Platforma Europiane e Kujtesës dhe Ndërgjegjes (PEMC) dënoi të mërkurën deklaratën e kandidates për deputete të PS Luljeta Bozo.
Përmes një njoftimi për shtyp PEMC shprehu “shqetësim të thellë” për deklaratën e Bozoz e cila tha se “Enver Hoxha dhe regjimi i tij kishin më shumë të mira se sa të këqija”.
“Shqipëria ishte një nga vendet më të prekura nga komunizmi. Një mohim i tillë historik njollos kujtesën e mijëra viktimave dhe bie ndesh me vlerat themelore demokratike si: e vërteta dhe drejtësia”, thuhet në njoftimin e PEMC.
Platforma Europiane thotë se “glorifikimi i çdo regjimi totalitar” nuk duhet të pranohet në jetën publike.
PEMC ka shprehur mbështetjen ndaj përfaqësuesve të shoqërisë civile, të cilët kërkojnë nga Bozo “të kërkojë falje dhe të jap dorëheqjen”.
Platforma mbështet “me forcë” qëndrimin e Parlamentit Europian, mbi rëndësinë e kujtesës europiane për të ardhmen e Europës.
Në këtë qëndrim parlamenti “dënon të gjitha manifestimet dhe përhapjen e ideologjive totalitare” dhe “shpreh respekt të thellë për secilën viktimë të këtyre regjimeve totalitare dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve dhe aktorëve të BE-së që të bëjnë gjithçka për të siguruar që krimet e tmerrshme totalitare kundër njerëzimit dhe shkeljet sistematike të të drejtave të njeriut të kujtohen dhe të dalin para drejtësisë”.
Rreth një javë më parë një nga zyrtarët e lartë të Partisë Socialiste në pushtet, Damian Gjiknuri mbrojti gjithashtu mendimin e shprehur nga Bozo. Ai deklaroi se regjimi komunist kishte qenë i mirë për fushën publike të Shqipërisë, por jo aq për privatin.
“Regjimi komunist kishte anët e veta të mira dhe të këqija. Ishte më mirë për sferën publike por jo e mirë për privatin,” tha Gjiknuri kur u pyet nëse ai mbështeste një nga pretendimet e koleges së tij.
Më 23 mars një grup i organizatave të diasporës kërkuan ndihmë nga institucionet e BE. Ata kërkuan që BE të “bëj presion” ndaj partive politike të Shqipërisë për të hequr kandidatët që “vlerësojnë komunizmin” nga lista e tyre.
Ata kujtuan se Parlamenti i Shqipërisë drejtohet nga Ministri i fundit i Brendshëm komunist, Gramoz Ruci, i cili urdhëroi policinë të përdorte armë zjarri kundër protestuesve përpara rënies së regjimit, duke rezultuar në vdekjen e katër personave. Për më tepër, ata shtuan se mbi 100 ish-oficerë të shërbimit sekret gjatë regjimit janë ende të punësuar në Ministrinë e Brendshme.
Regjimi komunist i Shqipërisë ishte një nga ato më brutalët dhe shtypësit. Ajo mbajti një popullsi prej gati 3 milion njerëz të izoluar dhe të prerë nga bota për gati 50 vjet.
Mbi 50,000 njerëz u internuan dhe u dërguan në kampe pune, 43,000 u burgosën për pikëpamje politike, mbi 6000 njerëz u ekzekutuan për arsye politike, shumë pa gjyq.
Shtypja e të drejtave dhe praktikave fetare u krye duke mbyllur ose shkatërruar mbi 2.000 ndërtesa fetare dhe duke ekzekutuar ose dërguar në kampe pune më shumë se 200 klerikë.
Ka rreth 6,000 njerëz të zhdukur në Shqipëri, trupat e të cilëve nuk janë gjetur.