Teatri Kombëtar hyri në histori.
Tani është koha të flasim për demokracinë. Por jo për të mbrojtur institucionet demokratike. Institucionet demokratike u goditën dje me fadromë, rrethuar nga qindra policë pa emra, numra, me maska dhe armë.
Dje, pasi ishte gërryer nga pak çdo mandat prej kryetarëve të qeverive këto 30 vjet, ku secili kërkoi të forconte pushtetin e tij vetjak, demokracia shqiptare mbeti nën rrënojat e Teatrit Kombëtar.
E dëgjuat si tha media e propagandës qeveritare? “Në rrënoja kanë mbetur kartonë e kompensata, me të cilat ishte ndërtuar teatri.”
Kartonët e kompensata nuk ishin materialet e godinës, se tërmeti e vërtetoi që ajo godinë ishte ndërtuar siç duhej, po kartoni e kompensata ishte struktura me të cilën është ngritur demokracia jonë këta 30 vjet.
Kujtoni se nuk e kemi parë këtë më parë? Gabim!
Në vitin 1943 Musine Kokalari ngriti një parti opozitare ndaj Enver Hoxhës, me sytë nga perëndimi, po shumë shpejt kuptoi se perëndimi e kishte shitur Shqipërinë dhe fatin e saj në duart e një krimineli dhe të interesave përtej kufijve. Ne për perëndimin ishim numra të parëndësishëm.
Në një “shtet” që ka 6 vjet pa gjykata, që ka rrëmbyer parlamentin, që ka rrëmbyer bashkinë, që deligjitimon opozitën dhe me opozitë nuk po mendoj asnjë kryetar partie që përkohësisht nuk është në pushtet, po ata njerëzit që mbushin sheshet, ata që nga shtëpitë e tyre pranojnë në heshtje se shumë gjëra nuk shkojnë në këtë vend apo ata që marrin rrugët e mërgimit se këtu nuk ka shpresë; në një “shtet” që na e ka futur gjer thellë dorën në xhepa, duke ua hequr bukën nga goja fëmijëve tanë, për të shtuar dhjamin e mafiozëve, me të cilët ha në një çanak: ky “shtet” është saktësisht ajo që përfaqësonte Enver Hoxha dje në vitet e para të pushtetit, ku nuk ishim dëshmitarë, ama ishim dëshmitarë të vijimit e fundit të tij.
Ashtu si Enveri përdori Dushan Mugoshën dhe Miladin Popoviçin për të ngritur arkitekturën e Partisë Komuniste me të cilën do të sundonte me mizori, duke i vrarë shqiptarët pa hesap, ashtu Edi Rama përdori ambasadorin Donald Lu dhe sa e sa “perëndimorë” të tjerë për të vënë në vend një sistem drejtësie që do t’i shërbente atij. Kundërshtarët e tij politikë shkuan si dele të firmosnin, se nuk kanë këllqe e moral dhe janë përlyer që të gjithë.
Po ne nuk jemi ata, ne nuk jemi përlyer të gjithë. Fëmijët tanë nuk studiojnë në shkolla të shtrenjta, as flenë në shtëpi luksoze e as hanë restoranteve.
Sot ka ardhur koha të dalim të gjithë në shesh, të ngremë zërin në çdo sekondë, të mos bindemi, të mos bëjmë indiferentin në kutitë e votimit se “tërmeti” i Gjiknurit është prova më e fortë që tregon se pa votën tonë çdo pushtet shembet.
Nëse s’di të luftosh, për një vit votojmë, ndaj lufto me votë.
Jepja votën partisë më të humbur, asaj që s’ia kemi dëgjuar emrin kurrë dhe që s’do ta grumbullojë dot pushtetin në një dorë të vetme, vetëm mos e lër këtë “shtet” të të marrë frymën dhe ta shfrytëzojë heshtjen tënde për të të shkelur më shumë.
Kemi hyrë në një shteg shumë të rrezikshëm, prej kohësh, po tani duket sheshit për të gjithë, edhe për ata që nuk kishin sy e veshë të shihnin e të dëgjonin. Për perëndimin jemi numra të parëndësishëm. Ka ardhur koha të ngrihemi për veten, para se të jetë vonë.
Shqiptar, mos e lër historinë të përsëritet. Sot e ke vetëm ti në dorë, secili prej nesh, si copa të një mozaiku të madh, që e ka frikë çdo pushtet.