Po i vrasim para se të lindin

Nga Rezart Cenaj
Po i vrasim para se të lindin

Planeti është i vendosur në frontin e një katastrofe globale, e cila ngjason me atë që ka ndodhur përpara 251 milionë vitesh, në fund të periudhës Permiane. I vetmi ndryshim është se këtë herë shkatërrimin e shtyjnë përpara veprat e të mrekullueshmit Homo Sapiens Sapiens, i cili duket sikur luan futboll në buzë të humnerës. Ashtu si ka thënë edhe komediani filozof George Calin: “Planeti është në rregull. Njerëzit e pallojnë“.

Ngrohja globale që na pret tashmë është një fakt. Deri tani, temperatura është rritur me 0.6 gradë Celsius krahasuar me epokën paraindustriale. Ndoshta koha duket e gjatë, por 200 vitet e industrisë së njeriut të mençur janë një hapje-mbyllje sysh të Gaias.

Nuk kemi parë asgjë akoma. Një studim i shkencëtarëve britanikë në vitin 2005 zbuloi se dyfishimi i dioksidit të karbonit do të çojë në temperaturë globale që varion nga 1.9 deri në 11.5 gradë Celsius mbi nivelet paraindustriale.
Nëse temperatura globale mesatare kalon 6 gradë Celsius, atëherë ne do të jemi krenarë që shkaktuam një zhdukje të re totalitariste të qënieve të gjalla.

Janë gjëra të thjeshta, të cilat i shohim në shumë filma me apokalips. Do të shkrijnë shumë nga akullnajat e Arktikut dhe Antarktidës. Do të fundosen qytete dhe shtete. Do të ndalojë e ashtuquajtura ‘Gulfstream’ dhe, si pasojë, Europa veriore do të hyjë në periudhën akullnajore. Do të shkretohen rajonet e buta si vendet që lagen nga Mare Nostrum.

Mos të harrojmë ngjarjet ekstreme të motit si huraganët që janë shfaqur në Atlantikun jugor, tornadot, valët e nxehta apo thatësirat. Të gjitha këto do të shkaktojnë plagë, zi, migrime masive dhe, padyshim, luftra.

Kur do të ndodhë kjo? Sapo ka filluar dhe është duke ndodhur. Me pak fat, nipërit dhe mbesat tona nuk do të arrijnë të lindin, sepse e sigurt që do të jetë fatkeqësi të lindësh në një planet të shkretë.

Si mund ta ndalojmë katastrofën? Nuk është e sigurt nëse mundemi, por e vetmja mënyrë është të reduktojmë dioksidin e karbonit në masën 90%.

Çdo të thotë kjo? Si do të ishte një vend perëndimor, i zhvilluar që do bënte këtë? Përgjegjen e dha në mënyrë spontane gjatë një interviste ambientalisti Mayer Hillman “një vend i varfër i botës së tretë”.

Për të parandaluar zhdukjen drejt të cilës po shkojmë, së pari, do duhet që TANI të ndalojmë përdorimin e hidrokarbureve. Mund ta imagjinoni një vend pa naftë dhe gaz? Nëse jo, atëherë duhet të imagjinoni një vend pa njerëz.

Pastaj, edhe nëse e tërë energjia që përdorim vjen nga burime të rinovueshme (diellore, ujore, valë, erë), dë të duhej që secili prej nesh të shpenzonte shumë më pak.

Do duhej t’i jepnim fund udhëtimeve të gjata, ushqimeve të parapërgatitura, blerjeve të rrobave, mobilieve e pajisjeve. Realiteti është këtu. Pa naftë ekonomia globale shëmbet.

Çfarë preferoni? Një planet ku do të jetojnë nipërit dhe mbesat tuaja apo një udhëtim me makinë nëpër botë? Mos u përgjigjni. Ka çështje më të rëndësishme për t’u marrë, si presidenti i ri amerikan, politikat e qeverisë rilindase apo se çfarë do hamë nesër.

Ilustrimi më i mirë se si sillemi ne bëhet me anekdotën e famshme ku pacienti, pasi kishte kryer të gjitha analizat, shkon te mjeku, i cili i thotë se kishte një lajm të mirë dhe një lajm të keq. Lajmi i mirë ishte se pacienti kishte edhe një muaj jetë, ndërsa lajmi i keq ishte se duhet ta merrte vesh këtë përpara një muaji. I zemëruara e në depresion, pacienti shkoi të blinte gjëra se ishte Black Friday.

Sigurisht që ne e dimë se jemi në prag të shkatërrimit. Anija po fundoset dhe ne shkojmë në restorantet më të mira, shkojmë në palestër, grindemi për skuadrat e preferuara të futbollit, mbajmë zi online për një këngëtar, aktor apo politikan të rrënuar.
Vazhdimisht vëzhgojmë lajme me fundin që është duke ardhur.

Në rrethin arktik, studiuesit gjetën (të frikësuar), për herë të parë, temperaturë mesatare mbi zero. Ata e dinin që do të ndodhte, por prisnin se do të ishte shumë vite më vonë.

Në Siberi u zbuluan kratere të mëdha. Nuk i krijuan jashtëtokësorët dhe as meteorët. Janë rezultat i mbinxehjes.

Në Australi, në Barrierën e Madhe Koraline, gati 2/3 e koraleve praktikisht janë shkatërruar. Temperatura mesatre globale ë vitin 2016 ishte më e larta e regjistruar që nga koha kur filluan regjistrimet. Në të njëjtën kohë, presidenti i ri amerikan deklaron se ngrohja globale është një mit, konspiracion i kinezëve që duan të dëmtojnë industrinë amerikane.

Në Shqipëri, qeveritë tentojnë të sjellin plehrat e botës, të prishin parqe kombëtare dhe të zëvendësojnë me inerte hapësirat e gjelbra.

Përfundimisht, çdo gjë që ne bëjmë është e lidhur me mbinxehjen, ndërkohë që nuk bëjmë asgjë për ta vonuar, sepse për shamngien tashmë është vonë.

Pra, ka lajm të mirë dhe lajm të keq për shkatërrimin e species sonë. Lajmi i mirë është se na kanë ngelur pak vite. Lajmi i keq është se duhet ta kishim ditur dhe duhet të kishim reaguar disa vite më parë.

Gëzuar! Fund të mbarë të njerëzimit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>