1 — E pamendueshmja ndodhi:
Në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe të disa ligjeve në fuqi, mazhoranca kaloi ligjin për shembjen e Teatrit Kombëtar dhe tjetërsimin e tokës së saj në favor të oligarkëve të ndërtimit. Në fakt, për njerëzit që kanë vite që paralajmërojnë këtë degradim të politikës e tani së fundi edhe të funksionit juridik të Parlamentit, kjo nuk përbën ndonjë bujë të madhe.
Kjo është risi për ata njerëz të cilët deri dje pëlqenin fasadën oksidentale të Rilindjes. Megjithatë, miratimi i ligjit në Kuvend solli diçka pozitive: qytetarët filluan të kuptojnë se pas Teatrit, radhën e kanë shtëpitë, dinjiteti e familjet e tyre.
Shekuj më parë, Makiaveli shkruante se një sundimtar i mençur e jetëgjatë nuk duhej të ngatërrohej kurrsesi me pronat dhe me gratë e popullit. Ndërsa tek ne nuk është çudi që një të ardhme të afërt, rilindasit t´i thërrasin zakoneve feudale dhe të vendosin atë që në mesjetë njihej si “le droit du senior” apo “ius primae noctis”— e drejta e zotërinjve për të shijuar freskine virgine të grave para natës së parë të martesës.
E ndërsa ky skenar është pak, për të mos thënë aspak i mundshëm për një shoqëri me tradita të forta patriarkale si ajo ballkanase, ja se si zotërinjtë e rinj të këtij vendi mund ta shfrytëzojnë precedentin e krijuar rrëmujshëm mbrëmjen e 5 korrikut.
2 — Kullat, vazhdimësi e Shqipërisë si lavatriçe ballkanike e pastrimit të parave:
Nuk është blasfemi të konstatosh fiksimin e çuditshëm të rilindasve me kullat. Kulla ishte simboli i rilindjes urbane në Korçë, por edhe lajtmotiv i qeverisjes së Tiranës nga vitet 2000 deri në ditët e sotme.
Projekti i një arkitekti të huaj para disa vitesh tregon qartazi synimin e Kyreministrit për ta shndërruar qendrën e Tiranës në një panteon kullash që i shërben njëkohësisht nevojës patologjike të krimit në fshehjen e parave të pista, si dhe manisë së Ramës për t’u futur në histori si njeriu i cili i shndërroi fytyrën kryeqytetit. Nuk është çudi që qendra historike e Tiranës ndërtuar sipas arkitekturës racionaliste italiane ta gjejmë pas pesë apo 10 vitesh në modelin e ri të rilindjes socialiste.
3 — Mediat si vazhdimësi e agjit-propit oligarkik
Në korrikun e vitit 2017, disa banorë të ish-Parkut të Autobusave vendosën ta shprehin në rruge zemëratën e tyre ndaj një kompleksi kullash që do të ndërtohej mbi sipërfaqën e një trualli që deri atëherë kishte shërbyer si lulishte për argëtimin e komunitetit. Gjatë tre ditëve protestash pa ndalim, arrestimesh, rrahjesh, kërcenimesh, media tradicionale i kushtoi pak ose aspak hapësirë televizive një ngjarjeje e cila preku interesat e nje lagjeje të tërë të kryeqytetit.
E njëjta skeme u ndoq edhe me protestën e Teatrit Kombëtar.
Me dezertimin e aktorëve të mëdhenj si Robert Ndrenika, prania e të cilëve prodhon lajm për hir të lavdisë së dikurshme, krejt papritur kamerat e televizioneve të mëdha të vendit filluan të mungonin në agorën e përditshme qytetare.
Shumë lehtë e kuptueshme mungesa e pasqyrimit mediatik në kushtet kur pjesa dërrmuese e televizioneve ndërtojnë politika editoriale sipas interesit të pronarit të tyre biznesmen ndërtimi.
Kjo (auto) censurë ka gjasa të funksionojë edhe për kauza të tjera, duke patur parasysh faktin se Shqipëria sundohet aktualisht nga trinia ( qeveri, oligarkë, krim), tentakulat e të cilëve mbajnë ngërthyer potencialin demokratik që një media e lirë mbart në vetvete.
4 — Shoqëria civile: Një amalgamë ideologjike që ushqehet nga paratë e drogës dhe mafies së betonit:
Për shoqërinë civile është folur shumë. Financuar po ashtu. Ekzistenca formale përmes një NIPT-i i bën ato jo-virile në raport me problematikat e përditshme të shoqërisë shqiptare. Tipari përbashkues i protestave të 5 viteve të fundit është humbja e secilës prej tyre.
Kjo jo prej terrorit policor të pushtetit ndaj qytetarëve që protestojnë, por prej finokërisë së këtij të fundit në infiltrimin e elementeve majtistë në krye të organizimeve civile sipas logjikës infiltro-formalizo-dialogo të përfaqësuesve me pushtetin.
Grupet që kanë marrë barrën e mbrojtjes së interesit publik në rrugë dhe sheshe i përkasinin bindjeve ideologjike të ndryshme, dhe kjo është një gjë e mirë. Disavantazhi është brishtësia strukturore dhe mungesa e financimit në rrugë të ligjshme.
Teksa fondet qeveritare dhe ndërkombëtare shkojnë për shoqërinë civile me NIPT, përfaqësuesit e së cilës mbushin karriget e aktiviteteve në hotelet më luksoze në vend. Ndërsa “civilëve të rrugës” iu mbetet të rezistojnë derisa ofertuesi më i mirë vjen dhe shkatërron kauzën në pikën më të rëndësishme të saj: Besimi.
Kjo situatë do të vazhdojë duke ulur akoma dhe më tej besimin e qytetarëve se problemet zgjidhen me anë të protestave.
5 — Drejtësia: Kolapsi si garant i padrejtësisë që bëhet ligj:
Vetingu i rrëzoi një nga një ata që supozohet të ishin ajka e shkollës juridike shqiptare. Si pasojë, Gjykata Kushtetuese nuk funksionon duke na treguar se në të vërtet pushteti ekzektutiv e ka gllabëruar de facto atë gjyqësor.
Mosngritja e insitucioneve kushtetuese si Këshilli i Lartë i Gjyqësorit apo ai i Prokurorisë premtojnë zvarritjen e mëtejshme të reformimit të sistemit të drejtësisë, një vonesë të cilën mazhoranca do ta përdorë për të varrosur përfundimisht lidhjet e saj me krimin.
Ajo ç’ka e rrezikon akoma dhe më shumë demokracinë shqiptare sot është heshtja. Përpos faktorëve të përmendura më lart, heshtja e njerëzve të lirë të këtij vendi ndihmon shoqërisht e kulturalisht instalimin e një autokracie të re shqiptare.
Nëse drejtësia, media, shoqëria civile mund të rimarrin funksionet e tyre përmes demokratizimit dhe zgjidhjeve juridike, bataku i heshtjes është burim i padrejtësise dhe diktaturës. Ajo ç’ka pritet të ndodhë është më e frikshme nga ajo që mendohet. Tani fjalën e ka populli…