Një postim në Facebook i Paolo Munerit, mendje e kujdesshme ndaj historisë shqiptare më tërhoqi vëmendjen tek një ekspozitë e vogël shëtitëse, hapur së fundmi në Trieste, si pjesë e një turi në gjithë Italinë.
Ekspozita tregon jetën (e trishtë) të një enklave serbe në Kosovë dhe sikurse pohon një recension jo tërësisht i pavarur, ajo synon t’i tregojë popullit italian:
… fatin dhe historinë e një popullsie të vuajtur, të privuar nga e drejta e identitetit dhe qëndrestare ndaj padrejtësive të varfërisë, vështirësitë e jetës së përditshme, grackat e komunizmit modern: fati dhe historia e popullit serb në Kosovë dhe Metohi.
Ekspozita, ose më saktë aktiviteti, apo më mirë duhet thënë intepretimi, përbëhet nga një ekspozitë me 12 fotografi të fotografes italiane Federica Troisi, e shoqëruar nga një kolonë zanore e një tjetër italiani, muzikantit Giovanni Linod Ferretti, i njohur më shumë si një nga themeluesit e grupit muzikor CCCP–Fedeli alla linea (Besnik ndaj linjës).
Ekspozita u organizua nga shoqëria Miqtë e Deçanit—e drejtuar nga Paolo Rumiz së bashku me Massinmo Cacciari, ish-Presidenti i Intersos dhe personazhe të tjerë të së majtës italiane. Organziata u themelua pas luftës së Kosovës nga një mori funksionarësh dhe diplomatësh italianë në misionin e Kombeve të Bashkuara, së bashku me një grup të madh oficerësh të lartë të Forcave të Armatosura të Italisë, si dhe eksponentë të ndryshëm të kulturës serbe e sllave, me qëllimin e hapur, përveç qëllimit të merituar për të promovuar kulturalisht Manastirin e Deçanit, për të hedhur baltë mbi punën e shkëlqyeshme që kanë bërë në Kosovë Forcat e Armatosura Italiane.
E vështirë për të kuptuar nëse janë Forcat e Armatosura që rekrutojnë pacifistët komunistë me qëllim propagandistik, ose nëse është saktësisht e kundërta, por nuk kujtesës sime nuk mund t’i shpëtojë prania, mes ortakëve themelues të kësaj shoqërie, e një ish-gjenerali italian, më pas senator i Partisë Demokratike, i cili drejtonte atëherë forcat italiane në Kosovë. Në ktë detyrë ai i ofroi mbrojtje dhe siguri një kolone paraushtarake serbe të fshehur në një manastir të rëndësishëm ortodoks në Pejë.
“Real politikë”, komentoi atëherë shtypi italian, por shtypi shqiptar dhe ai ndërkombëtar nuk u treguan kaq të butë.
Tani kjo shfaqje, e programuar në shumë qytete të Italisë dhe në të paktën tre qytete serbe, pak më shumë se 15 vjet larg nga faktet, ka prirjen t;i japë besueshmëri tezës se historia e “çlirimit të Kosovës” ka shkaktuar viktima, dhe ja një rast viktimash serbe.
Kjo është padyshim e vërtetë, por është vetëm një pjesë e vogël e të vërtetës. Kaq e vogël dhe kaq e izoluar sa ngjall dyshime dhe acaron pjesën tjerë të viktimave, ata qytetarë kosovarë me kombësi shqiptare që u sulmuan dhe u shtypën me shumë egërsi nga kriminelë paraushtarakë të organizuar nga ai që pretendonte se ishte shteti i tyre legjitim, njësoj sikur sikurse pretendoi legjitimetin edhe në Srebrenicë.
