Drejtori i Përgjithshëm i Planifikimit Urban në Bashkinë Tiranë, Ditjon Baboçi, në një intervistë në Top Channel shpalosi me fjalë projektin për të lidhur me një tunel të nëndheshëm kopështin zoologjik me atë botanik.
Ai u shpreh se “do të ndërtohet një tunel poshtë rrugës, ose do të jetë një akuarium me kafshë nënujore ose me flutura nga e gjithë Shqipëria.”
Lidhja mes dy parqeve është zhvillim i mirë, parimisht, dhe ndoshta i domosdoshëm për t’i dhënë kopështit zoologjik hapësirën e nevojshme për të qenë kopësht dinjitoz për një kryeqytet.
Në fakt ka mbi 5 vjet që flitet për lidhjen e dy kopshteve, për të krijuar një park të vetëm. Por do të duhej të vendosej nëse lidhja do të duhej të bëhej me urë, me tunel, apo me një pjesëz tjetër park.
Sikurse thotë shprehja “më thuaj si i trajton kafshët dhe të të them kush je”, Kopështi Zoologjik tregon shumë për Tiranën. Deri tani ai ka qënë tregues i moskokëçarjes dhe trajtimit as-kafshëror të kafshëve.
Ndaj, Bashkia Tiranë po bën gjënë e duhur që ka vendosur ta modernizojë e përmiresojë shtëpinë e saj të kafshëve.
Vetem se, si shumë projekte të tjera, ky i lidhjes së kopshteve prezantohet si surprizë, si një arritje e Bashkisë, diku pas kuintave.
Nuk ka as konsultime publike, as prezantim alternativash, as konkurim.
Ndjesia që të krijohet nga intervista është “surpriza e rradhës do të jetë ….Tuneli Mbarëshqiptar i Fluturave”. Pas sheshit mbarëshqiptar, tani vjen edhe Tuneli Mbarëshqiptar i Fluturave Mbarëshiqptare.
Në fakt, fluturat nga të gjitha trojet shqiptare janë konfirmimi i rradhës i një koncepti problematik, apo mungesës së një koncepti të mirëfilltë. Tuneli lidhës plot me flutura patriotike është zgjidhje nga e keqja. Mbase Bashkia Tiranë, duhet të planifikojë krijimin e një hapësirë të mirëfilltë për t’i lidhur të dyja parqet me më shumë se sa një tunel patriotik.
Tunele fluturash e zogjsh ka në shume parqe zoologjike. Ato janë të tilla për të krijuar një lloj mikroklime të kontrolluar të nevojshme për specie të veçanta. Ato nuk janë tunele lidhëse, ku nga një park të shkohet te një park tjetër, në mënyrë pothuajse të fshehtë.
Për më tepër është shqetësuese që mbarëshqiptarizmi ka arritur deri te fluturat. Akoma më shqetësues është fakti që në Bashkinë Tiranë planifikimi urban është shndërruar në një instrument propagande dhe jo shërbimi ndaj qytetarëve.
Minimalisht Bashkia Tiranë duhet të aplikojë mekanizma planifikuese të tilla si Transferimi i të Drejtës së Zhvillimit, aq shumë i trumpetuar nga Bashkia Tiranë, dhe se tuneli është “zgjidhje” nga e keqja. Me apo pa flutura, këtë le ta vendosin zoologët, botanistët, por jo bashkia.