Po Arta Marku, nuk ka asgjë për të thënë për ARMO-n?

Nga Carloalberto Rossi
Po Arta Marku, nuk ka asgjë për të thënë për ARMO-n?

Dy ditë më parë, punëtorët e rafinerive të ARMO-s i kërkuan për të disatën herë Kryeministrit Rama dhe inistrave Ahmetaj dhe Gjiknuri rrogat e prapambetura. Por si kryeministri dhe ministrat, përfaqësues të vërtet të atyre që ngatërrojnë privaten (e të tjerëve) me publiken, dhe më pas publiken me privaten (e tyre), lanë duart, duke sqaruar se rafineria administrohet nga një shoqëri private, dhe që qeveria nuk mund të ndërhyjë.

Por qeveria tashmë ka ndërhyrë dhe madje shumë rëndë. Në fakt kompania e radhës, këtë herë e Besnik Sulajt, nuk mund të kishte marrë kurrë nën kontroll rafineritë pa bashkëpunimin dhe mburojën e qeverisë, duke qënë se rafineria është një objekt strategjik në pronësi (të paktën deri pak kohë më parë) të një shoqërie ku aksioner është edhe shteti.

Pa bashkëpunimin dhe mbrojtjen e qeverisë, të gjithë funksionarët e ARMO-s dhe të shoqërive të ndryshme të rreme që kanë hyrë në marrëdhënie më të do të ishin në burg për evazion fiskal, ndoshta në të njejtën qeli me ndonjë shitës ambulant të Tiranës që nuk ka patur kasë fiskale.

Ndërkohë, vetëm në vitin 2017 ARMO ka grumbulluar rreth 50 milionë euro taksa të papaguara, nuk ka paguar Bankers për furnizim me lëndë të parë dhe nuk ka paguar pagat e 1200 punëtorëve fatkeq.

Çështja e  ARMO-s është se privatizimi i rafinerive nuk duhet dhe nuk mund të ndryshojë thelbin e problemit, pra respektimin e ligjit ligjit, që në çdo rrethanë e ndaj çdo subjekti është ende detyrë e shtetit, ndonëse ndërmjet platformave të bashkëqeverisjes dhe shumë reformave të drejtësisë, tani, sinqerisht, nuk kuptohet më se kush duhet të bëjë çfarë.

ARMO nuk ka paguar për vite me radhë sigurimet shoqërore, nuk ka paguar taksat e karbonit dhe ato të  karburantit— por si shpjegohet që askush nga administrata fiskale nuk e ka vënë re? Po edhe sikur askush të mos e keshte vënë re deri më tani, këto ditë lajmi është në të gjitha gazetat, dhe të gjitha “vendimet zyrtare” të publikuara mund të përkthehen lehtësisht si shpërdorim detyre nga ana e qeverisë.

Por, askush nuk flet, sepse të gjithë e kuptojnë se është një çështje politike dhe juridike shumë më e ndërlikuar dhe e rëndë, me bashkëpunimin dhe ndërhyrjen e interesave të afta për të tronditur të gjithë qeverinë.

Sipas ambasadorit amerikan Donald Lu ishte ish-Prokurori i Përgjithshëm Llalla ai që nuk hapte hetimet kundër “peshqëve të mëdhenj”, por tani ka një prokuror tjetër në detyrë, Arta Marku, e zgjedhur në shkelje të Kushtetutës në emër të reformës në drejtësi që duhet të pastrojë skenën politike.

Çfarë do të bëjë tani Arta Marku?

A do të tregojë ajo se ka dinjitet profesional, dhe se ka vullnetin për të ndryshuar opinionet për emërimin e dyshimtë të saj, duke nisur hetimet, dhe ndoshta duke arrestuar ndonjë “peshk të madh” aq shumë të kërkuar, apo do të vazhdojë të heshtë dhe të mos shqetësojë pushtetin që e emëroi?

Po opozita çfarë duhet të bëjë?

Ndoshta ajo duhet të lërë për një moment takimet me bazën, apo hedhjet e çizmeve, apo aleancat me dhjetë parti “të formatit të familjes”, dhe të kërkojë me zë të lartë ndërhyrjen e drejtësisë mbi çështjen ARMO. Kështu ajo mund të tregojë se është gjallë dhe se janë opozitarë të vërtet.

Përndryshe, është më mirë që të lënë mbledhjet dhe aleancat, dhe mbi të gjitha të kursejnë çizmet që shpejt mund t’u duhen për të kaluar malet për në Greqi.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>