Unë në Kosovë kam hyrë pak ditë pas KFOR-it. Dhe një mëngjes në ditët e para të korrikut 1999, në një Kosovë ende të shkretuar, në shoqërinë e Renato Caprile (atëherë i dërguari i gazetës La Repubblica) dhe Ilir Kullës (gjtihmonë i afërt me gazetarët italianë, por sot analist për çështjet e sigurisë ndërkombëtare) të cilët i kam dëshmitarë, në anën e djathtë të rrugës Peja-Gjakovë, pikërisht në hyrje të Gjakovës, kam parë të shkruar me një italishte të saktë gramatikisht “Jugorë dridhuni sepse do të rikthehemi. Lega Nord”.
Renato Caprile e fotografoi shumë i entuziazmuar sepse sapo kishte zbuluar një scoop. Por ai nuk e publikoi asnjëherë atë foto, arsyen e di ai, ose “babin e vogël” të inteligjencës së të majtës, Eugenio Scalfari.
Shkrimi mbeti aty, mbi atë mur, për të paktën dy vjet. Më pas muri u rrëzua, por dhjetëra, në mos qindra, ushtarë italianë që punonin në njësitë e ndryshme pranë qytetit të Gjakovës mund ta lexonin, por asnjë gazetar, ose më mirë asnjë gazetë, nuk deshi asnjëherë ta botojë atë lajm apo atë foto.
Edhe një foto, ose mosbotimi i një fotoje, mund të jetë një gënjeshtër, ose mund të ketë qëllim manipulimin e realitetit. Edhe shkrepjet dhe muzika e dy intelektualëve të regjimit, nga rajoni komunist e Rexhio-Emilias, që interpretojnë në shfaqjen në Trieste mund ta turbullojnë realitetin dhe historinë. (E në fakt ishte pikërisht nga rajoni komunist i Emilias që në prill 1999 nisi fushata e propagandës anti-serbe e proshqiptare, organizuar për të mbajtur të bashkuar mbështetjen politike për kryeministrin e atëhershëm Massino D’Alema, i rreshtuar qartë në favor të bombardimit të NATO-s mbi Serbinë, dhe për këtë arsye jo shumë i mbështetur nga baza e tij politike.)
Me siguri nuk do jenë fotot e tyre sot në Trieste që do të fshijnë qendrimet e djeshme, edhe pse në një fare mënyre po e provojnë.
Unë foto e mia mbi Kosovën i ruaj në kujtesën time dhe nuk i përdor për të bërë propagandë. Por kur shfletoj kujtimet e mia mbi Kosovën, nuk më shfaqen as fitues dhe as fitore. Më shfaqen vetëm njerëz të varfër, shpesh të paditur dhe prandaj të manipulueshëm, që vajtonin kur kërcënoheshin, por që papritur ktheheshin në guximtarë kur kishin armë në duar, që kishin të stampuar në krahun e xhupit kryqin çetnik apo shqiponjën e zezë dykrenare në një fushë të kuqe, qofshin çlirimtarë ose të çliruar, qofshin zotër të sotëm apo të djeshëm.
Një rreth i vetëm vicioz idenditeti: frikë, ftohtë, uri, histeri, ashpërsi, urrejtje për tjetrin.
Ja pra, në foton time mungonte saktësisht ajo që mungon edhe në rrëfimin e shkurtër të ekspozitës që po flasim: tjetri.
Tjetri, në Ballkan, fatkeqësisht nuk ekziston kurrë.
Por në varrezat e Kosovës nuk kishte kryqe të reja, por vetëm gurë të gjatë me turbane apo piramida në fund, të njëjtët që i gjen edhe në fushat me lule të Sarajevës, ku edhe një rit islamik varrimi dikur ishte objektiv i lehtë dhe i pamëshirshëm i snajpere4ve.
Ata që na kanë propaganduar retorikën e luftës parandaluese të mos provojnë tani të propagandojnë retorikën e vuajtjes së pakicave të reja, dhe të mos qajnë mbi rezultatin (e parashikueshëm) të veprimeve të tyre të atëhershme.
Ato kanë gjithmonë të drejtë, ndërsa për të tjerët ekziston druri, gjithmonë.