Tre anëtarë të grupit famëkeq të shqiptarëve Hellbanianz u arrestuan në Angli pasi u kapën duke grabitur një laborator droge të grupeve rivale.
Azem Dajçi (26 vjeç), Fabion Kuçi (27 vjeç) dhe Ardi Sheta (18 vjeç) u arrestuan pasi u kapën gjatë bastisjes së armatosur. Ngjarja ndodhi në një zonë në veri të Londrës.
Mediat në Angli shkruajnë se nga operacioni i policisë një pjesë tjetër e grupit mundi të largohej.
Grupi Hellbanianz, i lidhur vazhdimisht me akuzat për narkotrafik, ka ndikim të madh në zonën urbane të Barking në Londër. Ky grup ka tërhequr prej kohësh vëmendje mediatike për faktin se bëjnë muzikë dhe anëtarët e saj bëjnë jetë luksoze dhe ngasin makina të shtrenjta.
Përmes muzikës ata thuhet se rekrutojnë njerëz për aktivitetet e tyre, ndërsa të dhëna zyrtare tregojnë se rekrutimet janë kryesisht nga veriu i Shqipërisë.
Disa anëtarë të Hellbanianz bënë bujë me foto të shkrepura në paraburgim ku sfidonin drejtësinë britanike për nivelin e ulët të sigurisë në burgje. Për grupin vitet e fundit kanë shkruar mediat më kryesore britanike si The Guardian, Express apo The Telegraph.