Plagoset me granatë Kryetari i Bashkisë Lushnje

Nga Redaksia
Plagoset me granatë Kryetari i Bashkisë Lushnje

Kryetari i Bashkisë Lushnje, Fatos Tushe dhe sekretarja e tij Erisa Qalliu u plagosën sot nga ish-shoferi i Zotit Tushe, brenda mjediseve të Bashkisë Lushnje. Pas një sherri në mjediset e bashkisë, Gëzim Saraçi, ish-shofer i kryebashkiakut Tushe hodhi granatë në zyrën e tij duke plagosur zotin Tushe dhe zonjën Qalliu.

Të dy zyrtarët e bashkisë u dërguan në Spitalin Universitar të Traumës. Ata janë jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa ish-shoferi Saraçi arritit ti largohej policisë.

Mediat raportojnë se midis zotit Tushe dhe zotit Saraçi, ka pasur konflikte edhe më parë.

Partia Demokratike e cilësoi ngjarjen “pasqyrë të drejtimit të vendit nga socialistët”. Përmes një deklarate për shtyp PD e lidhi ish-shoferin e zotit Tushe me trafikun e drogës dhe prostitucionit.

“Është fakt i njohur në Lushnjë, se ish shoferi i kryetarit të Bashkisë Lushnjë, një trafikant droge dhe prostitucioni, ka financuar fushatën elektorale të Fatos Tushes. Çdo lushnjar e di se personi që ka kryer sot goditjen kundër kryebashkiakut, ishte njeriu më i besuar i Fatos Tushes dhe që bënte çdo pazar në emër të tij.

Ngjarja e rëndë e ndodhur sot në zyrën e kryebashkiakut të Lushnjës, është tregues i degradimit të shtetit të ndërtuar prej Edi Ramës, si dhe një fakt më shumë se njerëzit me të cilët ai përfaqësohet, blen vota dhe mban pushtetin janë llumi i shoqërisë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>