
Policia publikoi foton e personit që sulmoi paraditen e sotme kryebashkiakun e Lushnjes Fatos Tushe dhe vendosi shpërblim prej 1 milionë lekësh për këdo që jep informacione të vlefshme për kapjen e tij.
Fotoja e Gëzim Saraçit, i shpallur në kërkim, u bë publike, pak orë pasi ai sulmoi me granatë kryebashkiakun Tushe në zyrën e tij duke e lënë të plagosur atë dhe sekretaren Erisa Qalliu.
Sipas mediave, Saraçi u ndihmua nga persona të tjerë për t’iu larguar policisë. Ai dyshohet se është i armatosur dhe fshihet në rrethinat e Lushnjes në një zonë jo shumë larg Dumresë.
Duke garantuar mbrojtjne e anonimatit, policia ka bërë thirrje që qytetarët të njoftojnë për informacione në numrin 112, 069 41 07 337, ose në komisariatin digjital.
Ngjarja në fjalë u konsiderua nga Partia Demokratike si “pasqyrë e drejtimit të vendit nga socialistët”, ndërsa konflikti u lidh “me pazaret e drogës dhe shitblerjet e votave”.