Planet për të kthyer vilën e ish-diktatorit Hoxha në qendër kulturore dhe muze

Nga Exit News
Planet për të kthyer vilën e ish-diktatorit Hoxha në qendër kulturore dhe muze

Qeveria planifikon të hapë vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha për ta kthyer në një qendër të vizitueshme për publikun.

Një studio britanike, Stanton Williams Architects, ka planifikuar ndryshimin e vilës nga një vend i ndaluar kur dikur shumë pak mund t’i afroheshin në një vend të hapur që do të shërbejë si muze dhe për aktivitete kulurore.

Në një reportazh të The Times kushtuar planeve për ndryshimin e vilës, Vanessa Norwood, një nga arkitektet e përfshira, thotë se “Ideja është që [vila] të bëhet një vend ku ajo që ai [Hoxha] ndaloi tani të inkurajohet”

Duke qeshur ajo shprehet se në oborrin e vilës mund të zhvillohen koncerte ku burra me mjekërr luajnë trombën franceze, një ironi ndaj regjimit të kohës i cili i ndalonte ato si ‘shfaqje të huaja të degjeneruara’.

Arkitektët britanikë planifikojnë që një pjesë e vilës të shërbejë si hapsirë për artistët ndërsa një pjesë tjetër si muze për të treguar ku dhe si jetonte diktatori. Në planet e tyre përfshihet gjithashtu një kafene, një hapësirë për ekspozita dhe një librari.

Në një prononcim për The Times, gazetari Blendi Fevziu gjithashtu autor i biografisë së Enver Hoxhës, ka mbështetur idenë e hapjes së vilës për publikun.

“Të gjithë tani duan ta harrojnë atë kohë të tmerrshme. Shumica e shqiptarëve nuk duan ndonjë lidhje me të. Ne kemi nevojë për të hapur vilën si një muze për të treguar të gjitha gjërat e këqija që ai [Hoxha] bëri.”

Vila ka mbetur e paprekur që kur Hoxha vdiq 36 vjet më parë. Ajo ka qenë e mbyllur për publikun përveç rasteve të veçanta. Pak gjëra brenda saj reflektojnë tmerret që ai i bëri vendit. Ai e projektoi shtëpinë në vitet 1970 me ndihmën e revistave të huaja të arkitekturës pasi asnjë nga ndalimet që ai vendosi për shqiptarët nuk zbatohej për të.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>