjigjen e gjen në fotot e vizitës të publikuara në faqen e Facebookut të Kryeministrit vanitoz, duke na dhënë, në të njëjtën kohë, një përgjigje mbi besueshmërinë e historive që tregohen në kafet e Tiranës.

Në botë ka shekuj që thuhet se Vox Populi, Vox Dei.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>